Home / Sport / Speciale/10 portierët që mund të ndërrojnë ekip në verë

Speciale/10 portierët që mund të ndërrojnë ekip në verë

Merkatoja e verës që hapet më 1 qershor pritet të përfshijë në vorbullën e vet edhe “gardianët” e portave. Ja 10 më të mundshmit për të ndryshuar ekip në sezonin e ardhshëm.

1. Hugo Loris (Olimpik Lion)
23-vjeçari ishte një nga pikat më të forta të Lionit në suksesin e Ligës së Kampionëve (për herë të parë në histori ekipi francez arriti në gjysmëfinale). Loris vlerësohet me rreth 12 milionë stërlina dhe për të janë të interesuar Arsenali, Mançester Junajtid dhe Bajerni i Mynihut.

2. Xhanluixhi Bufon (Juventus)
I vlerësuar disa herë si portieri më i mirë në botë, Bufon kërkohet me këmbëngulje nga Mançester Siti. 25 milionë stërlinat me të cilat vlerësoahet në merkato nuk përbëjnë problem për sheikët arabë që kanë në pronësi klubin e Premier Ligës. Çështja është nëse vetë portieri do të lërë rehatinë e Torinos për të ndërmarrë një aventurë në Angli.

3. Sebastian Frei (Fiorentina)
Francezi i portës së Fiorentinës pëlqehet si nga Mançester Junajtid (që kërkon një pasardhës të denjë për Van der Sarin), ashtu edhe nga Arsenali. Frei kushton rreth 15 milionë stërlina.

4. Igor Akinfeev (CSKA Moska)
Portieri i kombëtares së Rusisë është vetëm 24 vjeç dhe ka marrë shiritin e kapitenit të CSKA Moskës. Është shpallur portieri i ri më i mirë në botë gjatë viteve të fundit dhe shihet si alternativa kryesore për të zëvendësuar veteranin Edvin Van der Sarin në katërkëndëshin e “Djajve të kuq”. Për 15 milionë stërlina mund të quhet punë e mbaruar.

5. Xho Hart (Mançester Siti)
Pas një sezoni të jashtëzakonshëm te Birmingami në formë huazimi, 23-vjeçari kërkohet përsëri në “shtëpi” nga Roberto Mançini. Por si trajneri italian, ashtu edhe tekniku i Birmingamit, Aleks MekLish, duhet të mposhtin konkurrencën e Arsen Vengerit, që është gati të ofrojë tetë milionë stërlina për të marrë portierin i cili mund të jetë në avionin e Afrikës së Jugut me Anglinë.

6. David de Gea (Atletiko Madrid)
Vetëm 19 vjeç dhe spanjolli ka arritur të marrë postin e titullarit te Atletiko e Madridit, me të cilën sapo “rrëmbeu” trofeun e Ligës së Europës. Talenti i tij nuk mund t’i shpëtojë Aleks Fergusonit, që është gati të shpenzojë plot 15 milionë stërlina.

7. Manuel Nojer (Shalke 04)
Fergusoni e sheh si pasardhës të Van der Sarit, Van Gali në vend të Hans Jorg But, kurse Arsen Vengeri dëshiron një portier të sigurt për portën e “Topçinjve”. Të shohim nëse Shalke 04 do të pranojë ofertën prej 10 milionë stërlinash të ndonjërit prej tre klubeve gjigandë të futbollit europian.

8. Robert Grin (Uest Hem)
I konsideruar si një alternativë serioze për Fabio Kapelon në Kupën e Botës, Grin ishte një nga kontribuesit më të mëdhenj në mbijetesën e Uest Hemit në Premier Ligë. Ai vlerësohet rreth shtatë milionë stërlina në merkato dhe mund të kalojë te Arsenali ose te Shalke 04, nëse ikën Manuel Nojer.

9. Stiv Mandanda (Olimpik Marsejë)
Kampioni i saposhpallur i Francës, që kushton rreth 10 milionë stërlina, mund të jetë një nga kandidaturat serioze për portën e Mançester Junajtid. I sigurt dhe me reflekse për t’u admiruar, portieri i dytë i kombëtares franceze shpeshherë bën gafa, gjë që Fergusonit mund t’i kujtojë paksa Fabian Bartezin.

10. Dejvid Xhejms (Portsmuth)
39-vjeçari konsiderohet si një nga më të mirët në Angli dhe me rënien e Portsmuthit në kategorinë e dytë, Totenhemi mund ta marrë falas për ta pasur si rezervë edhe për një apo dy vite të tjerë.

Gjithashtu lexo

Kastriot Tusha dhe “Ballistët” këndojnë “Xhamadani vija vija” midis Milanos (Video)

“Ballistët” janë duke bërë atmosferë fantastike në Milano dhe atyre u wshtw bashkuar edhe Kastriot …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *