Home / Sport / Benitez, lamtumirë Liverpul; gati për Interin

Benitez, lamtumirë Liverpul; gati për Interin

Rafael Benitez nuk është më trajner i Liverpulit. Tashmë spanjolli është i lirë për të zëvendësuar Hoze Mourinjon në krye të stolit zikaltër.

Lajmin e ”divorcit” e ka bërë të ditur vetë klubi anglez, nëpërmjet një njoftimi në faqen e internetit. Në komunikatë thuhet se vendimi ka qenë me konsensus nga të dyja palët dhe Benitez do të paguajë shtatë milionë euro. “Rafa do të jetë gjithmonë pjesë e historisë së Liverpulit, pasi solli trofeun e Championsit në finalen epike të Stambollit. Por pas një sezoni zhgënjyes, të dyja palët kuptuan se ndarja ishte vendimi më i mirë për të gjithë”, thuhet në njoftim.

“Jam shumë i trishtuar t’ju njoftoj se nuk jam më trajner i Liverpulit – ka thënë tekniku spanjoll -. Dua të falenderoj gjithë stafin dhe lojtarët për punën e tyre. Do t’i mbaj gjithmonë në zemër momentet e bukura që kalova këtu, mbështetjen e madhe të tifozëve edhe në momentet më të vështira. Ndihem krenar që kam qenë trajneri juaj”.

Spanjolli qëndroi në ”Anfield Road” për gjashtë sezone, duke i drejtuar të Kuqtë drejt fitimit të Ligës së Kampionëve dhe Superkupës së Europës në vitin 2005. Tashmë rruga drejt Milanos është e lirë. Me shumë mundësi ai nuk do të vijë vetëm, pasi drejtuesit zikaltër kanë parashikuar qysh nesër një takim me agjentin e mesfushorit argjentinas, Havier Maskerano.

Gjithashtu lexo

Osmani: Bëmë gabime në mbrojtje, do të ndryshojmë në lojën e ardhshme

Trajneri i Shkëndijës së Tetovës, Qatip Osmani nuk e ka përjetuar mirë humbjen nga Milani. …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *