Home / Sport / Inter-Juve, ja shifrat e derbit të Italisë

Inter-Juve, ja shifrat e derbit të Italisë

Sonte në orën 20:45 zikaltrit do të presin Juventusin, në sfidën hapëse të javës së 34-t të Serisë A. Më poshtë po japim disa shifra nga përballjet e mëparshme mes këtyre skuadrave.

Në 12 ndeshjet e fundit zyrtare në “San Siro”, Interi ka shënuar të paktën një gol (20 gjithsej). “Agjërimi” i fundit i zikaltërve në shtëpi përballë “Zonjës” daton në shkurt 1999. Për Hoze Mourinjon kjo është ndeshja e 100-të në krye të stolit të Interit. Në 99 ndeshjet e kaluara trajneri nga Setubali regjistron 71 në Serinë A, 8 në Kupën e Italisë, 18 në kupat e Europës dhe 2 në Superkupën e Italisë.

Bilanci i këtyre 99 ndeshjeve është: 59 fitore, 26 barazime dhe 14 humbje. Debutimi i portugezit në Itali daton më 24 gusht 2008: Inter 2 – 2 Roma pas kohëve shtesë (sukses i zikaltërve 6-5 pas penalltive), në finalen e Superkupës. Skuadra nga Milano nuk humbet një takim zyrtar në fushën e vet në Itali që prej 22 marsit 2008, kur u mposht 1-2 nga Juventusi. Prej atëherë, në 46 ndeshje për kampionat, Kupën e Italisë dhe Superkupë, zikaltrit kanë fituar 34 dhe kanë barazuar 12.

Interi nuk pëson gol në fushën e vet në kampionat prej 9 janarit, në ndeshjen e fituar me Sienën 4-3. Goli i Makarones në minutën e 65-të ishte i fundit në “San Siro”, prej atëherë: Inter 2 – 0 Milan, Inter 3 – 0 Kaljari, Inter 0 – 0 Sampdoria, Inter 0 – 0 Xhenova, Inter 3 – 0 Livorno, Inter 3 – 0 Bolonja). Gjithsej 565 minuta pa pësuar gol në shtëpi.

Diego Milito dhe Samuel Eto janë dyshja e sulmit më vendimtare në Serinë A gjatë këtij sezoni: Interi ka grumbulluar 33 pikë falë golave të tyre vendimtarë (18 kamerunasi, 15 argjentinasi). 16 herë është përballur më parë me Interin Alberto Zakeroni në ndeshjet zyrtare (skuadër të cilën italiani e ka drejtuar prej tetorit 2003 deri në qershor 2004). Trajneri aktual i Juventusit ka dalë 3 herë fitues, ka barazuar 6 herë dhe 7 të tjera kanë përfunduar me suksesin e zikaltërve. E fundit prej tre fitoreve është famëkeqja e 5 majit 2002, kur “Zak” drejtonte Lacion. Ajo ishte ndeshja e fundit në atë sezon, të cilën, nëse zikaltrit e fitonin, shpalleshin kampionë. Por humbja 4-2 në “Olimpiko” bëri që Interi të renditej në vendin e tretë, pas Juves që fitoi titullin falë fitores 2-0 me Udinezen, dhe Romës, që fitoi 1-0 në Torino.

Juventusi ka pësuar të paktën një gol në 15 ndeshjet e fundit zyrtare, (gjithsej 28 gola). E fundit ndeshje në transfertë të cilën “Zonja” e përfundoi me rrjeta të paprekura ishte më 3 nëntor të vitit të kaluar: fitorja 1-0 në fushën e Makabi Haifas në fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve. Bardhezinjtë deri tani janë i vetmi ekip i Serisë A që nuk kanë marrë asnjë barazim 0-0. I fundit barazim në këto shifra për torinezët në kampionat daton në 27 dhjetor 2008 në ndeshjen me Sampdorian në shtëpi. Prej atëherë kanë kaluar 66 ndeshje.

Gjithashtu lexo

City: 300 mln euro për Messi-n – (VIDEO)

Klubi anglez, Mançester Sity është i gatshëm të bëjë çmendurinë e radhës në tregun e …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *