Home / Sport / Marasona-Dunga: Dy mënyra, një qëllim

Marasona-Dunga: Dy mënyra, një qëllim

Cilido prej këtyre dy trajnerëve të bëhet kampion bote do të bëhej trajneri i tretë që e fiton titullin e botës si lojtar dhe si trajner. Më herët këtë e kanë bërë vetëm Mario Zagalo me Brazilin dhe Franc Bekenbauer me Brazilin.

Diego Armando Maradona dhe Karlos Dunga janë takuar si lojtarë dhe liderë të ekipeve të tyre në Kampionatin Botëror të vitit 1990. Tani, këta dy ish futbollistë, gjenden në krye të reprezentacioneve të shteteve të tyre që vlerësohen si ndër më të mirat në botë dhe kërkojnë titullin e kampionit të botës. Cilido prej këtyre dy trajnerëve të bëhet kampion bote do të bëhej trajneri i tretë që e fiton titullin e botës si lojtar dhe si trajner. Më herët këtë e kanë bërë vetëm Mario Zagalo me Brazilin dhe Franc Bekenbauer me Brazilin.

Dueli direkt dhe rivaliteti i heshtur

Më 1990, Maradona ishte një prej futbollistëve më të mirë në botë. Ai ishte një super yll në Napoli, ekip me të cilin kishte fituar Kampionatin e Italisë dhe Kupën e UEFA-s, kurse në botërorin e atij viti kishte shkuar si kapiten i reprezentacionit të Argjentinës që ishte kampion aktual i botës. Në fushë, Maradona njihej për shkathtësitë e tij të pashoqe në fushë dhe për faktin se kishte aftësinë që me një veprim të vetëm ta vendosë fatin e secilës ndeshje ku luante. Shkathtësitë e tij, por gjithsesi edhe karizma e personalitetit, e bënin atë yllin e çdo ndeshjeje dhe njeriun të cilin fokusohej vëmendja e të gjithëve. Problemet me kokainë dhe përgjithësisht me sjelljet jashtë fushës po ashtu kontribuonin që Maradona të jetë në qendër të vëmendjes, sidomos në një vend si Italia ku thashethemet janë pjesë përbërëse e ditës së po thuajse secilit njeri.

Në anën tjetër Dunga, i cili këtë nofkë e ka marrë në fëmijëri, sipas xhuxhit më të vogël në përrallën e Borëbardhës, ngjashëm si Maradona luante si mesfushor, por në mënyrë shumë të ndryshme me argjentinasin. Dunga ishte futbollist me pasime shumë precize dhe me sens të mrekullueshëm për ndërhyrje dhe marrje te topave, mirëpo, për dallim nga shumica e lojtarëve latin, ai ishte lojtari që vraponte më së shumti në ekipin e tij dhe asnjëherë nuk qëndronte larg sfidës. Dunga ka qenë mesfushor që shumë pak është vërejtur në fushë, por ka kryer shumë punë, një tjetër karakteristikë e tij që nuk është tipike për futbollistët nga Amerika e Jugut.

Argjentina dhe Brazili u takuan në të tetën e finales së botërorit “Italia ‘90”, që ishte i veçantë për këtë të dy futbollistë meqë luanin në atë kohë në Serie A (Maradona në Napoli, Dunga në Fiorentina). Argjnetina fitoi në atë ndeshje kurse eliminimin e hershëm të Brazilit në kampionat opinioni i këtij shteti e konsideroi zhgënjim të madh dhe atë kohë e emëroi “Epoka Dunga”, duke e karakterizuar si epoka kur loja e Brazilit ishte joinventive, e ngadalshme dhe nuk solli rezultate.

Maradona me Argjentinën shkoi deri në finale të botërorit të ’90-ës, ky pësoi nga Gjermania e Lotar Mateusit.

Katër vjet më vonë të dy këta futbollistë gjendeshin në botërorin “SHBA ’94”. Maradona në këtë garë e pati momentin e tij më të turpshëm kur testoi pozitiv për doping dhe u përjashtua nga kampionati, kurse Dunga si kapiten i Brazilit përjetoi çastin më të lavdishëm të karrierës duke fituar titullin e botës.

Loja e Dungës edhe pse jo shumë tërheqëse ishte esenciale për taktikat e përzgjedhësit brazilian Karlos Alberto Parreira, i cili balancoi shkëlqyeshëm talentin vezullues të disa futbollistëve dhe përvojën e mbledhur në Evropë të disa të tjerëve për të krijuar reprezentacionin më të mriz në botë.

Karriera e Maradonës pas atij kampionati mori teposhtëzen, kurse Dunga më 1998 ishte sërish kapiten i Brazilit në botëror dhe me këtë reprezentacion arrti deri në finale.

Rruga deri në Afrikë

Ngjashëm si në kohën kur kanë qenë futbollistë, edhe kur u tërhoqën nga sporti Maradona ishte njeriu që ishte në qenët të vëmendjes, kryesisht për shkak të skandaleve, kurse Dunga bënte jetë të qetë në Brazil.

Këta të dy mesfushorë të dikurshëm edhe pse të papërvojë si trajnerë morën mbi vete përgjegjësinë për të udhëhequr reprezentacionet, por, tashmë si përzgjedhës së tyre.

Dunga u emërua përzgjedhës i Brazilit 2006 dhe me këtë fitoi Kupën e Amerikës më 2007 dhe Kupën e Konfederatave më 2009. Puna e tij si përzgjedhës është përcjellë me reagime të mira dhe rezultatet e kanë imponuar këtë gjë, kurse kritika e vetme që i bëhet atij është mungesa e atraktivitetit.

Maratona ndërkaq e morri udhëheqjen e reprezentacionit të Argjentinës më 2008 dhe forma e këtij ekipi nën udhëheqjen e tij ka qenë shumë e luhatshme.

Mirëpo, për dallim nga Dunga, Maradona në vendin e tij ka status të ngjashëm më ndonjë Perëndi dhe puna e personaliteti i tij nuk kontestohen ose kritikohen nga askush.

Shorti është i tillë që Brazili dhe Argjentina mund të takohen vetëm në finale të Kampionatit Botëror. Nëse këto dy ekipe arrijnë deri në finale atëherë e tërë bota mund të presë një ndeshje historike, kurse çfarëdo rezultati përpos finales për këto reprezentacione do të ishte zhgënjyes. Në rastin e Dungës do të ishte kjo njolla e parë në karrierën e tij të suksesshme por të qetë dhe të kalkuluar detajisht, kurse në rastin e Maradonës, do të ishte zhgënjimi i radhës nga ana e tij meqë edhe ai njihet si njeri që jashtë fushës pak gjëra i bën si duhet.

Vazhdimi i tregimit për këta dy trajnerë do të jetë interesant për të gjithë meqë nënkupton vazhdimin e tregimit për njërin prej rivaliteteve më të mëdha dhe më të njohura sportive në botë.

Gjithashtu lexo

Tifozët shqiptarë nga Tetova pushtojnë rrugët e Milanos, çfarë po ndodh para ndeshjes? (VIDEO)

Grupimi i tifozëve të Shkëndijes, “Ballistët” që shquhen edhe si një nga tifozeritë më të …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *