Home / Sport / Trepça kampion i Kosovës

Trepça kampion i Kosovës

Java e fundit kaloi me gëzime, me dëshpërime, por pati edhe dorëheqje nga posti i kryetrajnerit. Trepça kampion i ri, ndërsa shënuesi më i mirë Labinot Osmani.

E veçanta e javës së 33-të të Raiffeisen Superligës së Kosovës në futboll është rekordi i shikueshmërisë në stadiumin e qytetit “Adem Jashari” në Mitrovicë, ku ishin tubuar më së 20 mijë adhurues. Ky është rekordi i parë i pasluftës për shikueshmëri dhe që kujtoi kohët e arta të Trepçës në vitet 1977-78 kur luante në ish-ligën e parë të shtetit që nuk ekziston më, Jugosllavia. Atmosferë e zjarrtë në stadiumin “Adem Jashari” në Mitrovicë, që ka dhënë provimin në përgjithësi si për nga organizimi i mirëfilltë, nga animi korrekt i adhuruesve “Torcida” dhe duke dëshmuar se futbolli i Kosovës gradualisht po ngritët si për nga cilësia po ashtu edhe nga shikueshmëria. Trepça shpallet kampion i ri dhe me plotë meritë, duke i dhënë gëzimin e madh qytetit të Mitrovicës. Në Mitrovicë i madh dhe i vogël, kush më shumë dhe kush më pak në mënyrën e vet e kremtuan titullin e shumëpritur që nga vitet 1992-93. Kremte e jashtëzakonshme që zgjati deri në orët e mëngjesit. Kryetrajneri Gani Sejdiu, me punën e tij të palodhshme, duke u nisur nga kryesia, futbollistët, adhuruesit dhe në përgjithësi ia bënë hyzmetin punës në mënyrë profesionale dhe në fund me 59 pikë të tubuara stolisen me titullin e kampionit. Elvis Osmani, mjeshtër i futbollit, gjatë do të mbetet në kujtesën e adhuruesve jo vetëm që i solli titullin me dy golat e tij, por evrogoli që shënoi për epërsinë 2:1 i ka dhënë shije të jashtëzakonshme këtij spektakli që prej tri dekadave nuk ishte parë në stadiumin e Trepçës. Java e 33-të ka qenë edhe e kobshme për skuadrat mike. Gjashtë ndeshje, gjashtë fitore të vendasve dhe asnjë pikë për udhëtuesit. Nga gjashtë ndeshje mysafirët shënuan vetëm katër gola dhe pranuan 11 gola. Javë që nuk kaloi edhe pa dorëheqje. Kampionati i sapo-përfunduar duhet që të mbahet mend jo vetëm për nga shikueshmëria që pati në stadiumin e Trepçës më së 20 mijë, por edhe nga ndërrimet të shpeshta të trajnerëve që ndodhën në shumë skuadra. Edhe java e fundit nuk shpëtoi pa dorëheqje. Arsim Abazi, pasi siguroi mbetjen në ligë të Ferizajt e pa të arsyeshme të jap dorëheqje. Dorëheqje që një kohë është përfolur se mund të ndodh, megjithatë ndodhi në javën e fundit. Emrat e mundshëm flitet se mund të jenë Naim Sojeva, por në kombinim janë edhe disa të tjerë. Dëshpërimi më i madh këtë kampionat ka qenë për adhuruesit vushtrrias, “Forca”, që nuk e kishin menduar se skuadra e zemrës, Kosova, këtë vit do të bie nga liga. Dëshpërimi edhe më i madh është për qytetin e Gjilanit, për faktin se në Superligë mbesin pa asnjë skuadër. Gjilani nga edicioni i ri do të bëjë gara një rang më poshtë. Sa i përket shënuesve më të mirë, padyshim se është Labinot Osmani i Hysit me 17 gola, ndërsa vendin e dytë e ndajnë Elvis Osmani (Trepça) e Mentor Zhdrella (Hysi) me nga 14 gola, ndërsa në vend të tretë është Artan Gashi (Flamurtari) e Berat Grabovci (KEK-u) me nga 12 gola, i pesti Granit Çekaj (Besa) me 11 gola, kurse pozitën e gjashtë renditen Liridon Hasani (Gjilani), Enis Zabërgja (Hysi) e Premton Muja (Drenica) me nga 10 gola.

Gjithashtu lexo

Shikoni çfarë ka bërë Barcelona pas sulmit terrorist (FOTO)

Klubi i Barcelonës ka reaguar pas sulmit terrorist në Barcelonë. Katalunasit e kanë bërë një …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *