Home / Sport / Zidane

Zidane

4 mars
Lartmadhëria e tij, Zinedine Zidane, filloi t’i “shëtisë” mbrojtësit, mesfushorët e sulmuesit kundërshtarë qysh në moshën 16-vjeçare, kur filloi të luante si profesionist. Arrinte që gjërat më të komplikuara t’i kryente aq thjesht. Një Muhamed Ali i futbollit!

Kushtrim Alijaj

Në varfëri të thellë, të lodhur nga luftërat, plotësisht të pashpresë për të ardhmen! Ismaili dhe Malika në pranverën e 1953-s vendosin të largohen nga kasollja e tyre në Aguemone, fshat ky në regjionin e Kabilies në Algjeri. Destinacioni i tyre do të ishte Franca, më konkretisht Parisi.

Vuajtjet e tyre për të arritur në Paris do i tejkalojnë ato të Odiseut! E, megjithatë, ata besuan në diçka më të mirë, në asnjë çast nuk e humbën shpresën! Dhe durimi i tyre u shpërblye.

Më 23 qershor 1973, Zoti ua dhuroi një djalë. Ai do të ishte shpërblimi i tyre. Dhe jo vetëm kaq… Ai do të ishte gëzimi dhe krenaria e gjithë popullit francez dhe algjerian. Ai do të ishte kënaqësia dhe relaksimi për sytë e gjithë adhuruesve të futbollit në planetin Tokë.

Lartmadhëria e tij, Zinedine Zidane, filloi t’i “shëtisë” mbrojtësit, mesfushorët e sulmuesit kundërshtarë qysh në moshën 16-vjeçare, kur filloi të luante si profesionist. Arrinte që gjërat më të komplikuara t’i kryente aq thjesht. Një Muhamed Ali i futbollit!

Pas çdo ndeshje magjike që bënte, përsëriste të njëjtën fjalë “futbolli është i lehtë, muzika është e rëndësishme”. Por, në fakt, simfonia më e bukur ishte ajo që bënte ai vetë në fushë.

Dhe shumica e njerëzve kujtojnë Zizun, me golat kundër Brazilit në finalen e Botërorit. Të tjerët me golin spektakolar kundër Leverkusenit në finalen e Ligës së Kampionëve. Por, të paktën, për mendimin tim, ndeshjen e jetës Zidane e ka bërë shumë më herët.

Në pranverën e 1996-s në Bordo zbret Milani i Capellos. Klubi më i fuqishëm i kohës. Ata do të mbronin një rezultat 2-0 të arritur në ndeshjen e parë.

Bordoja ishte para një akti të kryer. Milani i Capellos pësonte gol një herë në muaj. E për ta bërë mrekullinë, Bordo duhej të shënonte tri herë. Por, në këtë mes hyn një ngjarje e pazakontë.

Pak ditë më herët Zidane kishte deklaruar haptazi dëshirën për të luajtur në Milan. Ndërsa kishte marrë një përgjigje kategorike nga Galliani: “Nuk mjafton të jesh milanist të luash për Milanin”.

Kjo e detyron shkëlqesinë e tij ta ekzekutojë në fushë simfoninë “Hakmarrja”. Bordo shpartallon Milanin, nën skenarin dhe regjinë e Zidanes. Bota e kupton se në gjithësinë e futbollit është krijuar një galaksi e re, mbase më e madhja e të gjitha kohëve, Zinedine Zidane!

Natën e 12 korrikut 1998, në Paris kishin ardhur mbi një milion adhurues për ta festuar Kupën e Parë dhe të vetme Botërore të fituar nga “trekoloret”. Dalja në skenë e Zizus, para miliona njerëzve, në qytetin më të bukur të botës do të ishte një fitore e madhe për njerëzimin.

Djali, prindërit e të cilit kishin jetuar në një kasolle në një vend të humbur të Botës, ishte shndërruar në mbretin e Botës! Madje as në përrallat që u lexoni vogëlushëve tuaj nuk do të gjeni tregim më të bukur! E më pas Zizu, thotë pak fjalë, thjesht citon të atin e tij “Për të arritur diçka në jetë duhet ta bësh dyfishin e asaj që bëjnë të tjerët. Nënën duaje më së shumti. Familja është e shenjtë”. E pakkush e kuptoi domethënien e këtyre fjalëve…

Do të duhej të kalonin plot tetë vjet, dhe njerëzimi të bindej se gjeniu i futbollit nga Algjeria e kishte me të vërtetë atë që kishte thënë. Rasti me Materazin ishte një dëshmi e gjallë se për Zizun familja vlente më shumë sesa kupat, sesa fama. Dhe njerëzit e kuptuan, kurrë nuk e kritikuan.

Nuk kritikohet një institucion si Zidane. Nuk gjykohet historia. E për më tepër, kjo ishte ndeshja e fundit e Mozartit të futbollit. Të nesërmen e finales së Berlinit, në rrugën e kthimit për në shtëpi, të gjitha kamerat ishin fokusuar drejt fytyrës së Zizusë… e pikëllimi fytyrën ia kishte mbuluar.

Sikur e tërë errësira e natës të kishte përfunduar aty… dhe diku në largësi, qetazi dëgjoheshin zërat e disa tifozëve “Mos u largo, mos u largo” . Ai u largua. E pa të asgjë më nuk është e njëjtë.

(Autori është i diplomuar në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Prishtinës)

Gjithashtu lexo

Tifozët shqiptarë nga Tetova pushtojnë rrugët e Milanos, çfarë po ndodh para ndeshjes? (VIDEO)

Grupimi i tifozëve të Shkëndijes, “Ballistët” që shquhen edhe si një nga tifozeritë më të …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *