Home / Lajme / Maqedoni / Nuk ka alternativë tjetër, pos kompromisit me Greqinë

Nuk ka alternativë tjetër, pos kompromisit me Greqinë

13 prill-
Sipas Buçkovskit, Qeverisë aktuale i mungon vizioni i qartë i veprimit, kurse krejt kjo si rezultat i paaftësisë së kryeministrit Nikola Gruevski dhe bashkëpunëtorëve të tij më të ngushtë, të cilët nuk kanë aspak gatishmëri që kontestin lidhur me emrin ta mbyllin një herë e përgjithmonë. Sipas tij, zvarritja e mëtejme e këtij problemi nuk do të prodhojë probleme ndëretnike në Maqedoni, por para se gjithash do të mund të rezultojë me probleme ndëretnike ndërmjet subjekteve politike maqedonase, apo edhe ndërmjet atyre shqiptare

Edhe shoqëria civile është e brengosur për moszgjidhjen e kontestit rreth emrit kushtetues disavjeçar midis Maqedonisë dhe Greqisë.
Në një tryezë të organizuar nga organizata joqeveritare Qendra për Mirëkuptim dhe Bashkëpunim Institucional (QMBI), që për temë trajtimi kishte këtë kontest disavjeçar, është potencuar se proceset proceset euro-integruese të Maqedonisë po ngecin shkaku i këtij kontestit.

Në këtë tryezë është folur edhe për perspektivat e zgjidhjes së çështjes së emrit dhe për gjasat që një gjë e tillë të ndodhë gjatë presidencës spanjolle me BE-në, dhe si mund të reflektojë në shoqëri zvarritja e këtij kontesti edhe pas 1 korrikut.

Ndërkohë është potencuar edhe roli dhe kontributi i faktorit politik shqiptar në zgjidhjen e çështjes së emrit.

“Rëndësia e veçantë dhe aktualiteti i kësaj çështje, ishin edhe arsyeja kryesore që ne si organizatë e sapo themeluar joqeveritare të fillojmë rrugëtimin tonë në detin e thellë të shoqërisë civile përmes një organizimi të tillë, me dëshirën më të madhe për të kontribuar sado pak në aspektin pozitiv në debatin e gjerë që po zhvillohet rreth saj në forma, instanca dhe nivele të ndryshme, në vend dhe në arenën ndërkombëtare, gjithnjë në drejtim të gjetjes përfundimtare të një zgjidhje korrekte dhe të pranueshme për të gjitha palët”, tha Rufat Sherifi, kryetarit të QMBI-së.

Panelistët e kësaj tryeze ishin Abdylaqim Ademi, zëvendës kryeministër në Qeverinë e Republikës së Maqedonisë, Vlado Buçkovski, deputet i LSDM-së në Parlament dhe profesori universitar Dimitar Mirçev.

Sipas Ademi, Maqedonia duhet të vazhdojë me çdo kusht bisedimet që po zhvillohen lidhur me çështjen e emrit me fqinjin jugor, Greqinë, nën mbikëqyrjen e Kombeve të Bashkuara, sepse alternativë tjetër pos gjetjes së një kompromisi të pranueshëm për të gjithë nuk ka.

Ademi po ashtu vuri në dukje se zgjidhja e këtij kontesti është prioritet për të gjithë qytetarët e Maqedonisë, përfshirë këtu gjithsesi edhe shqiptarët si bashkësia e dytë më e madhe etnike në vend. Si argument për këtë ai vlerësoi edhe tryezën në fjalë që organizoi një organizatë joqeveritare shqiptare, gjegjësisht QMBI.

Sipas Buçkovskit, Qeverisë aktuale i mungon vizioni i qartë i veprimit, kurse krejt kjo si rezultat i paaftësisë së kryeministrit Nikola Gruevski dhe bashkëpunëtorëve të tij më të ngushtë, të cilët nuk kanë aspak gatishmëri që kontestin lidhur me emrin ta mbyllin një herë e përgjithmonë. Sipas tij, zvarritja e mëtejme e këtij problemi nuk do të prodhojë probleme ndëretnike në Maqedoni, por para se gjithash do të mund të rezultojë me probleme ndëretnike ndërmjet subjekteve politike maqedonase, apo edhe ndërmjet atyre shqiptare.

Sipas profesorit Mirçev, Maqedonia është e përcaktuar fuqishëm për zgjidhjen e kontestit, por është pala greke ajo e cila më kokëfortësi i përmbahet asaj që ajo e quan “vijë e kuqe” për interesat e vet shtetërorë.

Sipas tij, pasojat më të rrezikshme për vendin mund të vijnë jo nga vonesa e zgjidhjes së çështjes së emrit, por para se gjithash nga imponimi i një zgjidhjeje të keqe dhe të papranueshme për palën maqedonase. Qëndrimin e opozitës maqedonase kundrejt aktualitetit të emrit ai e quajti më tepër si marketing politik.

Në pjesën e dytë debative të kësaj tryeze të rrumbullakët, me opinionet dhe qasjet e tyre u paraqitën edhe një numër i konsiderueshëm i pjesëmarrësve të pranishëm, në mesin e të cilëve edhe deputetët Tahir Hani (BDI) dhe Abedin Zymberi (DR), profesorët universitarë Nazmi Maliqi dhe Ylber Sela, si dhe Llazar Elenovski, kryetar i Këshillit Euro-Atlantik në Maqedoni. Konstatim i përgjithshëm i të gjitha këtyre diskutimeve ishte se Maqedonia nuk ka alternativë tjetër pos vazhdimit të rrugëtimit euro-atlantik përmes gjetjes së kompromisit me Greqinë lidhur me çështjen e emrit.

Në këtë drejtim, Qeveria duhet të manifestojë më fuqishëm guximin e marrjes së përgjegjësisë që i takon, ndërsa opozita duhet të jetë më pragmatike përmes propozimeve konkrete për dalje nga ky labirint.

Po ashtu, u vlerësua se edhe kontributi faktorit politik shqiptar, veçanërisht atij në pozitë, duhet të jetë shumë më i madh dhe më pozitiv.

Gjithashtu lexo

Armata e Maqedonisë shënon 25 vjetorin e formimit të saj

Armata e Republikës së Maqedonisë sot shënon 25 vjet nga formimi i saj. Solemniteti qendror është …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *