Home / Sport / Roma, kronikë e një parakalimi të paparalajmëruar

Roma, kronikë e një parakalimi të paparalajmëruar

Nga fitorja me Bolonjën, deri te sfida e së dielës me Atalantën, duke kaluar përmes suksesit në derbi dhe triumfit në Torino. Një histori e pabesueshme prej 23 ndeshjesh rresht pa humbje.

Seria A. Java e 33-të. Nëse 23 javë më parë dikush do të guxonte të thoshte se Roma do të kryesonte kampionatin italian, sigurisht që do të quhej i krisur nga shumë të tjerë. As tifozi më fanatik nuk e ka çuar në mendje një ecuri të tillë. Por shifrat janë kokëforta: Roma 68 pikë, Interi 67. Armata e Klaudio Ranierit ka rikthyer me këmbë në tokë Interin e Hoze Mourinjos, duke rikuperuar jo pak, por plot 15 pikë disavantazh.

Në fakt ishte 14 pikë distanca maksimale e pikëve mes dy ekipeve. Java e 10-të: Roma pëson në Udine humbjen e pestë. Ka 11 pikë, kurse Interi 25. Skuadra e Ranierit është me moralin përtokë. Katër ditë më pas luan me Bolonjën në transfertë. Gjendet në disavantazh pas golit të Adailton, por reagimi është i menjëhershëm. Shënon Vuçiniç, goli i tij i parë sezonal. Po ç’bëjnë tifozët? E vërshëllejnë. Po pse? Ku dihet…

Atë ditë në dhomat e zhveshjes duhet të ketë ndodhur diçka. Ranieri ka shqiptuar fjalën magjike, ose lojtarët janë prekur në sedër për të treguar gjithë krenarinë e tyre. Në minutën e shtatë të pjesës së dytë shënon Perrota. Roma fiton dhe nis rrugëtimin e suksesit prej 23 ndeshjesh rresht, 17 fitore dhe 6 barazime.

Një javë më pas Inter-Roma, 1-1. Verdhekuqtë rezistojnë edhe në “San Siro”. Më pas mundin Barin e Atalantën, duke pritur derbin me Lacion me moralin në kulm. Edhe sepse një ditë më parë Interi ishte mundur nga Juventusi. Shënon Kaseti dhe Roma shkurton distancën nga zikaltrit. Javën tjetër kryeqytetasit barazojnë me Sampdorian (kurse Interi merr një 0-0 në “Bergamo” përballë Atalantës) dhe më pas fitojnë me Parmën. Barazimi në Kaljari (ndeshja ku u dëmtua kapiteni Toti) e ndali disi vrullin romanist, por edhe Interi ndalet 2-2 nga Bari.

Toti me shokë më pas gjejnë suksesin me Kievon dhe Xhenovan. Më 23 janar luhet Juve-Roma, një tjetër ndalesë kyçe në ecurinë e këtij kampionati. Vendasit kalojnë menjëherë në epërsi me golin e Del Pieros. Pastaj barazon Toti (i futur në vendin e Luka Tonit të dëmtuar) dhe në minutën e tretë të shtesës Rise vulos fitoren e Romës. Një fitore e tillë mund t’i ndryshojë gjërat. Tashmë skuadra e Klaudio Ranierit është e treta, pas krahëve të Interit dhe Milanit. Megjithëse distanca e pikëve është ende e madhe, 11.

Por verdhekuqtë vazhdojnë të fitojnë (Siena, Fiorentina, Palermo, Katania), ndërkohë që Interi barazon në Napoli, në Parma dhe në shtëpi me Sampdorian. Tashmë Roma ka arritur në -5, por që bëhen -7 pas barazimit 2-2 me Napolin. Pastaj vijnë dy barazime rresht: 0-0 në shtëpi me Milanin (zikaltrit marrin një pikë me Xhenovan) e më pas barazimi i vështirë për t’u kapërdirë 3-3 me Livornon në transfertë (megjithatë, Interi pësoi humbje në Katania). Në javën e 29-të skuadra e Mourinjos ndalet 1-1 në Palermo, ndërkohë që Roma mposht 4-2 Udinezen. Vuçiniç shënon tre gola, skuadra është në formë të jashtëzakonshme. Para sfidës me Bolonjën, ekipi bën një pakt: nëse synon të jetë para Interit (të cilin e pret një javë më pas), duhet mundur në fillim Bolonja. O sot o kurrë! Rezultati: 2-0, shënojnë Rise dhe Baptista.

Roma-Inter luhet më 27 mars, me një distancë prej katër pikësh. Luka Toni (i rilindur pas dëmtimit) është më i miri në fushë, duke shënuar golin e fitores për skuadrën e tij. Fitore që e çon distancën me zikaltrit në -1 pikë. Më pas Roma fiton me lehtësi në Bari, kurse Interi me Bolonjën.

Ja ku vjen java e 33-të, kaq shumë e pritur në kryeqytet. Interi barazon 2-2 në Firence, pas një jave plot thashetheme mbi një lëshim të mundshëm të skuadrës Vjollcë, në shkëmbim të favorit në gjysmëfinalen e Kupës së Italisë. Të dielën verdhekuqtë bëjnë detyrën, duke mposhtur Atalantën 2-1 me gola të Vuçiniç e Kasetit. Nga vendi i dytë, te i pari; nga -1, në +1. Një shenjë e vogël që ndryshon gjithçka. Tani jemi në pritje të sfidave derbi: ai i kryeqytetit mes Lacios dhe Romës dhe tjetri mes Interit dhe Juventusit…

Gjithashtu lexo

Shikoni çfarë ka bërë Barcelona pas sulmit terrorist (FOTO)

Klubi i Barcelonës ka reaguar pas sulmit terrorist në Barcelonë. Katalunasit e kanë bërë një …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *