Home / Sport / Teatër në Brazil-Portugali kalojnë të dyja skuadrat

Teatër në Brazil-Portugali kalojnë të dyja skuadrat

Brazili dhe Portugalia kanë bërë thjesht detyrën në ndeshjen e fundit të Grupit G ku kanë ndarë një barazim pa gola, cka u ka lejuar që të dyja skuadrat të vazhdojnë më tej.

Brazili e Portugalia kanë kaluar në turin tjetër të Kupës së Botës, pas barazimit pa gola të arritur në Durban, në ndeshjen e fundit të grupit G. Dy skuadrat kanë zhvilluar një ndeshje të dobët, sidomos në pjesën e dytë, duke treguar haptazi se ishin të kënaqura me një barazim, i cili i kualifikonte për më tej. Përplasjet e forta dhe nervozizmi i pjesës së parë krijuan idenë se në fushë do të ishte një betejë e vërtetë dhe se dy skuadrat nuk do të toleronin, por në fakt nuk ndodhi kështu. Në pjesën e parë momenti më i mirë ishte ai i Nilmar, që vetëm me portierin Eduardo për pak nuk shënoi, por topi u devijua dhe përfundoi në traversë. Në 45-minutëshin e dytë, ngacmimet në portat kundërshtare kanë qenë thuajse zero, teksa Brazili ka administruar një rezultat që i siguronte atij vendin e parë në grup. Portugalia ndërkohë ka kërkuar herë pas here të gjente avantazhin, por e ka patur tepër të vështirë përballë mbrojtësve të frikshëm të skuadrës së Dungës. Për çudi, gjyqtari ka dhënë 7 kartona të verdhë, të gjithë në pjesën e parë, pasi në të dytën nuk është se ka pasur shumë punë. Në fundin e takimit erdhën edhe momentet më të mira. Ramires tentoi nga larg zonës dhe topi i devijuar për pak përfundoi në rrjetë, ndërkohë që Dani doli i vetëm me portierin Zhulio Sezar në minutën e tretë shtesë, por u ndalua.
Në takimin tjetër të këtij grupi, Bregu i Fildishtë bëri detyrën duke mundur 3-0 Korenë e Veriut, por ky rezultat nuk i ka vlejtur aspak. Në fakt, edhe nëse Portugalia do të kishte humbur, skuadrës afrikane i duhej një fitore me të paktën 8 apo 9 gola, gjë që nuk ndodhi. Jaja Ture dhe Romariç shënuan për Bregun në pjesën e parë, ndërkohë që shifrat 3-0 u vulosën nga Salomon Kalu në minutën e 82-të. Bregu i Fildishtë i ka dhënë lamtumirën Kupës së Botës me 4 pikë, një më pak se Portugalia, me të cilën kishte edhe sfidën direkte.

Gjithashtu lexo

Tifozët shqiptarë nga Tetova pushtojnë rrugët e Milanos, çfarë po ndodh para ndeshjes? (VIDEO)

Grupimi i tifozëve të Shkëndijes, “Ballistët” që shquhen edhe si një nga tifozeritë më të …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *