Home / Sport / Super Salihi, Kombëtarja mund Malin e Zi

Super Salihi, Kombëtarja mund Malin e Zi

Një gol spektakolar i bomberit shkodran dhjetë minuta para fundit i dha fitoren Kombëtares shqiptare në miqësoren përballë Malit të Zi në Podgoricë.

Kuqezinjtë e trajnerit Josip Kuzhe zhvilluan një lojë të mirë, sidomos në pjesën e dytë. Ekipi krijoi volum loje dhe disa raste për shënim në 45 minutat e para, por Bogdani, Agolli dhe Duro nuk arritën të konkretizojnë. Nga ana tjetër, edhe vendasit e udhëhequr nga kapiteni Mirko Vuçiniç u shfaqën disa herë të rrezikshëm para portës së Isli Hidit, por u treguan të pasaktë në momentin e fundit.

Kjo për meritë edhe të mbrojtjes sonë, që u tregua e sigurt gjatë gjithë ndeshjes. Me Lorik Canën gjithmonë në superformë, edhe mbrojtësit e tjerë (Agolli, Curri dhe Dallku) e patën më të lehtë të zmbrapsnin sulmet e malazezëve. Pas tentativave të njëpasnjëshme, ndeshja u zhbllokua 11 minuta para fundit nga Hamdi Salihi.

Bomberi që luan me Rapidin e Vjenës në Austri mori një pasim nga Muzaka, kontrolloi topin dhe me një të djathtë spektakolare nga jashtë zone dërgoi topin në rrjetën e vendasve. Shqipëria e administroi avantazhin deri në fund, duke i dhuruar teknikut Kuzhe kënaqësinë e fitores së parë jashtë fushe, ekzaktësisht një vit pas marrjes së drejtimit të kuqezinjve. Pas një jave (më 2 qershor) Kombëtarja do të luajë një tjetër takim miqësor, atë kundër Andorrës në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa”.

Gjithashtu lexo

Tifozët shqiptarë nga Tetova pushtojnë rrugët e Milanos, çfarë po ndodh para ndeshjes? (VIDEO)

Grupimi i tifozëve të Shkëndijes, “Ballistët” që shquhen edhe si një nga tifozeritë më të …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *