Home / Sport / SHKËNDIJA PËRSËRI LIDER

SHKËNDIJA PËRSËRI LIDER

Pas ndeshjeve të javës së 25-të në Ligën e Dytë të Maqedonisë në futboll, Klubi i Futbollit Shkëndija është rrikthyer në pozitën e parë të renditjes. Tetovarët fituan në Strumicë përballë Bellasicës, ndërsa disfata e Skopjes në fushë të Napredokut, “kuq e zinjëve” u mundëson të kthehen atje ku ishin gjatë gjithë kampionatit – në vendin e parë. Vllazërimi i Kërçovës më në fund ka lëshuar vendin e fundit, pasi me fitoren ndaj Dritës ka tejkaluar Ohrin, që është dënuar me marrjen e tre pikëve për shkak të një takimi të pa zhvilluar.

Shkëndija e Tetovës përsëri është lider i Ligës së Dytë, pasi rrikthehet në atë pozitë pas javës së parafundit në kategorinë e dytë të futbollit në vend. Shkëndija me fitoren 2:0 në Strumicë përballë Bellasicës barazohet me pikë me Skopjen, të cilët humbën 3:2 në Kërçovë përballë Napredokut. Bregallnica nuk mundi të fitojë në Prilep përballë 11 Oktomvrit, kështu që sipas gjithë gjasave do të humbë mundësinë që drejtëpërsëdrejti të inkuadrohet në Ligën e Parë.
Në Strumicë, Shkëndija udhëtoi me ambicie për të marrë tre pikë dhe në fund me plotë merritë i’a arriti qëllimit. Gjatë gjithë pjesës së parë, “kuq e zinjtë” sulmuan, por pa mundur të gjejnë rrjetën kundërshtare, duke shkuar në pushim me rezultatin e fillimit. Megjithatë atë që nuk bënë në pjesën e parë, futbollistët e Shkëndijës e realizuan në start të pjesës së dytë, kur vetëm pas dy minutave lojë, Izair Emini me kokë solli epërsië dhe gëzim të madh për tetovarët. Vetëm katër minuta më vonë erdhi goli i dytë i Shkëndijës, të cilin e realizoi Ilir Elmazovski. Edhe pas epërsisë 2:0 Shkëndija vazhdoi të sulmojë dhe të krijojë raste për të shënuar, mirëpo Ersen Sali, Burhan Emrullahu dhe Izair Emini nuk ishin sa duhet të koncentruar në momentet vendimtare, duke lëshuar mundësi për të mbushur deri në fyt rrjetën e vendasve. Pas përfundimit të ndeshjes dhe mësimit të rezultatit të përballjes Napredok-Skopje, në stadiumin Mlladost në Strumicë u krijua festë e madhe e tetovarëve, të cilët festonin rrikthimin në pozitën e parë dhe këtë e bënin ironikisht pikërisht në vendin ku vitin e kaluar lëshuan rastin e fundit për tu inkuadruar në Ligën e Parë (pësuan 3:0 nga Pelisteri në ndeshjen e balotazhit). Me këtë fitore Shkëndija përsëri rrimer pozitën e parë, që e mbajti gjatë gjithë sezonit, ndërsa e humbi vetëm pas heqjes së 6-të pikëve nga ana e FFM-së, që mori urdhër për një gjë të tillë nga FIFA.
Në Kërçovë, Napredoku nuk lejoi befasi dhe mundi 3:2 Skopjen, duke u barazuar me pikë me Bregallnicën e cila luajti pa gola në Prilep me 11 Oktomvrin. Bregallnica ende është në vendin e tretë për shkak të goldiferencës më të mirë, mirëpo në fund përcakton dueli i drejtëpërdrejtë, kështu që në këtë drejtim Napredoku është më i suksesshëm dhe sipas gjithë gjasave do të jetë skuadra e tretë, pas Shkëndijës dhe Skopjes që do të inkuadrohet drejtëpërsëdrejti në Ligën e Parë. Në derbin shqiptar në Kërçovë, Vllazërimi mundi 2:1 Dritën dhe pas shumë kohe lëshoi pozitën e fundit në renditje. Ohri fitoi 3:2 Miracin, Novaci luajti pa gola me Cementarnicën, ndërsa me të njëtin rezultat u mbyll edhe takimi mes Lokomotivës dhe Vllaznimit të Strugës.

NË TETOVË U FESTUA FITORJA E SHKËNDIJËS
Lajmi për rrikthimin e Shkëndijës në pozitën e parë solli gëzim të madh në Tetovë, ku tifozët e skuadrës “kuq e zi” me shpejtësi u organizuan dhe dolnë në qendër të qytetit ku me zurla dhe tupana pritën kthimin e futbollistëve nga Strumica. Sigurisht që në Tetovë mbizotronte atmosferë festive kur në shesh u tubuan rreth 2000 tifozë të Shkëndijës. Gjithsesi paralajmërimet janë se festa e vërtëtet do të jetë të mërkurën, kur në Tetovë, Shkëndija do të zhvillojë ndeshjen e fundit kampionale përballë Ohrit, me çka od t’i thotë lamtumirë Ligës së Dytë, pasi pas dy viteve pauzë rrikthehet atje ku e ka vendin, në elitën e futbollit në Maqedoni.

Rezultatet e javës së 25-të:
Bellasica-Shkëndija 0:2,
Napredoku-Skopje 3:2,
11 Oktomvri-Bregallnica 0:0,
Vllazërimi-Drita 2:1,
Ohri-Miravci 3:2,
Novaci-Cementarnica 0:0 dhe
Lokomotiva-Vllaznimi.

Gjithashtu lexo

Osmani: Bëmë gabime në mbrojtje, do të ndryshojmë në lojën e ardhshme

Trajneri i Shkëndijës së Tetovës, Qatip Osmani nuk e ka përjetuar mirë humbjen nga Milani. …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *