Home / Sport / Speciale / 10 yjet e sezonit në Premier Ligë

Speciale / 10 yjet e sezonit në Premier Ligë

Tabloidi britanik “The Sun” ka hartuar një listë me 10 lojtarët që sipas ekspertëve sportivë, kanë bërë një sezon më të mirë se të tjerët.

Në listë nuk janë përfshirë emra të tillë të njohur të futbollit anglez si Frenk Lampard apo Didier Drogba. Kampionati në Angli ka hyrë në javën finale të tij, me Çelsin që është fare pranë titullit në duel me Mançester Junaitid. Gjithsesi, “The Sun” saktëson se kjo është një listë subjektive e saj, por duke marrë në konsideratë impaktin e lojtarëve në skuadrat e tyre dhe në Premier Ligë në përgjithësi.

1. Uejni Runi
Sulmuesi i Mançester Junaitid u shndërrua në një makinë golash. Frymëzoi ekipin e tij në fitimin e “Carling Cup”. Runi koleksionoi dy çmimet individuale: “Lojtari më mirë i vitit” nga shoqata e futbollistëve profesionistë dhe “Lojtari i vitit” nga shoqata e gazetarëve sportivë në Angli.

2. Xhejms Milner
Lojtari më i mirë i Ri i vitit është në një formë mahnitëse te Aston Vila gjatë këtij sezoni. Shumë nga fansat e Vilës e vlerësojnë Milnerin për pasimi dhe krosimet e tij të klasit të parë. Një bast i fituar nga trajneri Martin O’Neil. Fabio Kapelo e ka mbajtur emrin e tij shënim.

3. Florent Maluda
Maluda nuk la ndonjë përshtypje të madhe kur mbërriti në “Stamford Brixh” nga Lioni në vitin 2007. Por francezi këtë sezon ka qenë në top-formë dhe ka shërbyer jashtëzakonisht shumë për Çelsin në rrugën drejt fitimit të titullit. Maluda ka realizuar një numër jo të vogël golash.

4. Karlos Tevez
Kur mbërriti te Mançester Siti nga rivalët e përjetshëm, Mançester Junaitid, pak besoni se ai do të shndërrohej në heroin e skuadrës. Megjithatë vështirë të gjendet një shembull më i mirë që i kushtohet tërësisht futbollit se sa Karlos Tevez. Performanca e tij është e nivelit të lartë.

5. Skot Parker
Pa shërbimet e Skot Parkerit, trajneri i Uest Hemit, Xhanfranko Zola, do ta kishte shumë pisk punën në luftën për mbijetesë në Premier Ligë. Ish-lojtari i Çelsit është shndërruar në një motor të fuqishëm të Uest Hemit, madje shënoi edhe golin që i siguroi qëndrimin në Premier Ligë skuadrës së tij.

6. Xho Hart
I huzuar nga Mançester Siti te Birmingami, portieri Xho Hart dëshmoi me aftësitë e tij të shkëlqyera se është i denjë për të qenë zgjedhja e parë e Fabio Kapelos në Kombëtaren e Anglisë. Ish-portieri i Anglisë U-21 ka një të ardhme të madhe, edhe pse ndoshta i duhet të presë për Botërorin.

7. Branislav Jovanoviç
Mbrojtësi i ashpër Branislav Jovanoviç ka bërë detyrën e vet me Çelsin, pavarësisht se në skuadrën londineze ka yje të tillë si Didier Drogba dhe Frenk Lampard në një sezon të madh të bluve. Por pa të, Blutë nuk do të ishin në pozicionin për të fituar si Premier Ligën ashtu dhe Kupën e Anglisë.

8. Bobi Zamora
Trajneri i Fulhamit, Roj Hodgson mund të ketë marrë shumicën e duartrokitjeve për udhëheqjen e klubit drejt finales së Ligës së Europës, por ai nuk do ta kishte arritur këtë kurrsesi pa shërbimet e Bobi Zamorës. Sulmuesi ka bërë një sezon të shkëlqyer, pavarësisht se ai nuk është në planet e Kapelos.

9. Tomas Vermaelen
Belgu mbërriti te Arsenali nga Ajaksi dhe iu desh fare pak kohë për t’i treguar trajnerit Arsen Venger se ai nuk kishte gabuar duke e blerë. Vermaelen ka shënuar për “Topçinjtë” tetë gola në sezonin e parë dhe ai është me të vërtetë një lojtar i talentuar i së ardhmes.

10. Geret Bejl
Është lojtari që tifozët e Totenhemit dëshironin të shikonin në formacionin startues të Heri Redknapit. Trajneri i dha një rol më të avancuar dhe ai dëshmoi se ishte i aftë ta mbulonte atë. Geret Bejl ka treguar qëndrueshmëri në lojë dhe ka shënuar disa gola të rëndësishëm në kampionat.

Gjithashtu lexo

Tifozët shqiptarë nga Tetova pushtojnë rrugët e Milanos, çfarë po ndodh para ndeshjes? (VIDEO)

Grupimi i tifozëve të Shkëndijes, “Ballistët” që shquhen edhe si një nga tifozeritë më të …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *