Home / Sport / Grupi H, kalojnë Spanja e Kili, Zvicra ikën nga Botërori

Grupi H, kalojnë Spanja e Kili, Zvicra ikën nga Botërori

Me padurim kanë pritur shqiptarët fitoren e Zvicrës dhe kualifikimin e kësaj përfaqësuese në të tetën e finales së Botërorit 2010, por nuk ndodhi kështu. Zviceranët e Valon Behramit, Albert Bunjakut dhe Xherdan Shaqirit nuk arritëm më shumë se vetëm një barazi me Hondurasin, kështu që vazhdimin e kampionatit botëror në futboll do ta shikojnë nga shtëpitë e tyre.

Spanja dhe Kili janë bërë skuadrat e fundit që kanë siguruar kalimin për në turin tjetër të Kupës së Botës. Kampionët e Evropës e mbyllën grupin H në vendin e parë, pas fitores 2-1 të arritur ndaj amerikano-jugorëve, në një ndeshje mjaft të bukur, sidomos deri në minutën e 80-të, kur dy skuadrat u pajtuan me rezultatin dhe luanin secila në gjysmëfushën e saj. Për ekipin e Del Boskes, takimi i mbrëmshëm ishte vendimtar, duke qenë se “demave” u duhej patjetër të fitonin, por edhe të shmangnin një përplasje me Brazilin që në 1/8 e finales.
Spanjollët kanë ditur të rikthehen në lojë pas humbjes shokuese me Zvicrën në takimin e parë, madje tani e shohin veten në krye të grupit. Ndeshja nisi shumë e shpejtë për kilianët, që krijuan dy raste të mira, por pa arritur të shënojnë. Në momentin më të mirë të Kilit, Spanja ka gjetur rrugën e avantazhit me anë të David Vijës. Portieri Klaudio Bravo doli në mënyrë të gabuar dhe që nga 40 metra, sulmuesi i ri i Barcelonës e dërgoi topin në rrjetë. Një gol që i çliroi spanjollët, ndërsa minuta e 37-të solli edhe golin e dytë. Vija pasoi bukur për Iniestën, i cili goditi me një mjeshtëri të rrallë, duke dyfishuar shifrat. Në të njëjtin aksion Estrada doli me karton të kuq për një faull ndaj Fernando Torres. Por, pavarësisht kësaj, skuadra e drejtuar nga Marselo Bielsa u rifut në lojë në minutën e 47-të. Milar goditi bukur dhe topi i devijuar përfundoi në rrjetën e Kasijas. Por, deri në fund të ndeshjes fjalën e parë e kanë patur spanjollët, të cilët kanë krijuar raste të shumta.
E megjithatë, 10 minutat e fundit ishin një teatër futbolli, pasi dy skuadrat nuk kanë menduar aspak të sulmojnë, por kanë qëndruar në gjysmëfushat e tyre duke qarkulluar topin. Pas këtij takimi, spanjollët do të ndeshen me Portugalinë më 29 qershor, ndërsa Kili do të ketë përballë Brazilin më 28 qershor.

Ndërkohë, në takimin tjetër Zvicra nuk mundi të shkojë më shumë se një barazim pa gola ndaj modestëve të Hondurasit, duke i dhënë lamtumirën Kupës së Botës. Skuadra helvetike kishte nevojë për një fitore 2-0 ndaj amerikano-qendrorëve, por nuk ka arritur të shënojë dot asnjë gol. Një gjë e tillë tregon se Zvicra mbetet një ekip mbrojtës dhe e ka të vështirë të luajë kur i duhet të sulmojë. Ndërsa Hondurasi u largua me kokën lart nga ky Botëror, duke mos toleruar asgjë edhe pse i eliminuar.

Gjithashtu lexo

Tifozët shqiptarë nga Tetova pushtojnë rrugët e Milanos, çfarë po ndodh para ndeshjes? (VIDEO)

Grupimi i tifozëve të Shkëndijes, “Ballistët” që shquhen edhe si një nga tifozeritë më të …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *