Home / Lajme / Maqedoni / Ivanov-Topi: Eurointegrimi dhe bashkëpunimi ekonomik, prioritete të Maqedonisë dhe të Shqipërisë

Ivanov-Topi: Eurointegrimi dhe bashkëpunimi ekonomik, prioritete të Maqedonisë dhe të Shqipërisë

14 prill-
Presidenti shqiptar, Topi theksoi se të gjithë duhet ta gëzojnë të drejtën e lëvizjes së lirë dhe se qytetarët shqiptarë së shpejti do të fitojnë regjim pa viza.

Urim Hasipi
Shkup
Për Maqedoninë dhe Shqipërinë integrimi në strukturat euroatlantike është alternativë e pazëvendësueshme për prosperitetin e mëtutjeshlm dhe stabilitetin e rajonit. Dy vendet kanë nivel të kënaqshëm të marrëdhënieve bilaterale të cilat i ndërtojnë nëpërmjet dialogut të hapur për të gjitha çështjet e interesit të ndërsjelltë, ndërsa fokusi në të ardhmen duhet të vihet në përmirësimin e bashkëpunimit ekonomik, vlerësuan presidentët e Maqedonisë dhe Shqipërisë, Gjorge Ivanov dhe Bamir Topi, pas takimit të sotëm në Shkup.

Presidenti Ivanov theksoi se Maqedoninë dhe Shqipërinë i lidhin shumë gjëra, mes të cilave historia e përbashkët, gjeografia, si dhe sfidat e përbashkëta në pjesën e reformave dhe transformimeve shoqërore.

“Segment i rëndësishëm në marrëdhëniet tona duhet të jetë bashkëpunimi ekonomik për të cilin vlerësoj se aspak nuk korrespondon me nivelin e marrëdhënieve politike, me mundësitë e të dy ekonomive dhe me faktin që jemi fqinj”, theksoi Ivanov.

Ai shprehi pritje se në periudhën e ardhshme do të vazhdojë mbështetja e ndërsjelltë në planin e BE-së dhe NATO-integrimeve, sepse, siç shtoi, integrimi i të gjitha vendeve të rajonit do ta përforcojë stabilitetin e tij.

Duke folur për përfitimet nga liberalizimi i vizave, të cilat qytetarët e Maqedonisë tashmë po i ndjejnë, Ivanov shfaqi shpresë se së hpejti do të jenë të qasshme edhe për qytetarët e Shqipërisë, me çka do të mundësojë përparimin e saj si shtet demokratik, i lirë dhe i hapur.

Presidenti shqiptar, Topi theksoi se të gjithë duhet ta gëzojnë të drejtën e lëvizjes së lirë dhe se qytetarët shqiptarë së shpejti do të fitojnë regjim pa viza.

Ai e përshëndeti zbatimin e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, e cila kontribuon për zhvillim stabil të marrëdhënieve demokratike dhe për barazi të të gjithë qytetarëve të Republikës së Maqedonisë. Topi u bëri thirrje të gjithë faktorëve politik që të bashkangjiten drejt zbatimit të Marrëveshjes së verifikuar nga komuniteti ndërkombëtar.

Dy presidentët, në takim biseduan për disa çështje nga sfera e ekonomisë, për ndërtimin e Korridorit 8, hekurudhën dhe mbrojtjen e eko-zonës Ohër – Prespë.

Gjatë vizitës dyditëshe, presidenti shqiptar Bamir Topi do të takohet edhe me kryetarin e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, Trajko Veljanovski dhe me kryeministrin Nikolla Gruevski.

Topi do të ketë fjalim edhe para deputetëve në Kuvendin e Maqedonisë.

Shefat e dy shteteve, Ivanov dhe Topi, do të kenë fjalime përshëndetëse edhe në forumin e biznesit maqedono-shqiptar që do të mbahet nesër në Shkup, me qëllim që të intensifikohen marrëdhëniet ekonomike ndërmjet Maqedonisë dhe Shqipërisë.

Në axhendën e presidentit shqiptar janë edhe takimet me liderët e BDI-së, PDSH-së dhe DR-së, ALi Ahmeti, Menduh Thaçi dhe Ymer Selmani, si dhe me kryetarin e LSDM-së, Branko Cërvenkovski.

Delegacioni, i kryesuar nga presidenti Topi, do t’i vizitojë edhe komunat Tetovë dhe Dibër, ku pritet të shpallet qytetar nderi.

Gjithashtu lexo

Lumi në Poroj të Tetovës ende mbetet pezull, banorët bllokojnë rrugën Tetovë-Jazhincë

Banorët e fshatit Poroj, sot (18 gusht), prej ora 14:00 e kanë bllokuar rrugën rajonale …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *