Home / Sport / RENOVA KAMPIONE E MAQEDONISË

RENOVA KAMPIONE E MAQEDONISË

Klubi i Futbollit Renova nga fshati Xhepçisht është kampion i ri i Maqedonisë në futboll. “Gjipspunuesit” sigurojnë titullin tre javë para fundit të kampionatit, madje ende pa zhvilluar takimin e tyre të javës së 28-të kundër Sileksit në Kratovë. Gjithcka rreth titullit u vendos pasi të premten Pelisteri mundi konkurentin e vetëm të Renovës, Rabotniçkin, dhe në këtë mënyrë “bardhë e kaltërtit” për herë të parë në historinë e tyre shpallen kampion shtetëror.

Duke u përgatitur për takimin e të dielës kundër Sileksit, ku synohej fitore për të siguruar titullin e kampionit, skuadra e Renovës ka marrë një shërbim të madh nga Pelisteri, të cilët me fitoren 1:0 ndaj Rabotniçkit, Xhepçishtasve u mundësuan që të festojnë para kohe. Renova edhe zyrtarisht është kampion i ri i Maqedonisë në futboll, duke arritur të bëhet skuadra e parë shqiptare që arrin një gjë të tillë. Ky sezon do të shkruhet me shkronjë të arrta për ekipin e Renovës, por edhe për futbollin shqiptar të Maqedonisë. Më në fund edhe ne si popull mund të krenohemi me një titull në kategorinë më të mirë, pasi më parë askush nuk kishte arritur një gjë të tillë. Në fakt, skuadra e parë shqiptare që ka fituar titull në futbollin e Maqedonisë është Bashkimimi i Kumanovës (tani më skuadër e shuar), mirëpo ajo ishte në kuadër të Kupës, ndërsa ky i Renovës ka vlerë tjetër, tejet të madhe. Për herë të parë në histori, Maqedoninë në kualifikimet për Ligën e Kampionëve do ta prezantojë një skuadër shqiptare, Renova. Më në fund investimet e mëdha të pronarëve të klubit dhanë fryt dhe skuadra arriti që dominimin e saj ta kurorëzojë me titull.
Edhe pse Renova të premten kishte vetëm stërvitje, megjithatë diku rreth orës 18:20 në Xhepcisht filloi të festohet dhe shkak ishte rezultati i ndeshjes në Manastir, Pelisteri – Rabotniçki 1-0. Festa që filloi në fshatin Xhepçisht, vazhdoi në qendër të Tetovës, duke zgjatur deri në orët e vona të natës. Megjithatë festa e vërtetë pritet në fund të kampionatit, ndërsa deri atëherë Renova ka edhe 4 ndeshje për të luajtur, ku duhet të vërtetojë se titulli nuk ishte i rastit. Takimi i parë në këtë drejtim do të jetë të dielën në Kratovë, ku Sileksi do të ketë nderin të presë kampionin e ri të Maqedonisë.
Për ndryshe të premten përveç takimit Pelsiteri-Rabotniçki u zhvillua edhe përballja Milano-Teteksi, në të cilën fitore shënuan mysafirët nga Tetova me rezultatin 4:2.
Të dielën do të zhvillohen tre ndeshjet e tjera të javës së 28-të ku do të takohen:
Sileksi – Renova,
Vardari – Horizont Turnova dhe
Metalurgu – Pobeda

Gjithashtu lexo

Osmani: Bëmë gabime në mbrojtje, do të ndryshojmë në lojën e ardhshme

Trajneri i Shkëndijës së Tetovës, Qatip Osmani nuk e ka përjetuar mirë humbjen nga Milani. …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *