Home / Sport / Gjermania e Anglia luajnë shanset e fundit në Afrikë

Gjermania e Anglia luajnë shanset e fundit në Afrikë

Gjermania e Anglia luajnë sot shansin e fundit për të kaluar në turin tjetër të kampionatit botëror.

Gjermanët do të kenë një ndeshje në dukje të lehtë ndaj Ganës, megjithatë ata kanë nevojë për një fitore për të mos i lënë asgjë në dorë rastësisë. Por, edhe përpara takimit të sotëm, ata kanë treguar se janë njerëz korrektë dhe tepër precizë. Arsyeja? Kombëtarja gjermane ka bërë gati valixhet për t’u larguar dhe ka prenotuar fluturimin me destinacion Johanesburg-Frankfurt që të enjten në mëngjes, në rast eliminimi. Lajmi është bërë i ditur nga e përditshmja “Bild”, që shkruan: “Shpresojmë që fluturimi i të enjtes të anulohet”. Kjo e përditshme saktëson gjithashtu se Federata Gjermane ka prenotuar orarin e fluturimit edhe për turet e ardhshme të Kupës së Botës, pra një ditë pas ndeshjes së të tetave të finales, të çerekfinales e me radhë. Një vendim i tillë është marrë duke parë numrin e madh të fluturimeve që nisen këto ditë nga Johanesburgu. Ndërkohë, përsa i përket ndeshjes, trajneri Joakim Lëv pret të njëjtën skuadër që mposhti 4-0 Australinë, por këtë herë në vend të Miroslav Kloses do të luajë braziliani i natyralizuar, Kakau. Lajmi është bërë i ditur nga vetë tekniku gjerman në konferencën e djeshme për shtyp. “Unë kam më shumë kënaqësi, sesa frikë të luaj këtë ndeshje, – tha ai. – Pres një sfidë me intensitet të lartë, por skuadra nuk është nervoze dhe e pasigurt. Kemi besim, jemi të bindur se mund të fitojmë. Në çdo aksion dua të shoh dëshirën tonë për të fituar”, deklaroi Joakim Lëv.
Anglia
Ndërsa Gjermania ndeshet me Ganën, Anglisë së Fabio Kapelos i duhet të mposhtë Slloveninë e Matjazh Kek në takimin që do të luhet sot në orën 16.00. Në kampin britanik nuk ekziston aspak qetësi dhe duket se ata po i ngjajnë Francës, sidomos pas deklaratës së Xhon Territ, që doli kundër trajnerit Fabio Kapelo. “Trajneri duhet të na pyesë edhe ne kur merr vendime, ndryshe nuk mund të ecet përpara”, tha mbrojtësi i Çelsit. Por, dje ai ka kërkuar falje publike për këtë, duke thënë se i kishte folur zemra dhe jo truri. “Nuk do ta lë jashtë, pavarësisht fjalëve që ka thënë, – u shpreh në mënyrë drastike Fabio Kapelo për Terrin. – Ai është një nga njerëzit më të rëndësishëm të kësaj skuadre, për ne tani është e rëndësishme vetëm ndeshja me Slloveninë, ku duhet të luajmë për të fituar”. Po si është raporti mes Kapelos dhe futbollistëve anglezë? “I shkëlqyer, – konfirmon italiani, – sepse, sa herë që flas me ta, shoh që më ndjekin, janë të kënaqur. Presion i lartë? Jam mësuar me pragsfida të tilla, ndonëse ishin ndeshje klubesh. Këtë herë është ekip kombëtar dhe presioni është ndryshe”, u shpreh Kapelo.

Gjithashtu lexo

Osmani: Bëmë gabime në mbrojtje, do të ndryshojmë në lojën e ardhshme

Trajneri i Shkëndijës së Tetovës, Qatip Osmani nuk e ka përjetuar mirë humbjen nga Milani. …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *