Home / Sport / “Princi” Milito bën Interin “mbret” të Europës

“Princi” Milito bën Interin “mbret” të Europës

Dopieta e sulmuesit argjentinas u jep zikaltërve trofeun aq shumë të dëshiruar prej 45 vitesh, të tretin në histori. Mourinjo ngjitet sërish në majën e Europës.

Pritja mori fund. Pas 45 vitesh Interi rikthehet te trofeu i Ligës së Kampionëve, duke plotësuar një sezon të jashtëzakonshëm pas fitimit të Kupës së Italisë, kampionatit dhe tani të Championsit. Një tripletë që në fillim të sezonit askujt nuk i shkonte në mendje. Zikaltrit shkruajnë historinë, duke u bërë e para skuadër italiane që arrin të fitojë tre tituj në një sezon të vetëm.

Për Interin “mbret” të Europës duhej një “princ”. Hoze Mourinjo (arkitekti i këtij ekipi që mposhti këdo që i doli përpara) e kishte “princin” e vet: Diego Alberto Milito. I jashtëzakonshëm gjatë gjithë sezonit, duke u shënuar skuadrave të mëdha në Europë (flasim për Çelsin dhe Barcelonën), 29-vjeçari nga Argjentina ishte heroi absolut i mbrëmjes së Madridit. Dy golat e tij në minutën e 35-të dhe 70-të nxorrën jashtë loje Bajernin e Mynihut, që gjithashtu ëndërronte tripletën. “Çiraku” Mourinjo mposhti “mjeshtrin” Van Gal.

Havier Zaneti më në fund e përmbushi dëshirën e tij: ngriti në qiellin e Madridit trofeun aq shumë të dëshiruar. 15 vitet e pritjes dhe 700 ndeshjet me fanellën zikaltër, ia vlejtën vërtet. I palodhur gjatë gjithë sezonit, duke munguar në vetëm një ndeshje në të gjitha kompeticionet, argjentinasi ishte frymëzimi i kësaj skuadre. Në fakt, zor se ndokush e beson se në fushën e lojës kapiteni është 37 vjeç.

Masimo Morati tani mund të vërë foton e tij me kupën në duar, ngjitur me atë të të atit Anxhelo, që bëri të njëjtën gjë 45 vite më parë. Interi i madh i asaj epoke u rishfaq, i madhi Helenio Herrera tashmë është Hoze Mourinjo. Lot gëzimi në fund të finales për portugezin, që me shumë mundësi janë lot lamtumire. Megjithatë, misioni u përmbush. Qielli i Europës u ngjyros zikaltër. Festë e madhe në Milano. S’është shaka: Interi është skuadra më e mirë në Europë.

Bajern Mynih 0 – 2 Inter (Milito 35’, 70’)

Bajern Mynih (4-2-3-1): Butt 6; Lahm 6, Demichelis 5, Van Buyten 5, Badstuber 6; Schweinsteiger 6, Van Bommel 6; Robben 7, Muller 5,5, Altintop 6,5 (62′ Klose 6); Olic 6 (74′ Gomez). (Rensing, Contento, Pranjic, Gorlitz, Tymoshchuk). Trajner: Van Gaal

Inter (4-2-3-1): Julio Cesar 8; Maicon 6, Lucio 5,5, Samuel 6,5, Chivu 5,5 (68′ Stankovic 6); Zanetti 6, Cambiasso 6,5; Eto’o 6, Sneijder 7, Pandev 7 (79′ Muntari); Milito 10 (91′ Materazzi). (Toldo, Cordoba, Mariga, Balotelli). Trajner: Mourinho

Gjyqtar: Webb (Angli)

Kartonë të verdhë: Demichelis, Van Bommel (B), Chivu (I)

Gjithashtu lexo

City: 300 mln euro për Messi-n – (VIDEO)

Klubi anglez, Mançester Sity është i gatshëm të bëjë çmendurinë e radhës në tregun e …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *