Home / Sport / Interi përrallor zbret Barçën me këmbë në tokë: 3 – 1

Interi përrallor zbret Barçën me këmbë në tokë: 3 – 1

Gjysmëfinalja e parë e Ligës së Kampionëve me meritë u takon zikaltërve, të cilët mposhtën 3-1 Barcelonën në “San Siro”. Golit të Pedros i përgjigjen Shnajder, Maikon e Milito.

Inter përrallor. Nëse tifozët e ekipit nga Milano besonin se ndeshja më spektakolare ishte ajo e Londrës përballë Çelsit në 1/16-at, atëherë janë gabuar plotësisht. Sepse mbrëmja e së martës do të mbetet gjatë në memorjen e 80 mijë të pranishmëve në “San Siro”. Nuk është shaka, tabela në përfundim të 90 minutave nuk gënjen: Inter 3 – 1 Barcelona.

Nën atmosferën e ndezur të stadiumit (e kishin menduar për bukuri ultrasit zikaltër, të cilët gjatë 90 minutave nuk e kursyen vërshëllimën e zgjatur, sidomos kur topin e prekte Ibrahimoviçi), janë vendasit që shohin më tepër drejt portës së Valdesit në minutat e para. Milito nuk tregohet i saktë në dy raste të mira, megjithatë, sinjali është i qartë: sot “San Siro” do të ‘flasë’ zikaltër. Goli i Pedros në minutën e 19-të (gabim në vendosje i mbrojtjes së Interit) vetëm sa solli në mendje fantazmat e nëntorit të vitit të kaluar. Asgjë më tepër.

Hoze Mourinjo ka hedhur në fushë një ekip thuajse në kufijtë e perfeksionit: i qartë, pa gabime, që vrapon pa pushim, bën presing dhe i gatshëm të godasë pa mëshirë në çdo çast. Shpërblimi nuk vonoi. Minuta e 30-të dhe Shnajder rikthen barazpeshën me një gjuajtje nga brenda zonës, i gjendur vetëm pas gabimit në vendosje të Dani Alvesh. Fantazmat u zhdukën, Interi merr në dorë frenat e lojës.

20 minutat e fillimit të pjesës së dytë ndoshta janë më të paharruarat në epokën Mourinjo. Minuta e 48-të dhe Maikon shtyn topin në rrjetë për të dytën herë, pas një aksioni model (si ata që di t’i bëjë vetëm Barcelona). Rastet njëri pas tjetrit nuk mungojnë. Në të 61-tën Diego Milito më në fund (pas shumë rasteve të humbura) shënon me kokë golin e tretë për zikaltrit. Tashmë festa në “San Siro” është më se e ligjshme.

Barcelona u thye (keqazi), i vetmi element me të cilin mund të ngushëllohet skuadra e Pep Guardiolës është epërsia në mbajtjen e topit (70%-30%), por që në sfida aspak nuk vlen. Përfundon 3-1 dhe tashmë, më tepër se kurrë në 45 vite, Interi mund të shpresojë për finalen e madhe në “Bernabeut”. Por Barça mbetet Barçë dhe në 90 minutat e “Kamp Nou”-t gjithçka mund të ndodhë.

Inter 3 – 1 Barcelona (Shnajder 30’, Maikon 48’, Milito 61’ / Pedro 19’)

Inter (4-2-3-1): Julio Cesar; Maicon (62′ Chivu), Lucio, Samuel, J.Zanetti; Cambiasso, T.Motta; Eto’o, Sneijder, Pandev (56′ Stankovic); D.Milito (75′ Balotelli). (Orlandoni, Cordoba, Materazzi, Muntari). Trajner: Mourinho

Barcellona (4-3-3): Valdes; Dani Alves, Pique, Puyol, Maxëell; Xavi, Busquets, Keita; Pedro, Ibrahimovic (62′ Abidal), Messi. (Pinto, G.Milito, Jeffren, Y.Touré, Bojan, Henry). Trajner: Guardiola

Gjyqtar: Benquerença (Portugali)

Kartonë të verdhë: Eto’o (I), Busquets (B), Puyol (B), Pique (B), Keita (B), Stankovic (I), Dani Alves (B)

Gjithashtu lexo

Ylli i Shkëndijës: Nuk kemi çfarë të humbasim ndaj Milanit

Ardian Cuculi ka thënë se Shkëndija do të tentojë të bëjë lojën e saj dhe …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *