Home / Lajme / Rajon / Fier: Njëzet e njëvjeçarja që imiton Marigonë e Flamurit

Fier: Njëzet e njëvjeçarja që imiton Marigonë e Flamurit

11 maj-

Tashmë ballkoni i shtëpisë do të jetë punishtja artizanale dhe studioja artistike e saj. Njohje të reja, kërkesa të shumta dhe porosi i kanë çelur rrugën e re të biznesit studentes 21- vjeçare që studjon për ekonomi.

Prej më se 2 muajsh, shoqet e fakultetit Ekonomik, të afërt e të njohur nuk e thërresin më me emrin e vërtetë Anita Muftaraj, por thjeshtë “Marigo”, që kur u tregoi flamurin e qëndisur me rruaza, me të cilin konkuroi në konkursin kombëtar artistik të të rinjve “Shqipëria është kulturë”, këto ditë në Apolloni.

Studentja e fakultetit Ekonomik në Universitetin e Tiranës që ka lindur në Skrapar dhe banon në Tiranë është e dashuruar pas traditës, historisë, folklorit, me çdo gjë të bukur të të parëve, ndaj ka imituar dhe sjellë në kohërat moderrne Marigonë e Vlorës, qëndistaren e Flamurit të 1912-tës.

“Më pëlqen të merem me vepra artizanale. Mund të prodhoj çdo gjë me rruza, qëndisje edhe me shumë sende të ndryshme. Në këtë ekspozitë kam paraqitur një mozaik, Flamurin Kombëtar të qëndisur me rruaza, një gjë e veçantë, origjinale e pa realizuar më parë”, thotë për ATSH-në, Anita Myftaraj.

Në Apolloni, ku u zhvillua për disa ditë Festivali Kombëtar artistik i të rinjve, qëndisja e saj si pikturë mori vlerësimin jo vetëm të jurisë, por dhe qindra vizitorëve.

“Është një vepër ku idea, motivi, realizimi, mjeshtëria dhe durimi, ndërthuren në mënyrë harmonike. Është kënaqësi kur shikon rininë tonë të realizojë në vepra artizanale me aq mjeshtëri, simbolet e krenarisë kombëtare. Kjo tregon se autorja nuk është vetëm mjeshtre e talentuar, por dhe një shqiptare e vërtetë, që rrënjët e krijimtarisë i ushqen në tabanin kombëtar”, thotë piktori V.Alushaj.

Vetë Anita tregon rrugën e artit të saj, që nisi me korniza të thjeshta, që ua bënte dhuratë shoqeve.

“Një ditë më lindi ideja të bëja formatin e shqiponjës, por ishte më tepër një provë ne format vetëm 4×4 cm.Pas nji muaji pune, e kalova provën dhe shoqet e pëlqyen shumë, më dhanë krahë, më mbështetën dhe më nxitën drejt kësaj rruge, duke më vrarë ndrojtjen, por dhe duke më mbushur me besim”, thotë ajo.

Kështu nisi.

“Për ekspozitën skicova punimin me përmasa 40×50 cm. Punova për këtë mozaik me rruaza rreth 65 orë e 44 minuta, se është punim shumë i vështirë, që do shumë durim. Punoja çdo ditë nga 4-5 orë. Kur e përfundova të parët që e panë ishin shokët e fakultetit, që u befasuan, por dhe më inkurajuan. Që nga ajo ditë ata më thërrasin Marigo, emër që më pëlqen ta dëgjoj, sikur edhe një përqind t’i ngjasoj”, qesh Anita Myftaraj.

Këto ditë 21- vjeçarja ka tërhequr vëmëndjen e vizitorëve, specialistëve të artit grafik dhe punimeve artizanale. Janë të shumtë emrat, që i kanë kërkuar të lidhin “kontratat”e para të punës, duke i porositur punime të ndryshme e kryesisht Flamurin Kombëtar.

“Kam shumë porosi dhe kërkesa. Shumë kërkojnë që punimin t’ja u bëj me emër, mozaik enkas për ta,”thotë Anita. Por ajo nuk i kursen vërejtjet ndaj organizatorëve të festivalit.

Rrënjët e krijimtarisë së saj mbeten tek krenaria e vlerave kombëtare dhe vetë shton se noton drejt modernes, por e nisur nga stacioni klasik.

“Mendoj se po i largohemi shumë traditës. Po imitojmë dhe huazojmë në mënyrën më të shëmtuar çdo gjë të huaj. Nuk jam kundër huazimit të së bukurës, por para së gjithash duhet të mbetemi edhe tek tabani kombëtar, se kemi pasur një traditë shumë të bukur të punimit me rruaza. Vetë njoh shumë gra që i kanë duart të arta. Madje një shoqja e mamit tim në Itali, punon mjaft bukur dhe punimet e saj janë mjaft të kërkuara, aq sa nuk mund t’i plotësojë të gjitha porositë”, mendon ajo.

Për të, ky festival ishte për prezantimin e kulturës shqiptare, ndaj nuk i pëlqyen që u pranuan piktura, fotografi , peisazhe nga vënde të huaja.

“Vërtet Greqia ka pika të bukura turistike, por ne kemi plazhet tona të mrekullueshme, natyrën tonë magjike, kemi manastiret dhe qytetet antike. Atëherë pse duhet të pranohen punime të tilla? Boshti i konkursit “Shqipëria është Kulturë” duhet të jetë trashëgimia jonë kombëtare, ndaj dhe paraqita flamurin, se kam edhe dhjetra punime të tjera, por që nuk i përshtateshin formatit të këtij konkursi”, thotë Anita Myftaraj.

Tashmë ballkoni i shtëpisë do të jetë punishtja artizanale dhe studioja artistike e saj. Njohje të reja, kërkesa të shumta dhe porosi i kanë çelur rrugën e re të biznesit studentes 21- vjeçare që studjon për ekonomi.

Tani, pas suksesit të parë, e ka hedhur vështrimin drejt librit Gines me bindjen se shpirti artistik që ka bashkë me duart e arta, mund të realizojnë gjithshka. Dhe meraku i saj mbetet tek ëndrra kryesore.

“Gjatë verës do të realizoj një flamur të përmasave gjigande, të denjë për Gines. Kam porositur rruaza të veçanta me ngjyrë origjinale gjaku, se dhe nuancat e ngjyrave janë shumë shprehëse dhe ngjyra e flamurit duhet të jetë sa më e ndezur, sa më pranë ngjyrës së gjakut dhe jo thjesht e kuqe”, thotë ajo.

Gjithashtu lexo

Digjet një Audi Q7

Në rrethana ende të pasqaruara është djegur një veturë e tipit “Audi Q7”në qytetin e …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *