Home / Lajme / Maqedoni / Ahmeti për BBC: Mos bini pre e provokimeve

Ahmeti për BBC: Mos bini pre e provokimeve

5 maj-
Ne nuk duam të zbresim nga treni ku kemi hypur. Treni në të cilin jemi është në drejtim adekuat. Ai na çon në NATO dhe në Bashkimin Evropian. Në çdo staticion të gabueshëm që mund të zbresim kjo do të ishte mëse fatale për vendin tonë, ndaj ne nuk duam që të ndodhë kjo dhe po kontribuojmë e punojmë që sa më parë kjo çështje të gjejë zgjidhje.

Ditët e fundit, Maqedonia duket se sërish po gjendet në qendër të vëmendjes – vendosja e përmendoreve nga historia e hershme maqedonase, zbulim i një sasise të konsiderueshme të armëve në afërsi të kufirit me Kosovën si dhe ngecja në negociatat me Greqinë për emrin e Maqedonisë… të gjitha këto kanë shtuar tensionet në marrëdhëniet ndëretnike.

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, që bën pjesë në koalicionin qeverisë, Ali Ahmeti, në një intervistë për BBC, të cilën MIA e transmeton në mënyrë integrale, tha se forca që ai drejton po punon për zgjidhjen e çështjeve të hapura dhe është kundër çfarëdo skenari që, sipas tij, ka për qëlllim ndarjen e vendit.

“Shqiptarët e Maqedonisë nuk duhet të bien pre e provokacioneve të ndarjes së Maqedonisë, sepse këtë ofertë Ushtria Çlirimtare Kombëtare e ka patur në vitin 2001 dhe fare nuk ka dashur që të hyjë në skenarë të tjetër kujt,” tha Ahmeti.

BBC: Cilat janë vlerësimet e juaja – a po përkeqësohet situata?

Ahmeti: Përpiqemi që të menaxhojmë situatën. Nuk ka vend për panik tek qytetarët, as për komunitetin shqiptar, as për komunitetin maqedonas, as për komunitetet tjera.

BBC: Mediat lokale kanë transmetuar një komunikatë të organizatës që veten e quan UÇK, e cila njofton se është ajo që ka marrë pjesë në incidentin e armatosur në afërsi të Bllacës. Si e shikoni ju këtë?

Ahmeti: Ushtria Çlirimtare Kombëtare ka bërë marrëveshje në vitin 2001 me forcën më relevante në botë, NATO-n me çka më 26 shtator pranon përfundimisht dokumentin paqesor, Marrëveshjen e Ohrit dhe nënshkruan marrëveshje për demobilizim me NATO-n, me çka ne me përgjegjësinë më të lartë i kemi kryer të gjitha detyrimet që kemi pasur karshi marrëveshjes dhe më 26 shtator të vitit 2001 pushon së funksionuari çdo strukturë dhe aktivitet i UÇK-së dhe merr përsipër angazhime serioze për implementimin e Marrëveshjes paqesore të Ohrit si dokument tepër i rëndësishëm për shqiptarët e Maqedonisë. Kjo marrëveshje ndryshoi statusin politik të Republikës së Maqedonisë, nga shtet i një etnie në shtet binacional, do të thotë në shtet edhe të shqiptarëve.

BBC: Opozita, zoti Ahmeti, nuk flet me këtë gjuhë. Ajo pretendon se realiteti shqiptar ka ndryshuar shumë pak!

Ahmeti: Për këtë po sjell vetëm dy-tre argumente.

BBC: Dhe, cilat janë ato?

Ahmeti: Në vitin 2001 ne kemi gjetur vetëm 170 policë shqiptarë në gjithë Republikën e Maqedonisë. Sot në Maqedoni janë 2.700 policë shqiptarë. Deri në vitin 2001 ka pasur 64 oficerë dhe nënoficerë shqiptarë. Sot janë 1.500 oficerë dhe nënoficerë shqiptarë, pa hyrë këtu në legalizimin e forcës së mendjes të Universitetit të Tetovës, me çka ky universitet brenda vetëm këtyre 15 muajve është zgjeruar dukshëm. Tani më fillojnë studimet në vitin e dytë në fakultete në Kumanovë, disperzimi i fakulteteve në Shkup, Strugë, Kërçovë e Gostivar. Dua të them se jo që nuk ka akoma punë për të bërë, por ama shqiptarët e Maqedonisë nuk duhet të bien pre e provokacioneve të ndarjes së Maqedonisë, sepse këtë ofertë Ushtria Çlirimtare Kombëtare e ka patur në vitin 2001 dhe fare nuk ka dashur që të hyjë në skenarë të tjetër kujt.

BBC: Dhe, cili është qëndrimi i partisë që ju drejtoni për këtë organizmin që veten e quan UÇK?

Ahmeti: Ne distancohemi nga çdo lloj dhune, ne distancohemi nga çdo lloj provokacioni dhe i thërrasim të gjithë shqiptarët të mos bien pre e provokacioneve të ndryshme, por thellësisht të angazhohemi në ruajtjen e vlerave të cilat me djersë dhe me gjak i kemi arritur deri tani. Të angazhohemi që ky vend dhe rajoni, Shqipëria e Kosova, të hyjnë sa më parë në Bashkimin Evropian. Sa më parë Maqedonia dhe Kosova të jenë pjesë e NATO-s, sepse kjo është perspektiva, kjo është garanca që shqiptarët të ecin përpara.

BBC: Zoti Ahmeti, ekziston një dozë e shprehur pakënaqësie për zvarritjen e zgjidhjes së statusit të ish-pjesëtarëve të UÇK-së. Njoftohet se po zhvillohen bisedime intensive mes jush dhe partnerit tuaj në kolaicionin qeverisës, VMRO-DPMNE-së, së kryeministrit Nikolla Gruevski. Pyetja ime është, kur do të hiqet kjo çështje nga rendi i ditës?

Ahmeti: Është një e vërtetë me të cilën ballafaqohemi. Janë disa tema të pazgjidhura që kërkojnë zgjidhje urgjente. Është çështja e statusit të invalidëve dhe pjesëtarëve të UÇK-së që kanë humbur të afërmit e tyre gjatë periudhës së luftës së vitit 2001. Është çështja e procesit gjyqësor të Sopotit. Është çështja e dosjes së Tribunalit të Hagës si dhe çështja e përmendoreve dhe shtatoreve në qytetin e Shkupit. Ne kemi bërë punën tonë, angazhimin tonë, që për të gjitha këto çështje të gjejmë zgjidhje.

BBC: Po, shtrohet pyetja – kur?

Ahmeti: Unë nuk lidhem me datë dhe me ditë, por ne angazhohemi që të gjejmë zgjidhje dhe besoj tek zgjidhja që do të gjendet. Sepse janë tema me të cilat ne vërtet preokupohemi gati çdo ditë.

BBC: Diplomatë euro-amerikanë, ditët e fundit, kanë lënë qartë të kuptohet se është në duartë e klasës politike të Maqedonisë integrimi euro-atlantik. Mund të na thoni, ka ndonjë të re në negociatat pëpr emrin?

Ahmeti: Besojmë që do të gjendet vullnet tek të dyja palët që ky problem të gjejë zgjidhje sa më parë, sepse është në interes jo vetëm të Maqedonisë, por edhe të tërë rajonit.

BBC: Çka zoti Ahmeti nëse kjo zgjidhje nuk do të arrihet deri në qershor? Rikujtoj një deklaratë të partisë suaj se atëherë Maqedonisë do t’i ik treni i integrimit…

Ahmeti: Ne nuk duam të zbresim nga treni ku kemi hypur. Treni në të cilin jemi është në drejtim adekuat. Ai na çon në NATO dhe në Bashkimin Evropian. Në çdo staticion të gabueshëm që mund të zbresim kjo do të ishte mëse fatale për vendin tonë, ndaj ne nuk duam që të ndodhë kjo dhe po kontribuojmë e punojmë që sa më parë kjo çështje të gjejë zgjidhje.

BBC: Megjithatë, sërish shtrohet pyetja – kur?

Ahmeti: Unë them që gjerat po lëvizin në drejtim të mirë dhe shpresoj se do të ketë zgjidhje. Kam kërkuar edhe nga miqtë tanë ndërkombëtarë të ndihmojnë, sepse ky kontest nuk është më i vështirë si proces se sa procesi lidhur me shpalljen e pavarësisë, por ama kjo është një çështje që brenda vetes është mjaft sensitive, me ngarkesa emocionale dhe mendoj se komuniteti ndërkombëtar do t’i kushtojë një vëmendje të veçantë për zbutjen apo për fashitjen e këtyre emocioneve, me qëllim që tek palët në negociata të dominojë arsyeja, të dominojë logjika e ftohtë dhe sa më parë të mbyllet kjo çështje në dobi të rajonit tonë, të Ballkanit Perendimor. Sepse boll Ballkani me luftëra, boll me kryengritje, edhe Ballkani Perendimor duhet të marrë drejtimin e duhur, të jetë pjesë e Europës së bashkuar!

Gjithashtu lexo

Starnawski përsëri zhytet në Matkë

Zhytësi i famshëm speleologjik, Krzysztof Starnawski nga Polonia, së bashku me ekip të zhytësve vendas …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *