Home / Sport / Super Shkëndija-“pesëshe” për Novacin

Super Shkëndija-“pesëshe” për Novacin

Shkëndija e Tetovës si një tren i shpejtë ka kaluar Novacin, duke e mundur me rezultatin e lartë 5:0. Tetovarët me këtë fitore, dhe disfatën e Bregallnicës nga Napredoku, kalojnë në pozitën e dytë, me gjasa që deri në fund të kampionatit të rrikthejnë edhe pozitën e parë, të cilën e humbën në tavolinë (i’u morën 6 pikë me urdhër të FIFA-s).

Të shtunën u zhvilluan ndeshjet e javës së 24, pas të cilës vazhdojnë paqartësitë në kreun e tabelës. Para kësaj jave edhe përkundër heqjes së 6-të pikëve të Shkëndijës, dukej se “kuq e zinjtë” tetovarë, Bregallnica dhe Skopje do të jenë skuadrat që do të kualifikohen drejtëpërsëdrejti në Ligën e Parë, ndërsa Napredoku do gjendej në balotazh kundër Milanos. Megjithatë paqartësitë do të jenë të pranishme deri në fund, pasi Bregallnica këtë javë humbi 2:3 në fushë të vet kundër Napredokut. Tani Bregallnica bie në pozitën e tretë, ndërsa “kërcovarët” mbeten në vend të katërt, mirëpo me 48 pikë, dy më pak se ekipi nga Shtipi. Duket se në dy javët e fundit Napredoku me të gjitha forcat do të sulmojë pozitën e tretë, e cila siguron kualifikim të drejtëpërdrejtë në elitën e futbollit vendor. Nga epilogu i përballjes në Shtip, përfitoi Shkëndija e Tetovës, të cilët të motivuar plotësisht nga dënimi i FFM-së, kur me direktivë të FIFA-s i’u hoqën 6-të pikë, bukfalisht shkelën Novacin. Tetovarët shënuan fitore të lartë me shifrat 5:0, duke kaluar në pozitën e dytë në renditje. Shkëndija në këtë takim hyri furishëm, sikur donte të tregojë se është më e mira në këtë kategori dhe se nuk i ngjan asnjë pozitë tjetër, përvec vendit të parë në Ligën e Dytë, pozitë kjo e cila pa të drejtë u mor në tavolinë. Paraqitja e futbollistëve të veshur me kuq e zi në këtë takim ishte thjesht fenomenale, me shumë kombinime, aksione fantastike, gola të bukur dhe dominim total në fushën e lojës. Në momente të caktuara futbollistët e Shkëndijës luanin në stil aq të lartë, sikur dëshironin të thonë “ne jemi më të mirët e kësaj lige”. Vendosshmëria e vendasve dha fryt që në minutën e 3-të të takimit, kur në rëmujën që u krijua pas rivënies nga këndi, Ersen Sali nuk e pati të vështirë të shënojë për epërsi të Shkëndijës. Në minutën e 16-të të takimit tjetër aksion fantastik i Shkëndijës, ndërsa pas assistit të Emrullahut, Sali edhe një herë ishte i saktë, duke ngritur shifrat në 2:0. Dy minuta më vonë kapiteni i ekipit Burhan Emrullahu përgatiti një mjeshtëri të vogël, duke depërtuar në zonën kundërshtare në stilin “ala Messi”, dhe me goditje precise solli golin e tretë në rrjetën kundërshtare. Vendasit edhe në vijim vazhduan “të qëndisin” në terren, mirëpo ndryshim nuk pati deri në minutën e 41, kur Ferhan Hasani me një parabolim të bukur mposhti portierin mysafir Pece Trajçevski, për rezultat 4:0. Në aksionin e rradhës, Emrullahu mundej të shënojë për 5:0, mirëpo më i shpejtë u tregua portieri mysafir. Në këtë duel, kapiteni “kuq e zi” u lëndua dhe u desh të braktisë lojën, duke u zëvendësuar me Gllavevskin. 4:0 u mbyll pjesa e parë, ndërsa me të filluar e dyta, Ilir Elmazovski solli një tjetër moment magjik në këtë paraqitje fenomenale. Anësori i djathtë i Shkëndijës në minutën e 49-të nga një largësi e madhe shënoi gol që rrallë herë shihet në stadiumet tona. Ndoshta në fakt qëllimi i Elmazovskit ishte që të krosojë, mirëpo kjo gjë nuk e ndryshon faktin se goli ishte fantastik, ndërsa Shkëndija avansoi 5:0. Na vazhdim vendasit kishin tjera raste për të shënuar, mirëpo deri te ndryshimi i rezultatit nuk erdhi.
Në ndeshjet tjera, lideri i renditjes Skopje nuk pati problem me Lokomotivën, duke fituar 2:0, Drita fitoi derbin shqiptar me Vllaznimin, ndërsa pas njëkohe të gjatë fitores i’u gëzua anëtari i ri i Ligës së tretë, Vllazërimi (vetëm fitorja e dytë në kampionat). Cementarinca fitoi 2:1 përballë 11 Oktomvrit, ndërsa Miravci mundi 3:1 Bellasicën.

Rezultatet e javës së 24:
Shkëndija-Novaci 5-0
Skopje-Lokomotiva 2-0
Bregallnica-Napredoku 2-3
Drita-Vllaznimi Trim Lum 2-0
Vllazërimi-Ohri 2-1
Miravci-Bellasica 3-1 dhe
Cementarnica-11 Oktomvri 2-1.

Gjithashtu lexo

Osmani: Bëmë gabime në mbrojtje, do të ndryshojmë në lojën e ardhshme

Trajneri i Shkëndijës së Tetovës, Qatip Osmani nuk e ka përjetuar mirë humbjen nga Milani. …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *