Home / Sport / Shkëndija mysafire e Skopjes

Shkëndija mysafire e Skopjes

Lideri i tabelës së Ligës së Dytë, Shkëndija është mysafir i skuadrës së dytë në renditje Skopje në takimin më interesant të javës së 19-të. Tetovarët paralajmërojnë fitore me të cilën do të bënin hapin vendimtarë drejt Ligës së Parë, ndërsa Skopje shpreson të vazhdojë me efektin pozitiv në pranverë.

Stadiumi në “Autokomandë” të Shkupit pritet të jetë epiqendra e vëmendjes në kuadër të ndeshjeve të javës së 19-të në kategorinë e dytë të futbollit maqedonas. Kjo nga fakti se ekipi i fortë i Skopjes që ka aspirata për tu inkuadruar në Ligën e Parë dhe që për momentin mban vendin e dytë në renditje, në fushë të vet do të jetë mikpritës i ekipit më të mirë në këtë kategori dhe liderin e tabelës Shkëndijën e Tetovës. Nga tabori i vendasëve vijnë zëra se dëshirojnë të vazhdojnë serinë pozitive në pranverë, kur nga 5 ndeshje të zhvilluara kanë shënuar 4 fitore dhe vetëm një barazim edhe atë javën e shkuar në fushë të Miravcit. Në anën tjetër edhe Shkëndija ka bilans të njëjtë të rezultateve në pranverë, që don të thotë se asnjëra prej këtyre dy ekipeve nuk ka shijuar disfatën në fazën e dytë të kampionatit, ndërsa për më shumë “kuq e zinjtë” në pesë takime nuk kanë pranuar asnjë gol. Tani është koha që Shkëndija të vërtetojë “fuqinë” e vet, dhe në qoftë se arrin të marrë fitoren në këtë fushë, atëherë thuajse rruga për Ligën e Parë do të jetë e hapur.
“ Do të jetë takim i vështirë, pasi Skopje është kundërshtarë i fortë. Ne respektojmë maksimalisht ekipin vendas, mirëpo aspiratat tona janë të tilla që në cdo takim të kërkojmë fitoren. Mendoj se kemi kualitet dhe forca që të fitojmë këtë ndeshje dhe më të qetë të presim vazhdimin e kampionatit. Objektivisht jemi më kualitativ se Skopje dhe pres këtë ta dëshmojmë në terren”,-tha mesfushori i Shkëndijës Izair Emini, i cili javën e kaluar kundër Bregallnicës shënoi golin e tretë në mënyrë spektakulare.
Në ndeshjen e parë ndërmjet këtyre dy skuadrave, në vjeshtë Shkëndija mundi Skopjen 4:0, dhe asokohe regjistroi fitoren e 6-të nga po aq ndeshje në kampionat. Tani kërkohet fitorja e 15-të në 19-të ndeshje të Ligës së Dytë, por sipas shumë llogaritjesh, këta tre pikë do të kenë vlerë jashtëzakonisht të madhe. Në taborin e Shkëndijës në dyshim për të luajtur në këtë përballje është mbrojtësi i djathtë Ilir Elmazovski, i cili në stërvitjen e të mërkurës pësoi një dëmtim. Elmazovski do të jetë në pankinë, mirëpo gjasat për të luajtur janë minimale. Përvec tij nuk ka futbollistë të lënduar apo ndëshkuar, kështu që “kuq e zinjtë” me formacion më të fortë do të përballen me Skopjen.
Takimi Skopje-Shkëndija zhvillohet të shtunën në orën 16:00 në stadiumin e lagjes “Autokomandë” të Shkupit, ndërsa drejtësinë do ta ndajë arbitri Zoran Boshkov me ndihmësit e tij Stefanov dhe Nedev.

Në ndeshjet tjera Bregallnica pret Cementarnicën. Skuadra nga Shtipi humbi pozitën e dytë pas disfatës nga Shkëndija, mirëpo tani ata do të shpresojnë që pikërisht Shkëndija t’u ndihmojë për tu rrikthyer në vendin e dytë, duke e mundur Skopjen. Skuadra e vendit të 4 në renditje, Napredoku nuk pritet të ketë problem në fushë të vet me Ohrin. Në gabim të ekipit kërcovar shpreson Drita e Bogovinës, të cilët këtë javë do të jenë mysafirë të Novacit. Në ekipin e Dritës atmosfera është në nivel dhe shpresojnë të vazhdojnë ecurinë e rezultateve pozitive, për të ruajtur hapin me skuadrat e kreut të tabelës.
“Atmosfera në ekip është pozitive dhe shpresojmë që të vazhdojmë me paraqitjet e mira. Pa marrë parasysh kundërshtarit dhe vendit ku luajmë, ne cdo herë kërkojmë fitore dhe kështu do të jetë edhe kundër Novacit. Ne do të japim maksimumin dhe në fund do të shohim se a do të jetë kjo për të nxjerë rezultat pozitiv kundër Novacit”,- u shpreh sulmuesi i Dritës, Driton Zeadini.
Vëllazërimi i Kërcovës këtë javë është mysafir i Lokomotivës.

Dyshet e javës së 19-të:
Skopje-Shkëndija,
Bregallnica-Cementarnica,
Napredoku-Ohri,
Novaci-Drita,
Lokomotiva-Vëllazërimi,
11 Oktomvri-Bellasica.

Gjithashtu lexo

Tifozët shqiptarë nga Tetova pushtojnë rrugët e Milanos, çfarë po ndodh para ndeshjes? (VIDEO)

Grupimi i tifozëve të Shkëndijes, “Ballistët” që shquhen edhe si një nga tifozeritë më të …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *