Home / Lajme / Maqedoni / Vajzat nga Veriu i Shqipërisë “viktima” të ndërmjtësuesve mashtrues

Vajzat nga Veriu i Shqipërisë “viktima” të ndërmjtësuesve mashtrues

Rjeti i martesave “fatale”

Sipas të dhënave jozyrtare besohet se numri i vajzave që kanë lidhur martesë nëpërmjet agjencive ilegale është mbi 400 vetëm në qytetin e Tetovës. Jozyrtarisht mësohet se këto agjenci funksionojnë si “stacione” për ndërmjetësim për martesë mes vajzave nga Shqipëria dhe personave të kategorive të ndryshme të komunitetit maqedonas, ndërsa shuma e këtij ndërmjetësimi arrin shifrën deri më 500 euro.
Gjithë ata persona në Maqedoni që nuk arrijnë për arsye të ndryshme të martohen, aplikojnë në këto agjenci, ndërsa më pas atyre iu ofrohet oferta nga ndërmejtësuesit.

Urim Hasipi/Maqedoni

Admirina Peçi/Shqipëri

Pejsazhi i zymtë i varfërisë dhe i rrethanave tjera sociale që përshkruajnë një mbijetesë të hollë, por edhe mentalitetin të bazuar në kanun, kanë detyruar shumë vajza nga Veriu i Shqipërisë t’i nënshtrohen trafikimit ilegal në emër të martaseva për një jetë më të mirë. Ky trafikim që realizohet nëpërmjet formave “ilegale” të “shkuesisë” përfshinë një rrjet të organizuar njerëzish dhe agjencishë, që përfitojnë nga fati i këtyre vajzave, të cilave iu premtohet një jetë “parajsore” nga martesat që realizohen me vejan në Maqedoni.
Këto agjenci ndërmjetësojnë mes vajzave nga vise të varfra nga Veriu i Shqipërisë dhe “klientëve” të intersuar në Maqedoni dhe funksionojnë në ilegalitet të plotë. Rrëfimet e shumë vajzave që tashmë janë viktimë e këtij trafikimi ilegal vërtetojnë ekzistimin e këtyre agjencive, në Tetovë dhe në Shqipërinë Veriore. Të organizuara mirë, këto agjenci, e ruajnë të “paprekur” funskionimin e vet nga ana e policisë, e cila pohon se nuk ekziston ndonjë gjurmë e këtij aktiviteti ilegal, të martësave të vajzave nga Shqipëria me vejan maqedonas.
Hulumtimet e bëra në Shqipëri dhe Maqedoni, vërtetojnë ekzistimin e këtij rrjeti të trafikimit ilegal, i cili shtrihet në kanale të sofistikuara informacionesh dhe ofertash për martesë, të cilat më pas shndërrohen në lidhje “fatale” për shumë vajza. Prapa ofertave “joshëse” për vajzat nga Veriu i Shqipërisë, qëndrojnë “ndërmjetësit”, të cilët për një “lidhje martësore” marrin shuma të majme parash.
Gjithçka fillon nga këto oferta “joshëse” nëpërmjet të cilave vajzave dhe familjeve iu premtohet zgjidhje për “fatin” e tyre, por më pas e gjithë kjo shndërrohet në një “ferr” të vërtet për “viktimat”, të cilat përballen me situata të paparashikuara dhune, ngujimi dhe izolimi mental. Gjithë sfondi i këtij trafikimi mbështillet me vetëdëshirën e vajzave për t’u martuar, por në brendi të këtij “biznesi përfitues” fshihet mashtrimi dhe manipulimi me mentalitetin e familjeve të vajzave që ruan “besnikërinë kanunore”.

Histori vajzash të trafikuara

Vera sapo i ka mbushur 26 vjeç. Pjesën dërrmuese të këtyre viteve e ka kaluar në një prej fshatrave më të izoluar të Pukës. Flokëverdhë dhe shtatlartë, me sy të ndritshëm blu, ajo është kaq e turpshme, sa nuk guxon të hedhë qoftë dhe një vështrim drejt bashkëbiseduesit. Skuqet sa herë i duhet të japë një përgjigje. Për të, duhet të jetë një sakrificë e madhe të rrëfejë. Një ndodhi e rëndë e jetës së saj e ka shtyrë t’i ndalë hapat në këtë Qendër, ku gjejnë strehë shumë vajza si ajo. Në statistikat e shumta të OJF-ve në Tiranë, ajo rezulton thjesht një qenie e dhunuar dhe e trafikuar. Për Verën, gjithë çfarë ka kaluar është si një ëndërr e frikshme.
“Isha 24 vjeç, kur një i afërm i familjes erdhi bashkë me një burrë tjetër për të takuar tim atë. Ata u mbyllën në dhomën e ndenjes për orë të tëra. Nuk e di çfarë biseduan. Vetëm pasi ata u larguan, babai më tha se e kishte vendosur të më martonte. Unë nuk e dija kush ishte burri im. Vetëm babai kishte marrë ca të dhëna për të dhe kishte parë një fotografi të tijën. Më tha se ai jetonte në një fshat në Maqedoni, se ishin familje e kamur dhe se unë do të jetoja shumë mirë atje. Në shtëpinë tonë, sigurimi i ushqimit dhe sendeve jetike ishte shumë i vështirë. S’kisha blerë prej vitesh një veshje të re. Punonim arën dhe kopshtin për të siguruar diçka, ato pak muaj të verës kur nuk kishte dëborë. Familja ime si pjesa dërrmuese e familjeve në fshat, e siguronin gjithçka me sakrifica të mëdha…”
Vera jetoi tre muaj duke ëndërruar burrin e saj. Mbase pas martesës nuk do t’i mungonte më kurrë ushqimi, as veshjet dhe për më tepër, do të kishte mundësinë të krijonte një familje, atë çka shumë shoqe të saj në fshat s’kishin mundur ta krijonin.
Sipas familjes, ajo ishte vajzë me fat. Të paktën familja e saj nuk do të vuante edhe turpin e vajzës së ngelur në derë. Kësisoj, pas tre muajsh në shtëpinë e Verës morën vesh se do të vinin disa njerëz të dërguar nga familja e burrit të ardhshëm për të marrë nuse Verën. “Babai mendoi të bëjë një dasmë të vogël. Me para borxh. Sa për të mos më nxjerrë nga shtëpia ashtu si një plaçkë pa vlerë”. Ditën që ajo u nis për në shtëpinë e burrit të saj, Vera s’ka për ta harruar kurrë, sidomos momentin kur mbërriti në shtëpinë e re. Burri i saj quhej Zoran, ishte 48 vjeç, me një portret të ashpër dhe autoritar. Kishte 4 vëllezër të gjithë të martuar, dhe dy prindërit. Vetëm ai dinte pak fjalë shqip, të tjerët, as edhe një fjalë të vetme. Verës iu desh të merrej vesh me shenja me ta, për çdo gjë. Ishte kaq e vështirë për të, sidomos kur i duhej të pyeste për diçka. Por, shpejt mësoi se në atë familje nuk i duhej shumë gjuha. Fillimisht askush nuk e vërente. Ajo i dinte detyrat e saj. Punë të rënda fshati nga mëngjesi deri në mesnatë. Tek e fundit, ajo vajzë fshati ishte dhe punët e rënda ishin gjë e zakontë për të. Por, shumë shpejt ajo zbuloi se në atë familje ku kishte shkuar “nuse” e priste dhuna. Netët me burrin e saj ishin dhimbja më e lehtë për të. Një ditë, njëri prej kunetërve të saj e goditi fort pas koke me një tigan. Atij nuk i kishte pëlqyer gjella e gatuar prej saj. I kishte derdhur një lumë sharjesh në gjuhën e tij, fjalë që ende sot Vera nuk ua di mirë kuptimin, dhe pas goditjes në kokë e kishte shtyrë fort në një cep të dhomës së gatimit. Nga ajo ditë, të gjithë pjesëtarët e asaj familje e rrihnin, qoftë edhe për shkaqe nga më ordineret. Një herë burri i saj, një herë tjerët njëri prej vëllezërve, mandej vjehrra e saj plakë, e kështu me radhë…
“Nuk mund të duroja më, – thotë Vera dhe meket e ngashëren. – Ata më trajtonin si skllave, ju shërbeja gjithë ditën dhe sërish më rrihnin. Im shoq zhdukej me javë të tëra. Ikte në Gjermani. Më vonë e mësova se ai kishte dhe një nuse tjetër atje”.
Vera thotë se pas një viti të tmerrshëm në familjen e Zoranit, vendosi t’ia mbathte. Në një dyqan të lagjes, kishte njohur Linditën, një shqiptare të Maqedonisë, e cila i kishte premtuar se do t’i gjente një strehë dhe një punë…Deri këtu rrëfen Vera, pastaj qan dhe thotë se ka bërë gabim. Në shtëpinë e prindërve nuk mund të kthehej. “Më mirë e vdekur se të kthehem sërish atje”, – thotë ajo… Përmes mikeshës së re, ishte njohur me dy me burra nga Shqipëria dhe pas asaj njohje, e vetme dhe pa një strehë, Vera kishte pranuar të bënte çfarëdo pune. “Shkonim bashkë me Linditën në një lokal nate me muzikë, ku fillimisht kërcenim…” Vera thotë se shumë shpejt dy burrat që “i mbronin” e shtrëngonin Verën të shoqërohej me meshkuj të tjerë. “Më kërcënonin shpesh me armë në kokë dhe më thoshin që të bindesha, vetëm kaq”. Ajo nuk tregon detaje nga puna e saj. Nuk i tregon as emrat e burrave që “e mbronin”. Ka frikë. I lutet vazhdimisht punonjëses së qendrës së rehabilitimit që të mos e pyesë për emra. Edhe pse burrat që e shoqëronin tashmë gjenden në burg, ajo e di se një ditë ata do të dalin dhe do ta gjejnë. Punonjësja sociale e siguron për të kundërtën, por Vera ka dëgjuar dhe mësuar shumë, pothuajse një vit të punës së saj…
Kjo ishte historia e Pranvera Gj. Aktualisht 26 vjeçe. Këtë rrëfim e ka bërë vetëm para pak muajsh, në një prej qendrave të rehabilitimit të grave të dhunuara e të trafikuara. Aktualisht Vera jeton e tërhequr, punon pastruese në ambientet e një firme private në kryeqytet dhe thuajse askush në kompaninë ku punon nuk e di historinë e saj, dhe as nga vjen ajo. Historia e saj është veç një fragment në rrugën e trafikimit të femrave, rrugë e cila sa vjen e bëhet më e sofistikuar, më e fshehtë dhe gati e sigurt dhe larg syrit të organeve kompetente në Shqipëri.

Skemë e qartë trafikimi

Në asnjë nga rajonet e policisë së Tiranës nuk kanë njohuri për historinë e Verës. As në drejtorinë e policisë së qarkut Shkodër. Kjo, pasi Vera nuk ka bërë kurrë një denoncim. Ajo është thjesht një prej shumë vajzave që iu është ofruar ndihmë në një prej qendrave që mbrojnë gratë e dhunuara e të trafikuara në Tiranë.
Pyesim për raste të tjera dhe mësojmë se prej disa muajsh nuk kanë regjistruar asnjë rast të ri në qendrat e rehabilitimit të viktimave të trafikut. Dhe, asnjë denoncim nëpër rajonet e policisë në Tiranë apo në Shkodër (qarku, nga janë pjesa dërrmuese e vajzave që bien viktima përmes kësaj rruge).
“Është thuajse e pamundur të parandalojmë raste të tilla. Në përgjithësi gjithçka është e mirëorganizuar”, – na thotë një burim zyrtar në Ministrinë e Brendshme në Tiranë. Ai vazhdon më tej se, ”kjo mënyrë trafikimi është shumë e sofistikuar. Trafikantët janë bërë të paparashikueshëm. Janë shumë të shpejtë. Kanë shumë informacione dhe bashkëpunojnë mes tyre në mënyrë perfekte. Na vjen keq ta themi, por ata janë shumë hapa para nesh”.
Sipas tij, skema që ndjekin është fare e qartë. Në zonat përreth Shkodrës, Pukës, apo Kukësit, ekzistojnë persona të veçantë që kanë informacione të sakta për vajza të cilat familjet duan t’i martojnë me çdo kusht. Këta persona janë ndërmjetës. Vihen në kontakt me bashkëpunëtorët e tyre në Maqedoni, Mal të Zi apo Serbi dhe pikasin dhëndurë për këto vajza. Ata marrin shuma të caktuara nga 300 apo 500 euro, deri në 2.000 euro në secilën nga familjet, atë të vajzës dhe të djalit. Pas martesës ata nuk para mbajnë përgjegjësi. Ata thuajse gjithmonë i parashikojnë rastet e martesave që nuk mund të zgjasin. Këto janë rastet kur meshkujt e ofruar për martesë janë të moshuar. Por, për ta nuk është shumë e rëndësishme mbarëvajtja e martesës. Sidomos, në rastet kur familja e vajzës janë njerëz shumë të dhënë pas traditave të ashpra, që kanë ligje të forta sa i takon turpit dhe ku vajza e martuar nuk mund të kthehet kurrë më në atë familje nëse ndahet nga burri i gjetur. Personat që i fundosin këto vajza në rrethin e trafikut, marrin gjithmonë informacione prej këtyre ndërmjetësve. Ata nuk lënë kurrë rast t’u shpëtojë nga duart. Dhe, këto vajza janë preja më e lehtë, nuk kanë asnjë shpresë, nuk mund të kthehen në familjen e tyre, madje as në qytetin më të afërt të zonës nuk kanë banuar, për shkak të turpit.
I njëjti burim zyrtar në Ministrinë e Brendshme në Tiranë, na tregon se para dy viteve kane pasur nëpër duar rastin e dy vajzave nga zonat e thella të Shkodrës, të cilat ishin martuar përmes kësaj rruge në Maqedoni. “Burrat e tyre ishin thuajse pleq. Njëri i ve dhe tjetri i divorcuar. Pasi nuk e kanë përballuar jetesën në familjet e reja, të dyja këto vajza kanë vendosur të largohen dhe kanë rënë pre e trafikantëve”, – tregon zyrtari i Ministrisë së Brendshme, ndërsa shton se, “nga të gjithë intervistimet dhe hetimet e këtyre rasteve, nuk rezulton që martesa të jetë rekrutim, pra të jetë marrë qëllimisht për ta trafikuar. Por, fakti se këta ndërmjetës dhe trafikantët kanë një bashkëpunim të fortë mes tyre, përgjithësisht nuk lë shteg tjetër për këto vajza, përveçse të bien pre e trafikimit”.

Në Shkodër, ku dhjetëra martesa ndëretnike shënohen brenda muajit…

Shkojmë në Shkodër, ku kemi siguruar një bisedë me një personazh, i cili i njeh nga afër disa vajza që janë martuar në Maqedoni e Mal të Zi, përmes ndërmjetësve, ose siç i quan ai “shkesëve”.
Gjon Gj. është banor i një lagjeje të re, e krijuar pas viteve ’90 në periferi të qytetit të Shkodrës. Thuajse të gjithë banorët e lagjes së tij kanë ardhur prej zonave malore të Shkodrës dhe Pukës. Ata kanë mbërritur këtu menjëherë pas shembjes së komunizmit. “Ishte një mundësi për liri dhe jetesë më të mirë”, – thotë Gjoni. Ai nuk sheh asgjë të keqe në këto martesa. Sipas tij, kjo është një mënyrë e mirë që vajzat të krijojnë familjet e tyre në këto kushte të vështira, kur meshkujt shqiptarë i kanë boshatisur fshatrat e veriut dhe janë thuajse të gjithë emigrim.
Sipas banorëve të këtyre zonave, kur vajza i kalon 25 vitet, ajo mund të konsiderohet si e “mbetur brenda”, që nënkupton se nuk ka mundësi martese, ose ato janë shumë të vogla. Ardhja në qytet dhe vështirësitë me të cilat këta banorë ndeshen, ka bërë që numri i vajzave nga ky komunitet që kalojnë moshën 25 vjet, të rritet. Personazhi ynë na thotë se fenomeni i këtyre martesave është përhapur sidomos këto 5-6 vite te fundit. “Mund t’ju përmend rreth 10 raste të vajzave të kësaj lagjeje që janë martuar në Maqedoni së fundmi”, – thotë Gjoni, ndërsa shton se është e mjaftueshme të kesh lidhjet e duhura për të gjetur një dhëndër të mirë dhe familjet janë dakord t’i martojnë vajzat jashtë Shqipërisë. “Madje, edhe të afërm të mi i kanë martuar vajzat në këtë rrugë”. Ai thotë se në asnjë rast vajzat nuk njihen me bashkëshortët e ardhshëm. “Në të shumtën e rasteve lidhjet krijohen zinxhir. Nëse dikush ka realizuar një lidhje martesore dhe kjo lidhje ka rezultuar e mirë, vajzat mandej ndërhyjnë tek të afërmet e tyre për të krijuar lidhje të tjera martesore. Por, në rastet më klasike persona të caktuar që merren me këtë punë vijnë nëpër familjet që kanë vajza për të martuar dhe u tregojnë atyre fotografi dhe të dhëna të tjera për djemtë në Maqedoni apo në Serbi. Vetëm kur prindërit e vajzave bien dakord, shihet mundësia që djali të vijë të shohë vajzën e më pas të vijë ta marrë për nuse”. Sipas tij, personat që vijnë për të realizuar këto lidhje janë përgjithësisht shqiptarë të Maqedonisë që kanë njohje me persona në Shqipëri. “Janë këta të fundit që mund të thuhet se kanë ngritur një rrjet të tillë mblesërie në largësi, kur në bashkëpunim me mblesët në Maqedoni realizojnë martesat”, – thotë Gjoni, ndërsa na tregon rastin e një të afërmes së tij, e cila është martuar në këtë mënyrë në Manastir në Maqedoni. “Një prej ndërmjetësve shqiptarë kishte njohje me familjen e saj, me origjinë nga Shllaku. Bisedoi me babanë e vajzës për mundësinë e fejesës së saj në Maqedoni. Vajza ishte 27 vjeç dhe e pamartuar. Pas dy javësh erdhi ndërmjetësi nga Maqedonia, që bashkë me shqiptarin që kishte bërë fillimisht bisedën, i treguan fotografinë e djalit që kishin gjetur. Përveç fotografisë dhe adresës, ato i kanë dhanë dhe të dhëna të tjera. Më pas ato morën dhe një fotografi të vajzës për t’ia treguar djalit. Babai i vajzës, me anë të vajzës së një kushëririt të tij të martuar dy vjet më parë në Bitola, u interesua për djalin. Më pas kërkoi që ai të vinte në Shqipëri. Djali, i cili jetonte në fshat, erdhi bashkë me dy shkesit dhe u pritën në shtëpinë e vajzës. Aty ato panë njëri-tjetrin, biseduan, pasi dhe djali që ishte 43 vjeç, dinte shqip se u përkiste shqiptarëve të Maqedonisë, por gjithçka në prani të të afërmve të vajzës dhe dy shkesëve. Po kështu ndodhi dhe dy herë të tjera, kur djali e vajza qëndruan në një dhomë dhe biseduan, por në prani të tjerëve. Pas kësaj u shpall fejesa dhe më pas martesa”. Sipas Gjonit, ka raste kur dhëndri nuk vjen fare, por gjithçka bëhet përmes fotografive dhe garanci janë njohjet e përbashkëta. Nisur nga besueshmëria e shkesit, çifti njihet vetëm përmes fotove dhe mund të komunikojnë dhe në telefon. Gjoni na tregon se një rast i tillë u shënua para një viti, kur E. D., 28 vjeçe, u martua me një burrë nga fshatrat e Strugës, dhe kur shkuese ishte vajza e tezes së saj, e martuar tre vjet më parë po në atë familje, e cila e lidhi kushërirën me kunatin e saj, vëllanë e burrit.
Sipas informatorit tonë, në të gjitha këto raste shkesët paguhen nga të dy palët. Ai nuk tregon shumën që paguajnë, por ne mësojmë se kjo shumë përgjithësisht është rreth 500 euro. Lidhur me këto pagesa, mësojmë se asnjëherë nuk deklarohen hapur. Marrja e parave për një shërbim të tillë bëhet në fshehtësi dhe në biseda të ngushta.

Në Shkodër, ku vajzat kanë frikë të denoncojnë…

Edhe pse historitë e Gjon Gj. nuk lidhen me rastet e atyre vajzave që përfundojnë keq, mësojmë se kjo kategori është më fatlumja. Në këtë qytet na tregojnë tre raste të tjera vajzash që janë martuar me këtë formulë dhe kanë përfunduar në rrugë. Nisur nga këto histori, bisedojmë me një drejtues të lartë të policisë në Shkodër, i cili mbetet gojëhapur kur i tregojmë një prej historive të hulumtimit tonë. Ai thotë se gjithmonë kanë qenë në dijeni të këtij problemi, por forca të rendit gjenden aktualisht në udhë pa krye për hetimet e këtyre rasteve. Prej tij mësojmë se në seksionin kundër trafiqeve të paligjshme nuk shënohet asnjë rast i kësaj natyre nëpër statistika, që prej datës së krijimit të këtij seksioni në vitin 2002. Arsyeja, sipas tij, është fare e thjeshtë. Ata s’mund të nisin asnjë hetim pa pasur një denoncim, qoftë edhe të një rasti të vetëm, i cili do të zbulonte më pas, në mos gjithë rrjetin e trafikimit, të paktën një segment të tij.
“Duhet të kuptoni se këto vajza e kanë të pamundur të bëjnë një denoncim. Ato, madje nuk kthehen kurrë as në shtëpitë e tyre në fshatrat nga vijnë, por as edhe në qytet. Kanë frikë dhe nuk besojnë se do të zgjidhin diçka për të ardhmen e tyre”, – thotë ky drejtues policie, duke e mbyllur me fjalët se, kjo situatë është dëshpëruese dhe kërkon angazhim maksimal nga organet kompetente.

Gjurmët e tregtisë ilegale me vajzat nga Shqipëria mbeten të mbuluara mirë në Maqedoni. Agjencitë dhe ndërmjetësuesit kujdesën që ky trafikim të realziohet në ilegalitet të plotë. Mirëpo, vajzat që tashmë janë “viktimë” të këtij trafikimi dhe që përkundër të gjitha fatkeqësive vazhdojnë të qëndrojnë në lidhjet martesore “mashtruese”, sepse nuk kanë zgjidhje tjetër, herë pas here “leshojnë” informacione kur takohen me njerëz nëpër vendet të ndryshme për nevoja individuale, siç është rasti me ndonjë qëndrim në spital. Përgjithësisht, këto femra mbahen të izoluara nga komuniteti, për shkak se shumica e tyre jetojnë në vendbanime periferike.

Sipas të dhënave jozyrtare besohet se numri i vajzave që kanë lidhur martesë nëpërmjet agjencive ilegale është mbi 400 vetëm në qytetin e Tetovës. Jozyrtarisht mësohet se këto agjenci funksionojnë si “stacione” për ndërmjetësim për martesë mes vajzave nga Shqipëria dhe personave të kategorive të ndryshme të komunitetit maqedonas, ndërsa shuma e këtij ndërmjetësimi arrin shifrën deri më 500 euro.
Gjithë ata persona në Maqedoni që nuk arrijnë për arsye të ndryshme të martohen, aplikojnë në këto agjenci, ndërsa më pas atyre iu ofrohet oferta nga ndërmejtësuesit.

Jozyrtarisht mësohet se në Tetovë funksionon një agjenci për ndërmjetësime martesore, e cila mbetet e kamofluar si një zyrë avokature. Disa herë mediumet e shtypit në Maqedoni kanë shkruar për funksionimin e kësaj zyre, por Ministria e Punëve të Brendshme nuk ka arritur të identifikojë këtë zyrë. Në pyetjet të drejtuara Sektorit për punë të brendshme në Tetovë, mbi funskionimin e kësaj zyre që gjendet në katin e dytë në tregun e gjelbër me emrin e njohur si “Vanila Skaj” e drejtuar nga një avokat i njohur maqedonas, për tre muaj nuk japin një përgjigje konkrete për funskionim e kësaj zyre për ndërmjetësim.

Sipas këtij sektori kjo zyrë nuk është e involvuar në aktivitete kriminale dhe trafikim të njerëzve, jo vetëm në nivel lokal, por edhe në një konkest më të gjerë. Marjan Josifovski, përgjegjësi për marrëdhenie me publikun në Sektorin për punë të brendshme në Tetovë, thotë se do ta hulumtojmë edhe më tutje këtë punë dhe në momentin që do të mësojmë për shkelje ligjore do të ndërmarr aktivitete adekuate ligjore dhe do t’i publikojë. Megjithatë, sipas tij, vendosja e kurorave të çifteve është e drejtë e tyre dhe bëhet në bazë të vullnetit të çifteve dhe këtu ky sektor nuk mund të përzihet përderisa nuk ka ndonjë denoncim nga personat e lidhur në martesë.

Qendra për punë sociale në Tetovë zyrtarisht nuk jep informacione mbi këto lloj martesash edhe përkundër faktis se në iu jemi drejtuar me pyetje mbi këtë dukuri. Sipas udhëheqësve të sektorëve të ndryshëm të këtij institucioni kjo qendër me ligjin e ri tashmë nuk posedon informacione mbi kurorëzimin e çifteve dhe nuk kanë informacione mbi lidhjet martesore të vajzave nga Veriu i Shqipërisë me maqedonas nga Tetova.
Megjithatë kohë më parë, në vitin 2006, sipas kësaj qendre, vetëm në Tetovë mbi 300 vajza nga Shqipëria janë martuar me maqedonas nga Tetova. Numri i martesave të këtilla deri më vitin 2000 ka qenë tepër simbolik, kurse numri i tyre është shtuar dukshëm pas vitit 2001. Nada Vllazhevska, sociologe pranë Qendrës për punë sociale në Tetovë, në vitin 2006, kishte deklaruar për një gazetë të këtushme se martesat mes vajzave nga Shkodra dhe vendet veriore të Shqipërisë me maqedonas nga Tetova dhe rrethina janë në rritje e sipër. Sipas saj, ende nuk dihen shkaqet për rritjen e këtyre lidhjeve martesore.
“ Në bisedat që kemi zhvilluar me këto vajza, asnjëra prej tyre nuk ka deklaruar se ka hyrë në bashkëshortësi si pasojë e frikës apo presionit, por përkundrazi të gjitha na kanë deklaruar se me vetë dëshirë dhe me lejen e familjes së tyre kurorëzohen me qytetarë maqedonas”, kishte deklaruarVllazheska.

Edhe pse në dukje gjithçka paraqitet në rregull, megjithatë një numër i madh i këtyre martesave janë të motivuara nga përfitimi i ndërmjetësuesve. Prapa deklaratave për martesë me vetdëshirë dhe informacioneve të pakta të institucioneve, qëndrojnë fatet e trishuara të shumë vajzave nga Shqipëria, të cilat nuk guxojnë të denoncojnë dhe të rrefejnë jetën e tyre në këto lidhje.
(Hulumtimi eshte perkrahur nga rrjeti i gazetareve hulmtuese SCOOP)

Gjithashtu lexo

Lumi në Poroj të Tetovës ende mbetet pezull, banorët bllokojnë rrugën Tetovë-Jazhincë

Banorët e fshatit Poroj, sot (18 gusht), prej ora 14:00 e kanë bllokuar rrugën rajonale …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *