Home / Sport / Mourinjo, kronikë e një largimi të paralajmëruar

Mourinjo, kronikë e një largimi të paralajmëruar

Tashmë divorci përfundimtar mes trajnerit portugez dhe klubit italian është realitet. Konfirmimi i vetë Mourinjos pritet nga dita në ditë.

Të gjitha mediat kryesore sportive në Europë e bëjnë fakt të kryer lamtumirën e “Të veçantit” nga Milano, me destinacion Madridin. Pra do të qëndrojë në “Santiago Bernabeu”, aty ku mbrëmjen e djeshme i dha Interit titullin e Ligës së Kampionëve pas 45 vitesh pritjeje.

Por ky triumf nuk e ka ndryshuar vendimin e teknikut për të lëvizur nga “San Siro”, vendim që duket se është marrë prej kohësh. “Dëshiroj të hyj në histori si i pari trajner që fiton Championsin me tre ekipe të ndryshme”, pohoi në përfundim të finales së Madridit, duke lënë të nënkuptohet se aventura e tij (e suksesshme) me zikaltrit, tashmë është drejt fundit.

“Ka më shumë mundësi të largohem, sesa të qëndroj. Por sido që të ndodhë, do të mbetem interist në zemër”, theksoi Hoze Mourinjo në deklaratën pas triumfit përballë Bajernit të Mynihut. Një deklaratë që lë pak vend për keqkuptime: ai është gati të nënshkruajë për Realin e Madridit.

Madje tabloidi britanik “Sunday Times” jep edhe detaje të tjera: për portugezin do të jetë gati një kontratë katër vjeçare me dhjetë milionë euro në sezon. Për t’u shkëputur nga Interi 47-vjeçari duhet të paguajë 16 milionë euro dhe me shumë mundësi Masimo Morati nuk ka për t’i krijuar probleme, pas gëzimit që Mourinjo i dhuroi me fitimin e trofeut të shumëpritur.

Gjithashtu lexo

Kastriot Tusha dhe “Ballistët” këndojnë “Xhamadani vija vija” midis Milanos (Video)

“Ballistët” janë duke bërë atmosferë fantastike në Milano dhe atyre u wshtw bashkuar edhe Kastriot …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *