Home / Lajme / Rajon / Thaçi: Ndarja e Kosovës ndryshon kufijtë në Ballkan

Thaçi: Ndarja e Kosovës ndryshon kufijtë në Ballkan

6 mars
“Integriteti territorial i Kosovës është i paprekshëm, i njohur dhe i garantuar ndërkombëtarisht, dhe Kosova me këto kufij do të integrohet në NATO dhe BE”, ka thënë Thaçi për agjencinë Beta.

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka vlerësuar se ndarja e Kosovës do ta hapte çështjen e ndryshimit të kufijve në Ballkan, dhe prandaj askush nuk është i interesuar për hapjen e kësaj çështjeje.

“Integriteti territorial i Kosovës është i paprekshëm, i njohur dhe i garantuar ndërkombëtarisht, dhe Kosova me këto kufij do të integrohet në NATO dhe BE”, ka thënë Thaçi për agjencinë Beta.

Ai ka thënë se gjendja e sigurisë është stabile dhe ndër sfidat më të rëndësishme është integrimi i pjesës veriore dhe zbatimi i ligjit në këtë pjesë të vendit.

“Serbët e Kosovës do t’i realizojnë të drejtat e tyre në mënyrën më afirmative në kuadër të respektimit të plotë të integritetit territorial të Kosovës, të forcimit të sovranitetit të shtetit të Kosovës dhe respektimit të plotë të planit të Ahtisarit”, ka thënë Thaçi.

Sipas tij, Kosova është e gatshme që të bisedojë për përmirësimin e marrëdhënieve me Serbinë, por kurrë nuk do të pranojë të bisedojë për statusin e Kosovës.
“Mund të bisedojmë si dy shtete të pavarura për çështjet konkrete në interes të dy vendeve” tha Thaçi.

“Po të ketë ndarje, ndryshimi i kufijve nuk do të ndalet në Kosovë por do ta përfshijë gjithë Ballkanin”, i ka thënë Radio Dukagjinit ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Skënder Hyseni.

Sipas tij, Serbia nuk po e pengon vetëm Kosovën drejt anëtarësimit në BE por gjithë Ballkanin Perëndimor. Ndërkohë ka bërë të ditur se pret që vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë të jetë neutral. E ky qëndrim sipas tij do të ishte në të mirë të Kosovës.

“Kërkesa për ndarje nënkupton destabilizim të të gjithë rajonit”, ka pohuar shefi i diplomacisë kosovare, Skender Hyseni. Ai ka thënë se tema e ndarjes është lansuar nga Beogradi për të parë reagimet në Kosovë. “Nuk ka ndarje të Kosovës”, ka potencuar Hyseni duke shtuar se ndarja do të nënkuptonte ndryshim të kufijve të gjithë Ballkanit.

“Po e themi troç. Po të ketë ndryshim të kufijve të Kosovës atëherë nuk do të ndalet në Kosovë, nuk përfundon në Kosovë, do ta përfshijë gjithë rajonin e Ballkanit”.

Ministri i Jashtëm Hyseni shkon edhe më tutje. Ai fajëson Beogradin që po e pengon integrimin e Ballkanit Perëndimor në familjen e madhe evropiane. “Pengesat që Beogradi po i vendosë në rrugën e konsolidimit ndërkombëtar të shtetësisë së Kosovës rrjedhimisht po pengojnë edhe integrimin e pjesës tjetër të Ballkanit në BE”.

Këtë deklaratë, ministri Hyseni e mbështet në faktin që i gjithë Ballkani Perëndimor do të integrohej thuajse në të njëjtën kohë në BE.

Hyseni për herë të parë ka përmendur mundësinë që vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë të jetë neutral. E ky qëndrim, sipas tij, do të ishte në të mirë të Kosovës. “Mendimi i Gjykatës do të jetë krejtësisht i paadresuar, neutral, që do me thënë në të mirë të Kosovës, sepse do të dalë pikërisht ajo që e kemi thënë. Pavarësia e Kosovës është çështje me të cilën Gjykata nuk duhej të merrej fare”. /RTVD/Telegrafi/

Gjithashtu lexo

Vdes ish-kryeministri Bajram Rexhepi – (VIDEO)

Ish- kryeministri i Kosovës, Bajram Rexhepi ka ndërruar jetë pas një sëmundje për të cilën …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *