Home / Sport / Murinjo, definitivisht në Real

Murinjo, definitivisht në Real

Trajneri i futbollit Hoze Murinjo do të kalojë edhe zyrtarisht në Real Madrid, pasi që të premten mbrëma klubi spanjoll ka arritur marrëveshje me Interin rreth kompensimit për ekspertin portugez.

Presidentët e Realit dhe Interit, Florentino Peres dhe Masimo Morati, janë takuar të premten në Milano, ku arritën marrëveshje rreth kompensimit.

Ndonëse nuk është bërë e ditur shuma të cilën Real Madrid do të paguajë për kalimin e Murinjos në “Santiago de Bernabeu”, gazeta sportive italiane “Gazeto delo sport” ka shkruar se klubi madrilen do të paguajë 16 milionë euro në dy rata.

Murinjo ka konfirmuar se dëshiron të kalojë në Real të shtunën e kaluar, pas fitores së Interit ndaj Bajernit me rezultat 2:0 në finalen e Ligës së Kampionëve.

Eskperti portugez ka kaluar dy sezone në Inter me të cilin ka fituar dy tituj kampioni në Itali, kupën nacionale dhe Ligën e Kampionëve, që është titulli i parë evropian për klubin që nga viti 1965.

Para Interit, Murinjo ka fituar dy herë me Çelzin titullin e Premier ligës, ndërsa me Porton ka triumfuar në Ligën e Kampionëve në vitin 2004.

Pavarësisht sukseseve, Murinjo shpesh është prezantuar si trajner i orientuar në defensivë dhe tashmë janë shtruar pyetjet se si do të arrijë të shfrytëzojë sulmuesit kulmor sikurse Kristiano Ronaldo, Kaka dhe Karim Benzema.

“Duhet ta dimë me çka disponojmë dhe këtë ta zbatojmë në mënyrën më të mirë të mundshme për të qenë të rrezikshëm. Duhet të gjejmë mënyrën e lojës, e cila iu lejon atyre që të jenë të tillë. Parimi i lojës varet nga lojtarët që keni”, ka thënë Murinjo për mediat spanjolle.

Real ka fituar nëntë trofe në Evropë, por të fundit prej tyre e fitoi në vitin 2002. Klubi vitin e kaluar solli Ronaldo, Kaka dhe Benzema, por nuk arriti të kalojë në fazën e dytë të garave të Ligës së Kampionëve.

Murinjo synon të fitojë titullin në vendin e katërt, pas fitimit të kampionateve në Portugali, Itali dhe Angli.

“Mendoj se Real më ka sjellë pasi që e di se nga unë kërkon sukses në një periudhë të shkurtër, por edhe pse mund të vendosë bazën për të ardhmen. Dua të lë gjurmë në këtë klub, jo vetëm me tituj, por edhe me gjëra tjera. Premtoj se nga dita e parë do të nxjerrë më të mirën nga lojtarët dhe do të kujdesem për ta”, ka thënë ai.

Gjithashtu lexo

City: 300 mln euro për Messi-n – (VIDEO)

Klubi anglez, Mançester Sity është i gatshëm të bëjë çmendurinë e radhës në tregun e …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *