Home / Sport / TË RRINJTË E SHKËNDIJËS, FITOJNË TITULLIN E KAMPIONIT

TË RRINJTË E SHKËNDIJËS, FITOJNË TITULLIN E KAMPIONIT

KF Shkëndija ka fituar titullin e Kampionit të Maqedonisë në kategori të juniorëve, pasi të hënën në Kërçovë me rezultatin 4:2 mundi Pobedën, në finalen e play-offit. Ky sukses i shpresave të Shkëndijës, kompleton vitin e suksesshëm të kësaj skuadre, kur ekipi i parë u rrikthy në elitën e futbollit vendor, juniorët paraprakisht u shpallën kampionë të Ligës së Dytë dhe luajtën në finale të Kupës, ku u mundën nga Vardari, ndërsa kadetët e Shkëndijës ishin poashtu kampion në kategorinë e tyre.

Vazhdon viti i shkëlqyeshëm për Klubin e Futbollit Shkëndija nga Tetova. Të hënën juniorët e kësaj skuadre me fitoren 4:2 ndaj Pobedës, arritën të kurorëzohen me titullin, Kampion shtetëror të Maqedonisë për të rrinjë. Ky ekip i Shkëndijës vërtetoi se këtë vit është më cilësor në vend, duke bindur të gjithë se rezultatet e deritashme nuk ishin të rastit. Rikujtojmë se të rrinjtë e Shkëndijës luajtën në finale të Kupës së Maqedonisë për juniorë, ku u mundën nga Vardari, ndërkohë që ishin kampion në Ligën e Dytë. Me këtë fakt ata fituan të drejtën të luajnë në garat e play-offit, ku do të kërkohej skuadra më e mirë në vend për sezonin garues 2009/2010. Rikujtojmë se në play-off, marrin pjesë katër skuadrat e para nga Liga e Parë dhe dy kampionët e Ligave të dyta. Shkëndija në ndeshjen e ¼ së finales në Gjorce petrov mundi Makedonija Gj.P. me rezultat 1:0, ndërsa në ½ finale fitoi 2:0 Vardarin, duke siguruar vend në finale e madhe dhe njëkohësisht duke i’u hakmarrë Vardarit për difatën 1:0 në finalen e Kupës së Maqedonisë. Në ndeshjen finale të play-offit përballë Pobedës, shpresat “kuq e zi” hyrën shumë keq, pasi ishin në disavantazh 1:0 në pjesën e parë, ndërsa më pas edhe 2:0, por falë një rrikthimi fantastik në fund arritën të marrin fitoren 4:2, duke i sjellë Shkëndijës titullin e parë Kampion shtetëror të Maqedonisë, në kategori të juniorëve. Pobeda avansoi në minutën e 7-të përmes Zdraveskit, ndërsa në minutën 47-të me anë të penaltisë Bogoevski shënoi për 2:0. Këtu të gjithë menduan se ky takim ishte y mbyllur, mirëpo ashtu nuk menduan futbollistët e rrinjë të Shkëndijës, të cilët falë angazhimit maksimal, arritën të bëjnë kthesë të plotë në rrezultat. Dehari ishte futbollisti që rriktheu në lojë “kuq e zinjtë”, pasi në minutën e 53 shënoi për 2:1, ndërsa në të 66-tën barazoi rezultatin në 2:2. Të inspiruar nga rrikthimi në lojë, futbollistët e Shkëndijës në minutën e 70-të me golin fantastik të Nafiut kaluan në epërsi 3:2, ndërsa fatin e takimit e vendosi Selmani pesë minuta para fundit takimit. Vlen të ceket se të dyja skuadrat takimin e mbyllën me nga 10-të futbollistë, pasi së pari në minutën e 40-të Zylebehari i Shkëndijës u largua me karton të kuq, ndërsa dy minuta më vonë e njëjta gjë i ndodhi edhe futbollistit të Pobedës, Trajkovski. Sigurisht që merita të mëdha për këtë sukses kanë të gjithë, mirëpo lëvdatat shkojnë në adresë të futbollistëve dhe trajnerit Bashkim Livoreka, i cili vite me radhë punoi maksimalisht me këta futbollistë, si rezultat i së cilës fiton titullin e më të mirit në Maqedoni.
“Sigurisht që jam shumë i kënaqur me këtë sukses historik. Unë vazhdimisht kam potencuar se bëhet fjalë për një gjeneratë të jashtëzakonshme dhe se kam besim të madh në këta djelmosha. Tani të gjithë ndoshta arsyetojnë atë çka e kam thënë, pasi ne vërtetuam se jemi skuadra më e mirë në Maqedoni. Na vjen keq që nuk arritëm të fitojmë edhe Kupën, mirëpo me rezultatet në play-off treguam cilësitë tona. Jemi krenar që në rrugën drejt titullit eliminuam skuadra që u renditën në kreun e Ligës së Parë për juniroë, si Makedonija Gj.P., Vardari dhe në fund edhe Pobeda. I përgëzoj futbollistët për këtë sukses dhe gjithashtu drejtuesit e klubit si dhe fansat e Shkëndijës. Besoj se sado kudo edhe ne kemi kontribuar që ky vit të jetë i suksesshëm, ndërsa Shkëndija nuk duhet të brengoset shumë për të ardhmen e saj”, – deklaroi tejet i gëzuar trajneri i skuadrës së juniorëve të Shkëndijës, Bashkim Livoreka.
Vlen të ceket se një pjesë e futbollistëve që fituan titullin e kampionit me ekipin e juniorëve, tani më një kohë janë pjesë e skuadrës së parë të Shkëndijës, ku madje kanë minutazh bukur të mirë. Kapiteni Jasir Selmani këtë sezon vazhdimisht luajti për seniorët, ndërsa në fund të kampionatit ishte standard në formacionin e parë. Xhelil Abdullai (mungoi në këtë ndeshje, pasi është grumbulluar me kombëtaren e shpresave të Maqedonisë) gjithashtu tani më një kohë është pjesë e ekipit të parë, ku këtë vit kanë luajtur edhe Valmir Nafiu, Fatmir Ramadani, Liris Bexheti, etj. Ata shprehen të lumtur me suksesin e arritur.
“Ndjenja është fantastike. Me ekipin e parë u inkuadruan në Ligën e Parë, ndërsa me juniorët u shpallëm më të mirët në Maqedoni. Më shumë se kaq nuk mund të kërkojmë”,-tha kapiteni Jasir Selmani. “Jemi shumë të lumtur për këtë sukses historik. Uroj bashkëlojtarët, trajnerin dhe kryesinë e klubit. Shpresoj që të vazhdojmë me suksese dhe dhashtë Zoti që vitin e ardhshëm të festojmë titull me ekipin e parë”,-deklaroi tejet i entuzizmuar Valmir Nafiu, ndërsa Fatmir Ramadani shtoi :”Sigurisht që jemi të lumtur për këtë sukses. Ndjehem krenar që jam pjesë e kësaj skuadre dhe shpresoj se në të ardhmen do të arrijmë suksese edhe më të mëdha. Kundër Pobedës nuk ishte aspak lehtë, pasi u gjetëm në disavantazh prej dy golave, mirëpo falë vendosshmërisë dhe dëshirës së madhe për të fituar arritëm të bëjmë kthesë në rezultat. Urime, urime, urime të gjithëve që ndjehen ‘’kuq e zi’’”. Shkëndija me këtë sukses fiton të drejtën të përfaqësojë Maqedoninë në turneun ndërkombëtar që organizohet nga Uefa, në të cilin marrin pjesë skuadrat kampione të shteteve europiane.
Suksesi i fundit i juniorëve të Shkëndijës kompletoi vitin e suksesshëm të futbollit tetovar. Ky qytet konfirmohet tani më si qendra kryesore e futbollit në Maqedoni, pasi grumbulloi thuajse të gjithë titujt e mundshëm në vend. Rikujtojmë se Renova u shpall kampion i Maqedonisë në Ligën e Parë, Teteksi fitoi Kupën e Maqedonisë, ndërsa Shkëndija ishte kampion i Ligës së Dytë, duke u rrikthyer në elitën e futbollit vendor. Dominim total i skuadrave tetovare, qendrës kryesore të futbollit në Maqedoi për sezonin garues 2009/2010, ndërsa suksesi i juniroëve të Shkëndijës, paralajmëon se ky epitet do të vazhdojë të qëndrojë në Tetovë edhe në të ardhmen.

Gjithashtu lexo

Osmani: Bëmë gabime në mbrojtje, do të ndryshojmë në lojën e ardhshme

Trajneri i Shkëndijës së Tetovës, Qatip Osmani nuk e ka përjetuar mirë humbjen nga Milani. …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *