Home / Sport / Brazil-Kili, Robinjo është ‘xholi’ i Dungës

Brazil-Kili, Robinjo është ‘xholi’ i Dungës

Brazili do të ketë një përballje deri diku të lehtë sot në mbrëmje përballë Kilit, por skuadra e drejtuar nga Karlos Dunga i druhet shumë asaj të Bielsës.

Arsyeja lidhet me futbollin e treguar nga kilianët në këtë Botëror. E megjithatë, statistikat në favor të Brazilit janë të frikshme. Pesë herë kampionët e botës kanë fituar 8 përballjet e fundit me Kilin, ndërsa nuk humbasin ndaj tyre që prej kualifikueseve të Kupës së Botës 2002. Veç kësaj, që kur në krye të Seleçaos është Dunga, pra që nga gushti 2006, Brazili ka fituar pesë herë rresht, duke u shënuar 20 gola rivalëve, 6 prej të cilëve nga Robinjo. “Statistikat nuk kanë asnjë vlerë, do të jetë një ndeshje e fortë”, deklaroi dje Karlos Dunga. Ndërkohë, Robinjo, që do të jetë “i vëzhguari special”, thotë: “Gjithnjë kam ecur kundër tyre, pasi u kam shënuar 6 gola”. Ai do të kthehet si titullar pas një dëmtimi në kofshë që e detyroi të qëndronte jashtë në ndeshjen me Portugalinë. “Nuk ishte një gjë serioze, nëse do të ishte një ndeshje decizive do të kisha sakrifikuar dhe do të kisha luajtur, – shpjegon Robinjo. – Mjekët më ndaluan, por ndaj Kilit do të jem. Kjo është një skuadër që më sjell fat dhe mendoj se varet shumë nga Zoti”, deklaroi braziliani.

Zamorano: Nuk është surprizë të fitojë Kili
Në kampin e Kilit besojnë se kjo është hera e duhur për të mundur një rival të madh si Brazili. “Për mënyrën sesi po luan, nuk do të ishte aspak normale nëse Kili mund 5 herë kampionët e botës, – deklaroi Ivan Zamorano, ish-sulmuesi i përfaqësueses kiliane. – Ne jemi duke zhvilluar një Botëror të mirë, kemi treguar diçka ndryshe. Kemi një skuadër që nuk mendon të mbrohet, sulmon shumë dhe për këtë nuk është surprizë të fitojmë ndaj Brazilit”, shtoi ai. Por, Zamorano është i qartë se kush është favoriti: “Nëse ata luajnë 5 apo 10 minuta në nivelin e tyre, mund të shënojnë 2-3 gola”, tha ai. Kilianëve megjithatë u duhet të bëjnë pa lojtarët e skualifikuar Estrada, Medel e Ponce. Marselo Bielsa është munduar ta fshehë formacionin në prag të takimit të sotëm, duke e ditur se shtypi brazilian është duke u përpjekur të spiunojë. Bielsa rreshton gjithnjë skuadrën titullare përballë rezervave në stërvitje, por dje ka vepruar ndryshe, duke “përzier kartat”. Ai ka zhvilluar një punë me reparte të veçnta, duke ndarë mbrojtësit, mesfushorët dhe sulmuesit. Problemi më i madh lidhet me qendrën e mbrojtjes, ku mungojnë Medel e Ponce.

Gjithashtu lexo

Osmani: Bëmë gabime në mbrojtje, do të ndryshojmë në lojën e ardhshme

Trajneri i Shkëndijës së Tetovës, Qatip Osmani nuk e ka përjetuar mirë humbjen nga Milani. …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *