Home / Sport / Roma i jep lamtumirën e fundit Naim Kryeziut

Roma i jep lamtumirën e fundit Naim Kryeziut

Klubi italian i futbollit, A.S Roma, i dha sot lamtumirën e fundit legjendës shqiptare, Naim Kryeziu, i ndarë nga jeta dy ditë më parë në moshën 92-vjeçare.

Sipas faqes zyrtare të klubit “asroma.it”, në sheshin “Euklid” të kryeqytetit italian u zhvillua ceremonia, ku ishin të pranishëm drejtues të klubit dhe futbollistë. Naim Kryeziu ka qenë sulmues i skuadrës verdhekuqe në vitet 1939-1947 dhe në 122 ndeshje realizoi 27 gola me këtë skuadër. Bashkë me Amadeo Amadein, ai formoi dyshen e famshme që i dha titullin e parë skuadrës së Romës në vitin 1942.

I lindur në Gjakovë më 4 janar 1918, Kryeziu ishte një prej atyre futbollistëve që shkruan historinë e skuadrës verdhekuqe. Ai kaloi në Itali bashkë me shqiptarin më të famshëm aty, Riza Lushta dhe të dy u regjistruan në ISEF. Më pas Kryeziu u zbulua nga drejtuesit e Romës dhe shumë shpejt u bë pjesë e skuadrës së parë. Sulmuesi shqiptar mbahej mend sidomos për shpejtësinë e tij, pasi e bënte 100-metërshin në 11 sekonda, ndërkohë që kishte një gjuajtje tepër të fuqishme.

Pasi la verdhekuqtë, Naim Kryeziu u ble nga Napoli, ku mbylli karrierën në vitin 1952. Më pas, iu kushtua karrierës si trajner dhe arriti të siguronte ngjitjen në kategorinë e parë të skuadrës Almas Roma. Në sezonin 1964-1965 ai u bë trajner i Romës, duke zëvendësuar të larguarin Lorenco.

Më vonë u bë pjesë e stafit drejtues të klubit italian dhe si vëzhgues talentesh, zbuloi Xhuzepe Xhaninin. Naim Kryeziu u duartrokit në kor dy vjet më parë, gjatë 80-vjetorit të Romës, së bashku me Amadein. Për nder të tij skuadra verdhekuqe luajti të shtunën kundër Udinezes me një shirit të zi në krah.

Gjithashtu lexo

Osmani: Bëmë gabime në mbrojtje, do të ndryshojmë në lojën e ardhshme

Trajneri i Shkëndijës së Tetovës, Qatip Osmani nuk e ka përjetuar mirë humbjen nga Milani. …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *