Home / Sport / SHKËNDIJA VAZHDON ME HAPA TË SIGURTË

SHKËNDIJA VAZHDON ME HAPA TË SIGURTË

Të shtunën u zhvilluan ndeshjet e javës së 21 në Ligën e Dytë të Maqedonisë në futboll, në të cilat lideri i tabelës Shkëndija fitoi 2:1 si mysafir i Lokomotivës, duke zmadhuar epërsinë në 6-të, gjegjësisht 7-të pikë , para skuadrës së vendit të dytë dhe të tretit, pasi Skopje dhe Bregallnica në përballjen mes veti luajtën baraz pa gola.

“Kuq e zinjtë” tetovarë kanë bërë një tjetër hap shumë të madh drejt sigurimit të kualifikimit në Ligën e Parë, pasi me tre pikët e marra nga dueli me Lokomotivën kanë vlerë jashtëzakonisht të madhe. Në teren shumë të vështirë për lojë Shkëndija që në fillim dominoi ndeshjen duke arritur të kalojë herët në epërsi me golin e Ersen Sali-t, ndërsa edhe në vazhdim kishin dominim në fushën e lojës, por që nuk arritën ta kurorëzojnë me një tjetër gol. Edhe në pjesën e dytë Shkëndija dominonte, mirëpo pas disa rasteve të pashfrytëzuara, vendasit barazuan me anë të Markovskit. Megjithatë në minutat shtesë Hasani ishte i saktë nga penaltia, për tre pikë të reja të Shkëndijës, me të cilat tani ata arrijnë në kuotën e 51 pikëve. Ndërkohë në “Autokomandë” në një ndeshje shumë interesante Skopje dhe Bregallnica luajtën pa gola, rezultat ky që nuk i konvenonte asnjërës skuadër, pos Shkëndijës, që ndjehet më e relaksuar në vendin e parë. Të dyja ekipet kërkuan të marrin fitoren dhe kishin raste për një gjë të tillë, mirëpo pa mundur të prekin rrjetat kundërshtare. Kështu edhe pas javës së 21-të, Skopje mbetet e dyta në renditje me 46 pikë, ndërsa Bregallnica është e treta me një pikë më pak. Napredoku i Kërçovës këtë javë fitoi 2-1 Miravcin, duke ruajtur pozitën e katërt, por njëkohësisht duke i’u ofruar vendit të tretë në vetëm dy pikë, pasi tani kanë grumbulluar 42 pikë. Drita humbi 3:1 në Strumicë nga Bellasica dhe tani ngec 7-të pikë nga pozita e katërt që siguron balotazh për Ligën e Parë. Vllazërimi i Kërcovës në Prilep humbi 1-0 nga 11 Oktomvri, ndërsa Vllaznimi i Strugës nuk arriti të marrë tre pikët në fushë të vet përballë ekipit të dobët të Cementarnicës. Takimi ndërmjet Novacit dhe Ohrit nuk u zhvillua.

Rezultatet e javës së 21:
Skopje-Bregallnica 0-0,
Lokomotiva-Shkëndija 1-2,
Bellasica-Drita 3-1,
Napredoku-Miravci 2-1,
11 Oktomvri-Vllazërimi 1-0,
Vllaznimi Trim Lum-Cementarnica 1-1,
Novaci-Ohri – nuk u zhvillua.

Gjithashtu lexo

Shikoni çfarë ka bërë Barcelona pas sulmit terrorist (FOTO)

Klubi i Barcelonës ka reaguar pas sulmit terrorist në Barcelonë. Katalunasit e kanë bërë një …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *