Home / Sport / Kur botërori luhet brenda familjes

Kur botërori luhet brenda familjes

Pjesëmarrja në Kupën e Botës është ëndërr e çdo futbollisti dhe çdo prind dëshiron të shohë fëmijën të luajë në një veprimtari të tillë. Për disa, botërori në Afrikë është çështje familiare.

Ka nga ata që në dhomën e hotelit ku do të grumbullohet kombëtarja, të jenë së bashku me vëllanë futbollist, por ka edhe nga ata që do ta kenë kundërshtar në fushën e lojës. Po kështu, trajneri i ekipit mund të jetë babai i një lojtari, madje mund të jetë edhe vjehrri.

Për shembull, në kombëtaren e Bregut të Fildishtë luajnë vëllezërit Ture (Kolo dhe Jaja), ashtu si te Hondurasi, me Xhoni dhe Uillson Palacios. Rastësi? Jo, sepse e njëjta gjë ndodh edhe në kombëtaren japoneze, me vëllezërit Nakamura (Shunsuke dhe Kengo). Doni më? Ah, po, te Paraguai: Edgar dhe Diego Barreto.

Por nëse dyshet e sipërpërmendura kanë fatin të luajnë përkrah njëri-tjetrit, nuk ndodh e njëjta gjë me dy çifte të tjerë vëllezërish. Për shembull, trajneri i Meksikës, Havier Agirre, preu në mes ëndrrën e vëllezërve Dos Santos për të qenë të dy në botëror, duke thirrur vetëm të madhin, Xhovanin, dhe duke lënë jashtë Xhonatanin.

Por më e veçantë është historia e vëllezërve Boateng. Të dy kanë lindur në Gjermani, por në botëror do të përfaqësojnë kombëtare të ndryshme. Zheromi do të veshë fanellën e Gjermanisë, kurse Kevin-Princ atë të Ganës. Por më e bukura është se fati i ka rezervuar një surprizë të (pa)këndshme: më 23 qershor ata gjejnë përballë njëri-tjetrin në ndeshjen e vlefshme për grupin D.

Duke i hedhur një sy listës së 768 protagonistëve të Afrikës së Jugut, dallojmë të tjera lidhje farefisnie. Te kombëtarja sllovene janë kushërinjtë Handanoviç (Samir dhe Jasmin), të dy portierë. Te Kameruni e njëjta gjë (Rigobert e Aleksandër Song). Madje te SHBA-të dhe te Sllovakia lidhja e gjakut është akoma më e afërt. Bob Bredli, trajneri i kombëtares amerikane, do të ketë nën urdhrat e veta të birin, Majkëll. Po kështu edhe te sllovakët, ku tekniku Vladimir Veis ka grumbulluar të birin me të njëjtin emër. Por nëse të pasurit e babait trajner përbën disavantazh, akoma më keq qëndron puna për Mark van Bomelin dhe Serxho Agueron. Të dy do të jenë nën urdhrat e vjehërrve, përkatësisht Bert van Marvijk dhe Diego Armando Maradona.

Por ky nuk është i vetmi botëror që rezervon surpriza të tilla, pasi edhe në të kaluarën rastet e ngjashme nuk kanë munguar. Mjaft të kujtojmë vëllezërit De Bur te Hollanda, ata Jakin dhe Degen te Zvicra, Çezare dhe Paolo Maldini te Italia apo Alonsot te Spanja.

Gjithashtu lexo

City: 300 mln euro për Messi-n – (VIDEO)

Klubi anglez, Mançester Sity është i gatshëm të bëjë çmendurinë e radhës në tregun e …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *