Home / Sport / Premier Liga mes surprizave dhe zhgënjimeve

Premier Liga mes surprizave dhe zhgënjimeve

Kampionati anglez që sapo përfundoi ishte një nga më të bukurit ndër vite. Titulli u vendos në javën e fundit, gjë që ka ndodhur vetëm dhjetë herë në historinë e gjatë të Premier Ligës.

Karlo Ançeloti është i pari trajner italian që fiton një titull në Angli. Ish-trajneri i Milanit ka meritën që arriti të marrë më të mirën nga yjet që kishin humbur disi shkëlqimin në sezonet e kaluara. Një emër për t’u veçuar? Florent Maluda. Ja një tjetër rekord: 103 gola të shënuar, si askush më parë (29 prej të cilëve nga Didier Drogba, golashënuesi më i mirë i kampionatit).

Ndërkohë, Aleks Fergusoni duhet të presë sezonin tjetër për të fituar titullin e 20-të, që do ta bënte Mançesterin klubin me më shumë trofe në Angli. Lajmi i mirë për teknikun skocez është se largimi i Kristiano Ronaldos dhe Karlos Tevezit nuk u ndie shumë, falë sezonit të jashtëzakonshëm të Uejn Runit. Bomberi anglez u shpall lojtari më i mirë i vitit në Angli.

Ndalemi te Arsenali. Edhe këtë vit djemtë e Arsen Vengerit luajtën futbollin më të bukur në Angli. Përzierja mes talenteve (20 –19-vjeçarë, madje kishte edhe 18-vjeçarë) dhe lojtarëve me përvojë (nëse mund të quhet i tillë kapiteni Çesk Fabregas, që është 24 vjeç), i lejoi “Topçinjtë” të mbeten në garë për titullin deri një muaj para fundit. Emri për t’u përmendur është 25-vjeçari belg Tomas Vermaelen, qendërmbrojtësi me nuhatje të mirë goli. Arsyeja pse Arsenali nuk fitoi është se i humbi të gjitha prballjet direkte me rivalët për titull.

Surpriza e bukur e sezonit është sigurisht Totenhemi i Herri Rednapit. Suksesi i pjesëmarrjes në Ligën e Kampionëve (pas 49 vitesh mungese) erdhi falë blerjeve të studiuara mjaft mirë: Geret Bejl, mbrojtësi 21-vjeçar nga Uellsi dhe Benua Asu-Ekoto, mbrojtësi i majtë që sulmon po aq mirë sa mbron. Duke vijuar më tej, shpejtësia e Aron Lenon, prapa krahëve të një prej tresheve më të frikshme të sulmit: Defo-Krouç-Pavliçenko. Ndoshta këtu mund të shtohej edhe Darren Bent, autor i 24 golave me fanellën e Sandërlendit. Sulmuesi anglez u largua nga “Gjelat” në fillim të sezonit pasi nuk gjente hapësira të mjaftueshme.

Dy fjalë edhe për Aston Vilën dhe trajnerin Martin O’Nil, që edhe këtë vit rivalizuan denjësisht me më të mirët. Jo më kot emri i teknikut ishte më i preferuari i tifozëve të Liverpulit si pasardhës i Rafa Benitezit, në një sondazh të zhvilluar në fund të kampionatit. 23-vjeçari Agbonlahor dhe Eshli Jang janë emrat për të cilët do të dëgojmë të flitet në të ardhmen. Ndoshta qysh në Botëror.

Zhgënjimi më i madh i këtij sezoni është pa dyshim Liverpuli i Benitezit. 91 pikët e sezonit të kaluar (rekord për skuadrën) ngritën të Kuqtë shumë lart, prandaj edhe rënia e këtij viti ishte më e madhe. Golat e Fernando Torresit (që megjithëse pësoi shumë dëmtime, golin e gjeti rregullisht) në fakt nuk shërbyen për asgjë. Për t’u vlerësuar është Glen Xhonson, kurse më i dobëti Alberto Akuilani, që për fat të keq qëndroi më shumë në infermieri, sesa në fushë.

Gjithashtu lexo

City: 300 mln euro për Messi-n – (VIDEO)

Klubi anglez, Mançester Sity është i gatshëm të bëjë çmendurinë e radhës në tregun e …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *