Home / Sport / Cana e Behrami lobojnë për Kosovën në Premier Ligë

Cana e Behrami lobojnë për Kosovën në Premier Ligë

Ndeshja mes Uest Hemit të Valon Behramit dhe Sandërlendit të Lorik Canës nuk do të jetë thjesht një derbi mes shqiptarësh, por do të shërbejë edhe për të reklamuar Kosovën në Angli.

Për të siguruar mbështetje për shtetin më të ri në botë, që fitoi pavarësinë më 17 shkurt 2008, në stadiumin “Upton Park” (ku më 10 prill do të luhet ndeshja e javës së 34-t të Premier Ligës midis Uest Hemit dhe Sandërlendit) është rezervuar një hapësirë ku do të shkruhet “Kosovo, the young europeans”.

Lajmi bëhet i ditur nga e përditshmja kosovare “Express”, sipas së cilës marrëveshja për reklamën me menaxherët e stadiumit “Upton Park” ka përfunduar. “Në reklamat e stadiumit të Uest Hemit, për pesë-gjashtë minuta do të shfaqet edhe logoja ‘Kosovo, the young europeans’”, konfirmoi Ekrem Tahiri, drejtor i kompanisë së marketingut “PR-Solutions”.

“Kemi punuar shumë rreth realizimit të kësaj ideje. Fillimisht kemi pasur vështirësi, sepse nuk ka pasur vend për reklamën tonë, por patëm fat që ishte liruar një vend, të cilin e shfrytëzuam”, shtoi ai më tej, duke theksuar se Federata e Futbollit në Angli – shtet i cili ka qenë ndër të parët që mbështeti Kosovën – nuk do ta pengojë realizimin e kësaj reklame.

“E gjithë kjo çështje nuk ka të bëjë me politikën dhe me federatën angleze. Ashtu si edhe shtetet e tjera, që promovojnë veten e tyre, të njëjtën gjë po e bëjmë edhe ne. ‘Upton Park’ si stadium e ka pranuar ofertën dhe kanë arritur marrëveshje me partnerin tonë ‘Saatchi & Saatchi’; reklama do të shfaqet pikërisht në ndeshjen me Sandërlendin”, pohoi Tahiri. Lorik Cana dhe Valon Behrami kanë pranuar të mbështesin idenë, duke veshur nga një fanellë me logon “Kosovo, the young europeans”.

Ndërkohë, Tahiri bëri të ditur se synohej që reklama e financuar nga qeveria e Kosovës të paraqitej edhe gjatë “El Clasicos” midis Realit dhe Barcelonës në “Bernabeu”, por për këtë ndeshje të gjitha hapësirat ishin të zëna.

Gjithashtu lexo

Tifozët shqiptarë nga Tetova pushtojnë rrugët e Milanos, çfarë po ndodh para ndeshjes? (VIDEO)

Grupimi i tifozëve të Shkëndijes, “Ballistët” që shquhen edhe si një nga tifozeritë më të …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *