Home / Sport / Speciale / 10 transfertat më të dështuara në Premier Ligë

Speciale / 10 transfertat më të dështuara në Premier Ligë

Merkatoja e verës së kaluar ishte më e shtrenjta për shumë klube të kampionatit anglez, të cilat nuk u kursyen aspak në transferimet e lojtarëve.

Por koha tregoi se disa prej këtyre investimeve jo vetëm që nuk përmbushën pritshmëritë, por rezultuan një klatastrofë e vërtetë (tekniko-taktike për trajnerët dhe financiare për pronarët e klubeve).

Po cilët janë 10 transferimet më të dështuara në Premier Ligë gjatë këtij sezoni? Le t’i hedhim një sy listës…

10. Gabriel Obertan (Mançester Junajtid)
I konsideruar nga tifozët e “Djajve të kuq” si një nga telentet më të mëdhenj francezë që kanë zbarkuar në “Old Traford”, Obertan regjistron deri tani vetëm gjashtë ndeshje me fanellën e kuqe. Për të u paguan 3 milionë stërlina, por ai ende nuk është dukur.

9. Stjuart Dauning (Aston Vila)
Ai shihej si një nga mesfushorët e majtë më të mirë të Anglisë, por sot, në moshën 25-vjeçare, Dauning ende nuk ka lënë shenjë në “Vila Park”. Aston Vila derdhi në arkat e Midëllsbrout plot 12 milionë stërlina për të bërë të vetin mesfushorin anglez. Por vendin e tij në mesfushë e kanë zënë Xhejms Milner dhe Eshli Jang.

8. Nikola Kaliniç (Blekbërn)
Për një sulmues që luan shumë për ekipin ndoshta është e tepërt të kërkosh shumë gola. Por vetëm dy gola të shënuar nga kroati gjatë gjithë sezonit, janë shumë pak për të justifikuar 6 milionë stërlinat e paguara nga Blekbërni për ta pasur.

7. Kamel Gilas (Hull Siti)
Keni dëgjuar për Kamel Gilas? Jo? As shumë prej tifozëve nuk kanë dëgjuar, por Hull Siti shpenzoi 2 milionë stërlina në merkaton e verës për të marrë algjerianin. Me një mesatare prej një goli në 16 ndeshje, ai nuk po e ndihmon aspak skuadrën që lufton për të mbijetuar mes më të mirëve të futbollit anglez.

6. Sotirios Kiriakos (Liverpul)
Kiriakos është i pari grek që luan për Liverpulin, i cili pagoi 2 milionë stërlina në gusht. Por klubi nga “Anfield” tashmë pendohet sa herë që sheh mbrojtësit të shtrihet më kot, duke humbur të gjitha dyluftimet me kundërshtarët (përveç rasteve kur i dëmton).

5. Xhejzon Skotland (Uigan)
Trajneri i Uiganit, Roberto Martinez, duhet të ketë gabuar shënjestër, kur vendosi të harxhojë 2 milionë stërlina për të marrë nga Svansea e kategorisë së dytë Xhejzon Skotlandin në korrik. Tifozët e skuadrës duhet të prisnin plot dhjetë muaj që futbollisti nga Trinidiad & Tobago të shënonte golin e tij të parë. Ia vlen për 2 milionë stërlina? Vështirë.

4. Patrik Vieira (Mançester Siti)
Sigurisht që blerja e parë e Roberto Mançinit në klubin e sheikëve arabë nuk ka rezultuar aq e suksesshme. Ish-kapiteni i kombëtares franceze është dukur i lodhur dhe ndonjëherë i painteresuar në ndeshjet e pakta që ka luajtur.

3. Mido (Uest Hem)
Nëse ndonjëherë keni pyetur veten pse Mido kur luan duket sikur nuk do t’ia dijë fare, përgjigja është se ai vjen nga një familje shumë e pasur dhe nuk është shumë i interesuar se nga do t’i vijë kontrata e radhës. Në fakt, aktualisht ai luan te uest Hemi për 1000 stërlina në javë, duke qenë lojtari më pak i paguar në Premier Ligë. Egjiptiani e pranoi marrëveshjen me klubin anglez sepse donte të provonte veten sërish në Premier Ligë, por ka rezultuar një katastrofë. Penalltia e humbur së fundi me Evertonin i vë vulën të gjithave.

2. Roke Santa Kruz (Mançester Siti)
Normalisht, sot cilësia paguhet shtrenjtë. Por me 17.5 milionë stërlina të paktën pret më tepër se katër gola në 19 ndeshje. Ndërkohë që te Siti golat po i shënon Karlos Tevez, Santa Kruz është shumë larg formës që kaloi te Blekbërni, ku shënoi 29 gola në 69 ndeshje. Blerje shumë e shtrenjtë, nuk ia vlen.

1. Alberto Akuilani (Liverpul)
Me synimin për të zëvendësuar Ksabi Alonson në mesfushë, Liverpuli i pagoi Romës as më pak e as më shumë por plot 30 milionë euro në merkaton e verës që shkoi. Por një dëmtim në kyç që zgjati më tepër se një film i Xhejms Kamerunit, e shtyu debutimin e tij me fanellën e kuqe. Italiani ka luajtur vetëm 21 ndeshje në këtë sezon.

Gjithashtu lexo

Tifozët shqiptarë nga Tetova pushtojnë rrugët e Milanos, çfarë po ndodh para ndeshjes? (VIDEO)

Grupimi i tifozëve të Shkëndijes, “Ballistët” që shquhen edhe si një nga tifozeritë më të …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *