Home / Sport / SHKËNDIJA MORI TRE PIKË PËRBALLË LOKOMOTIVËS-FITORE E VËSHTIRË, QË PËRFORCON VENDIN E PARË

SHKËNDIJA MORI TRE PIKË PËRBALLË LOKOMOTIVËS-FITORE E VËSHTIRË, QË PËRFORCON VENDIN E PARË

Shkëndija e Tetovës të shtunën shënoi fitore 2:1 në fushë të Lokomotivës, duke vazhduar hapërimin e sigurtë drejt Ligës së Parë. Tre pikët nga ky duel edhe pse ishin llogaritur që më parë, megjithatë u arkëtuan më vështirë se sa është pritur, pasi goli i fitores erdhi në minutat shtesë të takimit. Në fazën e fundit të ndeshjes Shkëndija vuajti shumë, por kështu suksesi është më i ëmbël, ndërsa fiton edhe më shumë në vlerë nëse i’a shtojmë edhe barazimin pa gola të Skopjes me Bregallnicën.

Shkup, 17 Prill – Në teren katastrofal për lojë, në disa pjesë madje i mbuluar me ujë, Shkëndija që në start aplikoi lojën e saj, duke dominuar tërësisht në fushë. Vendasit në fillimin nuk mundin të dalin nga pjesa e tyre, ndërsa Shkëndija kërkonte sa më shpejtë të shënojë, por gjithnjë haste në vështirësi të ndërtimit të aksioneve, për shkak të terenit të papërshtatshëm. Megjithatë pas disa rasteve të humbura, miqtë kaluan në epërsi në minutën e 12-të me anë të Ersen Sali-t, i cili u tregua më i gjindshëm në zonën e Lokomotivës. Goli i avantazhit motivoi edhe më tepër “kuq e zinjtë”, që në këtë ndeshje luanin me fanela të bardha, pasi të kuqe i kishin vendasit, duke arritur edhe në vazhdim të krijojnë raste të mira për të shënuar, mirëpo pa mundur të sjellin golin e dytë. Emërllahu, Sali, Emini dhe Hasani kishin raste për të shënuar, por pa sukses. Pjesa e parë u mbyll me epërsi minimale të Shkëndijës, ndërsa në 45 minutat e dyta, përsëri lideri i renditjes së Ligës së Dytë ishte skuadra që dominonte lojën dhe krijonte raste për të shënuar. Në këtë fazë të ndeshjes Izair Emini zotëronte mesin e fushës, duke i dhënë lojës së Shkëndijës kreativitet, por sulmi ishte larg formës më të mirë. Portieri vendas Nikolla Ergiq në këtë periudhë regjistroi disa mbrojtje të suksesshme duke shpëtuar gola të sigurtë. Pesë mundësi të mira pati ekipi mysafir për të dyfishuar rezultatin, prej të cilave dallojmë goditjen e Hasanit, pas aksionit të mirë të Shkëndijës, mirëpo Ergiq me reflesk fantastik shpëtoi portën e tij. Dhe si thotë rregulla e pashkruar e futbollit, nëse nuk shënon atëherë do të pësosh, kjo gjë e gjeti edhe ekipin tetovar. Pas një kundërsulmi të Lokomotivës dhe harkimit në zonë, Mensur Idrizi nuk arriti të largojë topin që u pranua nga futbollisti numër 18-të Goce Markovski, i cili me goditje të fortë gjeti këndin e lartë të portës së Shkëndijës, duke barazuar rezultatin në 1:1. Vlen të cekim se portieri i Shkëndijës, Suad Zendeli, për herë të parë në pranverë u mposht nga loja, pasi deri tani golin e vetëm e kishte pranuar nga penaltia, në duelin me Skopjen. Barazimi i rezultatit solli nervozë në lojën e Shkëndijës që assesi nuk arrinte të rigjente avantazhin, ndërsa vendasit në maksimum shfrytëzonin lojën kaotike të kundërshtarit, duke u bërë ekipi më i rrezikshëm në fushë, madje duke krijuar disa raste për të shënuar. Në këtë pjesë të lojës vlen të ceket zevendësimi i trajnerit Qatip Osmani, që largoi nga loja Ilir Elmazovskin ( nuk mundej të luajë më shumë, pasi që edhe para takimit paraqitja e tij ishte e dyshimtë për shkak të lëndimit), duke e inkuadruar Jasir Selmanin, që solli freski të madhe në rradhët e Shkëndijës. Minutat e fundit luhej para portës së Lokomotivës, ndërsa këta në kundërsulme kërkonin të befasojnë. Këtu në disa raste edhe arbitri kryesor Dalibor Gjorgjievski , me gabimet e tij shkaktonte nervozë në taborin e “kuq e zinjëve”, mirëpo në fund ai gjithçka përmirësoi, kur me të drejtë tregoi në pikën e bardhë. Zhvilloheshin çastet e fundit të kohës shtesë (5 minuta), kur pas një tollovie në zonë, Idrizi u tregua insistues, ndërsa një mbrojtës vendas e ndali atë me start të ashpër, që arbitri kryesor Gjorgjevski pa hamendje e karakterizoi me penalti, për të cilën edhe vendasit ishin të vetëdijshëm dhe aspak nuk protestuan. Përgjegjësinë për të gjuajtur nga pika e bardhë e mori i riu Ferhan Hasani dhe këtë e bëri me qetësi të madhe duke dërguar topin në rrjetën e Lokomotivës, që solli gëzim të madh në taborin e Shkëndijës dhe numrit të konsideruseshëm të tifozëve që nga Tetova kishin udhëtuar drejt Shkupit, për të qenë afër skuadrës së tyre të zemrës. Menjëherë pas goli të Hasanit u tregua edhe fundi i ndeshjes që Shkëndijës i solli tre pikë të mëdha, në luftën për titullin e kampionit në Ligën e Dytë. Pas përfundimit të takimit dhe lajmit për barazimin pa gola në takimin Skopje-Bregallnica, në zhveshtoren e Shkëndijës ishte festë e vërtetë, pasi të gjithë e kishin të qartë se ky ishte një hap shumë i rëndësishëm dhe ndoshta edhe vendimtar drejt realizimit të ambicieve për rrikthimin e klubit në Ligën e Parë, atje ku sipas shumë njohësve të mirë të futbollit, Shkëndija e ka vendin.

Gjithashtu lexo

City: 300 mln euro për Messi-n – (VIDEO)

Klubi anglez, Mançester Sity është i gatshëm të bëjë çmendurinë e radhës në tregun e …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *