Home / Sport / SHKËNDIJA SI LIDER RIKTHEHET NË LIGËN E PARË

SHKËNDIJA SI LIDER RIKTHEHET NË LIGËN E PARË

Atmosferë impozante, mbi 8 000 shikues të tubuar në tribunat e stadiumit të qytetit në Tetovë, së bashku me pjesën e pandarë të Shkëndijës, “Ballistët”, të cilët krijuan keorografi të shkëlqyeshme dhe fitore e lartë e “kuq e zinjëve”, janë fjalët me të cilat mund të përshkruajmë sado pak atë që të mërkurën ndodhi në Tetovë. Bashkë me Shkëndijën, në Ligën e Parë ngjitet Skopje dhe Napredoku, ndërsa Bregallnica do të luajë në balotazh përballë Milanos.

Shkëndija edhe zyrtarisht është rrikthyer në Ligën e Parë, pasi të mërkurën përfundoi sezoni garues në kategorinë e dytë të futbollit të Maqedonisë. Pas dy viteve pauzë skuadra “kuq e zi” rrikthehet atje ku e ka vendin dhe ku meriton të jetë. Në ndeshjen e fundit kampionale, Shkëndija pa shumë vështirësi mundi 4:1 ekipin e Ohrit, duke siguruar titullin e kampionit në Ligën e Dytë. Kjo gjë për skuadrën tetovare është satisfaksion i madh, pasi gjatë gjithë sezonit qëndruan në krye të renditjes, ndërsa pasi FIFA i hoqi 6-të pikë, Shkëndija zbriti në pozitën e tretë. Megjithatë, drejtësia në fund fitoi, pasi kësaj skuadre që dominoi tërësisht Ligën e Dytë, nuk i ngjante në fund të mos jetë lider. Të mërkuren qyteti i Tetovës ishte në atmosferë feste, pasi të gjithë ishin bashkë me Shkëndijën. Atmosferë impozante, mbi 8 000 shikues të tubuar në tribunat e stadiumit të qytetit në Tetovë, së bashku me pjesën e pandarë të Shkëndijës, “Ballistët”, të cilët krijuan keorografi të shkëlqyeshme dhe fitore e lartë e “kuq e zinjëve”, janë fjalët me të cilat mund të përshkruajmë sado pak atë që të mërkurën ndodhi në Tetovë. Ndeshja si ndeshje ishte në plan të dytë, pasi të përzgjedhurit e Qatip Osmanit, që në pjesën e parë shënuan 4 gola dhe vendosën fatin e takimit. Kapiteni Emrullahu solli epërsi në minutën e 3-të, ndërsa i njëjti futbollist ishte i saktë për 2:0. Ersen Sali në minutën e 36-të shënoi për 3:0, ndërsa goli i katër ishte vepër e Izair Eminit 6-të minuta para fundit të pjesës së parë. Mysafirëve, të cilët sezonin e ardhshëm do të luajnë në Ligën e Tretë, u kanosej të përjetojnë disfatë edhe më të thellë, mirëpo sulmuesit vendas nuk ishin të koncentruar sa duhet në momentet vendimtare, ndërsa vlen të ceket se në disa raste me mbrojtje të mira u dallua portieri mysafir Risteski. Në kushte kur lojë pas rezultatit 4:0 dukej e mbyllur, më interesante ishin ngjarjet në tribuna, posaçërisht në tribunën “Marshin Beqiri”, ku zakonisht vendosen “Ballistët”. Ata me të vërtetë në këtë përballje dhanë provimin e tyre, pasi ishin bukfalishit lojtari i 12-të i Shkëndijës, ndërsa meritojnë notën 10-të edhe për gjithë atë çka kishin përgatitur gjatë gjithë takimit. I vetëdishëm se Shkëndijës nuk i rezikohej fitorja, trajneri Qatip Osmani vendosi që të largojë nga loja futbollistët me më shumë përvojë, për tu dhënë mundësinë të përshëndeten me publikun. I pari nga loja doli portieri Suat Zendeli, që me minuta të tërë u përshëndet nga publiku tetovar, ndërsa ai për falemenderim dhuroi fanelën e tij, të cilën e hodhi në publik. Në vend të tij u inkuadrua portieri i ri Hadis Veliu. Në minutën 81 nga loja u tërhoq edhe kapiteni Emrullahu, dhe ky moment solli edhe më shumë ovacione nga tribunat. Emrullahu pasi hodhi fanelën në mesin e “Ballistëve”, u ngjit në tribunë duke udhëhequr në kor këngën e tifozëve të flaktë të Shkëndijës. Ai këtë sezon me shiritin e kapitenit udhëhoqi Shkëndijën në fushë, ndërsa në fund i’a lejoi vetes që këtë gjë të bëjë me publikun, duke u bërë një prej tyre. Katër minuta para mbylljes së takimit miqtë zbutën rezultatin përmes Ataj-t, mirëpo ky fakt nuk ndryshoi agjë në festën e Shkëndijës. I fundit nga loja u largua Elmazovski, që gjithashtu u përshëndet maksimalisht nga tifozët, ndërsa ovacione solli inkuadrimi i Muhamed Huseinit, i cili vendosi të luajë të paktën disa minuta edhe pse ka probleme me veshkët.
Fundi i takimit ishte fillimi i festës edhe më të madhe, kur nga të gjithë anët vini duartrokitje dhe ovacione për futbollistët “kuq e zi”. Edhe në teren u krijua rrëmujë, pasi fansat nxitonin të sigurojnë ndonjë fanellë, të cilat futbollistët kishin vendosur t’i hedhin në mesin e tifozëve. Më pas festa nga stadiumi i qytetit u transferua në sheshin e Tetovës, ku festa zgjati deri në orët e vona të mbrëmjes, pasi Shkëndija pas dy viteve në Ligën e Dytë, rrikthehet në elitën e futbollit në Maqedoni.
Sa u përket ndeshjeve tjera, nuk pati ndonjë rezultat që vret në sy. Skopje mundi 11 Oktomvrin dhe festoi inkuadrimin në Ligën e Parë, njëjtë si Napredoku që fitoi 2:3 në Strugë përballë Vllaznimit. Bregallnica barazoi 1:1 me Novacin dhe përmes balotazhit do të kërkojë inkuadrim në elitë. Vllazërimi i Kërçovës humbi 3:0 nga Miravci dhe përmes balotazhit do të kërkojë egzistencën në Ligën e Dytë. Në ndeshjet pa kurfarë vlere, Drita konfirmoi vendin e 5-të duke e mundur 3:1 Lokomotivën, ndërsa Cementarnica me rezultatin 4:1 shkeli Bellasicën.

Nderohen dëshmorët
Festa e Shkëndijës u madhështua me praninë e këngëtares tetovare Besiana Kasami “Big Mama”, e cila argëtoi publikun në stadium, ndërsa më pas këndoi “live” edhe në shesh të Tetovës. Vlen të ceket se para fillimit të takimit “Ballistët” kërkuan që me një minutë heshtje të nderohen dëshmorët : Kom. Kushtrimin, Harun Aliun, Shaban Zenunin, Xhafer Shallën dhe Qemal Mustafën. Gjithashtu që në momentet e festës u përkujtuan edhe të ndjerët Rametulla Baftjari-Tushi, Marshin Beqirin, dhe ish-trajneri i Shkëndijës dhe ndihmës seleksionuesi i përfaqësueses së Maqedonisë, Uran Umeri.

Kurtishi i pranishëm në Tetovë
Anëtari më i ri i përfaqësueses së Maqedonisë, Mensur Kurtishi, të mërkurën ishte mysafir nderi i KF Shkëndija. Sulmuesi kumanovar, që luan në skuadrën austriake FC Magna në mes dy pjesëve u paraqit në teren, ku në fjalën përshëndetëse Shkëndijës dhe tifozëve tetovarë u’a uroi inkuadrimin në Ligën e Parë. Drejtuesit e Shkëndijës nderuan edhe ish-futbollistin e tyre Argjend Beqiri, i cili gjithashtu përshëndeti manifestimin e Shkëndijës, ndërsa së bashku me Kurtishin ndihmëoi në realizimin e një lojë shpërblyese për tifozët. Kryesi e klubit tetovarë dhuroi një fanelë të klubit tifozit më të rregullt të Shkëndijës në këtë sezon, Xhelal Kuritishin.

Rezultatet e javës së 26-të:
Shkëndija-Ohri 4:1,
Skopje-11 Oktomvri 2:0,
Vllaznimi-Napredoku 2:3,
Bregallnica-Novaci 1:1,
Miravci-Vllazërimi 3:0,
Drita-Lokomotiva 3:1 dhe
Cementarnica-Bellasica 4:1.

Gjithashtu lexo

Shikoni çfarë ka bërë Barcelona pas sulmit terrorist (FOTO)

Klubi i Barcelonës ka reaguar pas sulmit terrorist në Barcelonë. Katalunasit e kanë bërë një …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *