Home / Lajme / Rajon / Mafia ruse ia mësyn bregdetit shqiptar

Mafia ruse ia mësyn bregdetit shqiptar

Sarandë, 29 qershor –
Skema për përfitimin e mijëra metër katrorë truall në bregdet nga biznesmenët rusë është e ngjashme me blerjen e trojeve në shtetin e Malit të Zi, ku bosë të fuqishëm përtej Uraleve, arritën të kontrollojnë pjesën më të madhe të truallit në bregdet. Duket se skema është importuar në Shqipëri dhe ka filluar të zbatohet prej dy vjetësh.

“Mafia” ruse mbërrin fuqishëm në Shqipëri, teksa po synon blerjen e trojeve në brigjet e Vlorës dhe Sarandës, aq të dëshiruara për ndërtimin e resorteve turistike, shkruan gazeta “Shqip”.

Pas paralajmërimit të SHISH-it për Komisionin e Sigurisë për kërcënimet kombëtare, mësohet se dhjetëra hektarë troje në zonën bregdetare midis Vlorës dhe Sarandës kanë filluar të tjetërsohen në favor të disa biznesmenëve anonimë në Shqipëri. Ka dyshime, se pikërisht këta të ashtuquajtur biznesmenë, kanë kryer të gjitha procedurat për të tjetërsuar këtë pronë, duke paguar qindra mijëra euro për pronarët e tyre të ligjshëm. Skema për përfitimin e mijëra metër katrorë truall në bregdet nga biznesmenët rusë është e ngjashme me blerjen e trojeve në shtetin e Malit të Zi, ku bosë të fuqishëm përtej Uraleve, arritën të kontrollojnë pjesën më të madhe të truallit në bregdet. Duket se skema është importuar në Shqipëri dhe ka filluar të zbatohet prej dy vjetësh.

Aktualisht, trojet bregdetare midis Vlorës dhe Sarandës janë në fazën e “ndarjes”, pra marrjen e tyre nga pronarët e ligjshëm. Të interesuarit për prona në këto vende mësohet se kryejnë bisedime me Agjencitë Rajonale të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave. Hyjnë në bisedime vetëm nëse prona është e ligjëruar dhe nuk ka asnjë konflikt pronësie, pasi më vonë do t’u duhet të kalojnë një pjesë të mirë të kohës në gjyqe. Pasi marrin miratimin nga AKKP-të shkojnë te pronarët e ligjshëm të këtyre pronave dhe hyjnë në tratativa, duke ofruar dyfishin e vlerës së çmimit të tregut për një pronë. Për të qenë të bindur se prona do të bëhet e tyre dhe pronarët do të jenë të kënaqur dhe “nuk do të hapin gojë” ata paguajnë më tepër sesa vlera e tregut, ndërsa gjithçka merr formë ligjore nga noterët, të cilët në këtë rast kanë para tyre një vendim për kthimin e pronës si dhe një marrëveshje midis pronarit dhe blerësit.

Megjithatë, kjo është vetëm një formë për marrjen e pronave nga të ashtuquajturit biznesmenë rusë. Në pronat bregdetare të zonës midis Vlorës dhe Sarandës kanë filluar problemet për mbivendosjet e pronave. Shumë pronarë të ligjshëm janë ankuar se, pasi kanë shkuar në zyrat vendore të regjistrimit të pasurisë për të marrë një certifikatë pronësie, kanë vërejtur se prona nuk ishte në emrin e tyre, por në një emër tjetër. Në këto raste janë drejtuar në polici dhe prokurori ku kanë kryer denoncimet përkatëse. Mësohet se në Prokurorinë e Vlorës janë kryer një sërë denoncimesh për mbivendosje pronash, aq sa për t’i verifikuar do të duhen vite me radhë. Ndërsa mësohet se një tjetërsim masiv është kryer në zonën e Jalit me pronat. Në këtë vend banorët kanë pasur konflikte të vazhdueshme me një projekt të Bankës Botërore për ndërtimin e banesave, ndërsa Prokuroria bregdetare e Vlorës konstatoi se në këtë zonë ishin mbivendosur rreth 100 hektarë, ndërsa dosja është gati për në gjykim me dy të pandehur.

Duke realizuar të gjitha procedurat nga marrja e pronës, me anë të mbivendosjes, pronarët e mëvonshëm e shisnin menjëherë me të gjitha dokumentet përkatëse, pasi për të njëjtën pronë kishte një vendim edhe AKKP-ja. Blerësi në këto raste ishte një biznesmen anonim, i cili dorëzonte dokumentet në zyrat vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme. Sipas informacioneve të policisë e prokurorisë, blerësi mund të ishte një shtetas shqiptar, i cili kishte kryer një sërë dokumentesh për të dokumentuar se aktiviteti i tij financiar i përgjigjej më së miri financimit për blerjen e truallit. Dhe në këtë mes hynin të ashtuquajturit biznesmenë rusë, të cilët synonin që në këto prona në emër të shqiptarëve, të ngrinin një sërë resortesh turistike, të ngjashme me ato që janë ndërtuar në Malin e Zi. Dhe në këtë rast, sipas SHISH-it, siguria kombëtare do të rrezikohej në maksimum, pasi pjesa më e bukur e rivierës shqiptare në brigjet e Detit Jon do t’i përkiste mafies ruse.

Gjithashtu lexo

Bashkimi emocional pas 3 vjetësh, i fëmijës së rrëmbyer nga ISIS, me familjen e tij (Video)

Një djalë 12-vjeçar jazidi është bashkuar me nënën e tij në Kanada tre vjet pasi …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *