Home / Sport / Anglezët në panik frikë nga mallkimi i penalltive

Anglezët në panik frikë nga mallkimi i penalltive

Penalltitë janë ato që trembin më shumë anglezët në prag të sfidës së sotme ndaj Gjermanisë, më e forta e kësaj faze të Kupës së Botës.

Fabio Kapelo kërkon që gjithçka të përfundojë brenda 90 minutave, në mënyrë që të mos përsëriten dramat e Botërorit të vitit 1990 apo të Europianit ’96. Është makthi i së shkuarës që përsëritet në vitin 2010. Arsyeja në fakt është bindëse: Anglia është eliminuar nga penalltitë në 5 nga 8 turnetë e saj të fundit: në Botërorin e 1990, në atë të 1998 dhe në të 2006, por edhe në Europianin e vitit 1996 dhe në atë të 2004. Duket si një mallkim për “Tre Luanët”, kështu që për Fabio Kapelon nuk mund të mungonte një pyetje e tillë në konferencën e djeshme për shtyp. “Jemi stërvitur çdo ditë për këtë, por shpresoj që të mos jenë të nevojshme”, tha italiani. Por, ndeshja me Gjermaninë mund të ishte evituar nga Anglia, e cila u rendit e dyta në grupin C, duke lejuar që një supersfidë e tillë të vinte pikërisht në këtë fazë. “Unë megjithatë jam i lumtur, sepse kemi gjetur shpirtin tonë dhe fizikisht jemi mirë, – u shpreh trajneri italian. – Është vërtetë një ndeshje e madhe, një nga më të mirat që mund të shohësh përpara gjysmëfinaleve”, tha ai.
Skuadra
Dyshimi i vetëm për teknikun e Anglisë në ndeshjen e sotme, është se kë të vendosë në krah Xhon Territ në qendër të mbrëmjes, ndërsa pjesa tjetër e ekipit pritet të jetë e njëjtë me atë që mposhti 1-0 Slloveninë në takimin e fundit në grup. Lajmi i mirë është fakti se Kapelo ka në dispozicion të 23 lojtarët, ndërsa edhe Uejn Runi e Ledli King janë stërvitur rregullisht me grupin. Sulmuesi i Mançester Junajtid nuk ka qenë ai që pritej në tre takimet e para, por Kapelo e ka mbrojtur, duke thënë: “Është një nga lojtarët më të fortë të planetit. Luajti shumë mirë ndaj Sllovenisë, dha një asist fantastik për Xherard, kështu që jam i kënaqur nga paraqitja e tij”. Ndërkohë mbrojtësi i Totenhemit është rikuperuar, por sipas trajnerit italian, ai nuk e ka vendin të sigurt. “Ledli është stërvitur normalisht, ashtu si të tjerët. Më duhet të vendos se cili të luajë në krah të Territ, pasi Apson, Karrager dhe King kanë luajtur mirë, por tani më duhet të zgjedh”, shtoi ai.
Ferdinand
Rio Ferdinand, një nga mungesat e mëdha të kësaj Anglie, deklaron që nga shtëpia se fjalët e thëna nga Franc Bekenbauer se anglezët janë idiotë që nuk shmangën përballjen me Gjermaninë, do t’i motivojnë më shumë futbollistët britanikë. “Mendoj se këto momente do t’i bien në kokë Bekenbauerit, – tha Ferdinand. – Ndoshta Franc nuk e priste që Gjermania dhe Anglia të ndesheshin kaq shpejt. Ndoshta ai ka kërkuar që të na demoralizojë, por për mendimin tim na ka bërë më të fortë. Megjithatë, unë kam shumë respekt për kombëtaren gjermane”, tha mbrojtësi anglez. Ndërkohë, sulmuesi Uejn Runi duket se nuk i trembet aspak kësaj sfide. “Jo, nuk kemi aspak frikë, – deklaroi ai. – Gjermanët i pashë në ndeshjen e parë dhe më bënë një përshtypje të mirë, por më pas e kuptova që janë të thyeshëm”, u shpreh Runi.

Gjithashtu lexo

Tifozët shqiptarë nga Tetova pushtojnë rrugët e Milanos, çfarë po ndodh para ndeshjes? (VIDEO)

Grupimi i tifozëve të Shkëndijes, “Ballistët” që shquhen edhe si një nga tifozeritë më të …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *