Home / Sport / “Rrokadë” trajnerësh, ja si mund të ndërrohen stolat

“Rrokadë” trajnerësh, ja si mund të ndërrohen stolat

Nga Mourinjo te Mançini, nga Zakeroni te Benitezi: ja skenarët e mundshëm të ndërrimit të trajnerëve kryesorë europianë në fund të këtij sezoni.

Emri më i lakuar vazhdon të mbetet ai i Hoze Mourinjos. Portugezi i Interit mund t’i zërë sërish vendin Roberto Mançinit, ashtu siç bëri te zikaltrit dy sezone më parë. Ndryshimi me këtë herë është se trajneri italian i Mançester Sitit nuk do të mbetet pa punë. Përkundrazi. Mund të ulet në krye të stolit të Juventusit, pasi me shumë mundësi drejtuesit bardhezi nuk kanë ndërmend të shtyjnë marrëveshjem me trajnerin aktual, Alberto Zakeroni.

Sipas mediave britanike, sheikët arabë që kanë në pronësi klubin nga Mançesteri, nuk e kanë aspak problem t’i vënë përpara çekun e bardhë “Të veçantit”, në mënyrë që ai të pranojë të marrë drejtimin e Sitit. Gjithashtu, drejtuesit e Juventusit do të ishin të kënaqur nëse sjellin në Torino një trajner si Roberto Mançini, që e njeh mirë futbollin italian.

Madje mediat në ishull shkojnë edhe më tej, duke aluduar mbi një takim midis vetë Mançinit dhe drejtuesve të Juves (midis të cilëve edhe Roberto Betega). Sipas një burimi të afërt pranë trajnerit aktual të “Citizens”, ish-trajneri i Interit vështirë se do të refuzonte stolin e “Zonjës”, pasi “të drejtosh Juventusin është njëlloj si të drejtosh Mançester Junajtid apo Realin e Madridit”.

Por Torino mund të jetë arena e një tjetër “komploti” interesant, me protagonistë Hoze Mourinjon dhe Rafa Benitezin. Sipas tabloidit “News of the World”, spanjolli i stolit të Liverpulit mund të arrijë një pakt me pronarët e klubit, Xhorxh Xhillet dhe Tom Hiks, për të lënë drejtimin e Të Kuqve. Benitezi, i lodhur nga mosplotësimi i kërkesave të tij nga pronarët amerikanë, do të ishte i lumtur të ulej në stolin e Juventusit, aty ku drejtuesit bardhezi janë të gatshëm t’i plotësojnë çdo kërkesë. Madje sipas revistës “People”, trajneri spanjoll është në krye të listës së preferencave të Juves për sezonin e ardhshëm.

Por ai pëlqehet edhe nga Reali i Madridit, që në fund të këtij kampionati me siguri do të ulë në stol një trajner tjetër. Megjithatë, gjithçka do të varet nga renditja përfundimtare në kampionat për Liverpulin. Nëse nuk ia del të marrë pjesë në Ligën e Kampionëve, atëherë pronarët e klubit mund të shesin disa prej yjeve të ekipit (midis të cilëve edhe Fernando Torres, për të cilin Çelsi ka gati 55 milionë euro) për të balancuar financat. E nëse kjo ndodh, atëherë lamtumira e Rafa Benitezit nga Premier Liga do të ishte e pashmangshme.

Gjithashtu lexo

Minutat e para të Neymarit ndaj Toulouse: Përlotet, driblon bukur, godet shtyllën dhe në fund shënon gol (Foto/Video)

Fillimi i ndeshjes së Neymarit me Paris Saint Germainin ndaj Toulouse ka nisur me emocione …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *