Home / Sport / Shqipëria, ndaj Andorrës pa titullarët

Shqipëria, ndaj Andorrës pa titullarët

Kuqezinjtë nisën sot në qytetin e Durrësit përgatitjet për miqësoren ndaj Andorrës më 2 qershor, pa disa titullarë të cilët do të mungojnë për t’u lënë hapësirë të rinjve.

Kombëtarja e Shqipërisë në futboll pas fitores në Podgoricë me rezultat 1:0 kundër Malit të Zi, me 2 qershor do të ballafaqohet në stadiumin “Qemal Stafa” me Andorrën. Trajneri Josip Kuzhe u ka dhënë leje katër lojtarëve të formacionit bazë, të cilët nuk do të jenë të pranishëm në testin e “Qemal Stafës”: Cana, Bogdani, Curri dhe Dallku. Para kohe nga grumbullimi është larguar sulmuesi kryesor, Erjon Bogdani. 33-vjeçari do të bëjë ketë ditë pushime pas një sezoni të gjatë dhe aspak të lehtë në planin personal.

Ndërkohë, ai do të shfrytëzojë kohën në dispozicion për të shqyrtuar ofertat: Bogu do të largohet nga Kievo dhe destinacioni i tij më i mundshëm është Siena në Serinë B. Bardhezinjtë, me të cilët ka realizuar 13 gola në 49 ndeshje nga viti 2005 deri më 2007, i kanë ofruar një kontratë 2-vjeçare.

Përballë Andorrës, një kundërshtar modest dhe që të paktën në letër lë shumë mundësi për të eksperimentuar, Kombëtarja do të jetë thuajse pa mbrojtje. Lorik Cana, Armend Dallku dhe Debatik Curri kanë filluar pushimet. Nga titullarët, trajneri Kuzhe do të ketë në dispozicion vetëm Ansi Agollin, pasi edhe Kristi Vangjeli vazhdon fazën e rehabilitimit nga dëmtimi në gju. Prezenca e tij në fushë mbetet në dyshim. Në repartin e prapavijës, si alternativa kanë mbetur vetëm Andi Lila, Ditmar Bicaj dhe Endrit Vrapi.

Në ndeshjen e së mërkurës me skuadrën nuk do të jetë as Bekim Bala. Sulmuesi shkodran luajti në miqësoren e Kombëtares U-21 kundër Polonisë, prandaj është vendosur që ai të mos aktivizohet me Kombëtaren “A”. Kuzhe e vëzhgoi në takimin që përfundoi në barazim 2-2 dhe tashmë kërkon t’u japë një shans edhe të tjerëve.

Kjo, edhe për faktin se në sulm presin të provohen edhe Parid Xhihani dhe Ahmed Januzi, dy prej emrave të rinj të skuadrës. Në mesfushë një shans mund të ketë edhe mesfushori i Laçit, Emiljano Veliaj. Ndërsa portieri Samir Ujkani ka gjasa të mos grumbullohet fare, pasi nuk i ka zgjidhur ende problemet me pasaportën belge. Duke pasur parasysh emrin e kundërshtarit, Kuzhe pritet t’i japë mundësi Ervin Llanit të Laçit, që u grumbullua në minutat e fundit.

Gjithashtu lexo

“Ballistët” kallin Milanon (Foto/Video)

“Ballistët” janë duke bërë atmosferë fantastike në Milano. Grupi i tifozëve “Ballistët”, kanë udhëtuar për …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *