Home / Sport / Botërori 2010, të gjithë yjet në sulm

Botërori 2010, të gjithë yjet në sulm

Sytë te Mesi, Ronaldo, Runi, Torres e Drogba.
Të dashur djem, presim shumë nga ju! Nëse nuk shënoni, humbni vendin në skuadrën reale dhe atë magjike. Prandaj futjuni punës: vishni këpucët e protagonistit. Në një muaj mund të ndryshojnë shumë gjëra, dhe jo gjithnjë për mirë. Është e vështirë jeta e sulmuesit.

Kupa e detajeve — Katër të parët, sipas kostos, janë lojtarë të maturuar. Mesi (36 kredite), Kristiano Ronaldo (35), Runi (33) dhe Torres (32): mund të diskutojmë deri në pafundësi se kush është më i miri. Ushtria e “ronaldianëve” mund të argumentojë se portugezi është më i fortë se sa “Pleshti” argjentinas, i cili nuk ka qenë asnjëherë vendimtar në një botëror; por fansat e Runit e konsiderojnë atë si sulmuesin më të kompletuar në botë dhe është një gjysmë-blasfemie ta shikosh pas Ronaldos e Mesit. Po Torres? Njeriu që ka zgjidhur finalen e Europianit dy vite më parë, vjen nga një sezon i trazuar për shkak të dëmtimeve dhe ndoshta nuk do të luajë as në ndeshje inauguruese. Morali i kësaj është: katër kredite diferenca mes tyre, por edhe jo. Duke u mbështetur te një prej këtyre katër fenomeneve, do të ecni të sigurt. Nëse do të citonim Murinjon, kupa të tilla vendosen vërtet nga detaje. Prandaj, të paktën në këtë pjesë të parë të Botërorit, duke analizuar grupe të ndryshme, Mesi e Runi nisen pak përpara në krahasim me të tjerët.

Pritja e Drogbasë — Përfundoi era e Ronaldos (Luis Nazarios), Brazili ka vetëm një sulmues të vërtetë race: Luis Fabiano. Prandaj vlera e tij është objektivisht pak më e lartë në krahasim me realen: 30 milionë euro janë një investim i madh, por meqë “O’ Fabuloso” është pika kyçe e Brazilit, statusin e titullarit dhe kandidaturën e golashënuesit të Botërorit nuk ia heq askush. As David Vija, që kushton thuajse sa ai. Një sulmues, i cili ka shkëlqyer në fundin e sezonit, është uruguaiani Forlan me 23 kredite. Ekziston ideja e çmendur se mund të shkëlqejë, por për këtë duhet parë nëse do të arrijë në 16-she. E njëjta gjë edhe për Eto’o (23 milionë vlen edhe ai). Më e vështirë është të vlerësosh situatën e Drogbasë: edhe afrikani kushton 23, por dëmtimi duket i rëndë. Qarkullon një ide se mund ta marrë veten për ndeshjen e tretë, ndaj Koresë së Veriut.

Milito, ai ia vlen? — Pastaj është çështja “Milito”. Tek Argjentina është sulmuesi i dytë më i kushtueshëm, pas Mesit. Problemi qëndron se për Maradonën, “El Principe” është i pesti, nëse jo i gjashti i zgjedhur për sulmin. Pas Higuainit (25 kredite), Tevez (21), Aguero (20) e Martin Palermo (5). Themi se heroit të Champions-it të Interit i mjaftojnë 10 minuta për të lënë shenjë, dhe se vlerat e tij janë të padiskutueshme. Prandaj kushton 28 milionë, me bindjen që Maradona nuk do të gjejë mundësinë të hedhë në fushë edhe adashin e tij, Diego.

Kuarteti portokalli — Në listën e sulmuesve shfaqen edhe Riberi (28 kredite) e Roben (26), edhe pse në realitet janë më shumë fantazistë. Në përgjithësi, sulmi i Holandës premton gjëra të mëdha: Van Persie (27), Kajt (20) e Huntelar (18) janë një miks i këndshëm dhe me shije. Me Shnajderin pas tyre vjen era goleadë. Po Italia? Xhilardino kuotohet me 27 kredite, Di Natale 25, Pacini 18 dhe Iakuinta 15. Këta janë ende një pikëpyetje e madhe. Te Gjermania duhet t’i besojnë sërish Kloses (26), Gomez (21) dhe Podolskit (20). Sulmuesit e tjerë varen nga kombëtaret e tyre, jo në nivelin e duhur.

Gjithashtu lexo

City: 300 mln euro për Messi-n – (VIDEO)

Klubi anglez, Mançester Sity është i gatshëm të bëjë çmendurinë e radhës në tregun e …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *