Home / Sport / 10 momentet më të rëndësishme të botërorit

10 momentet më të rëndësishme të botërorit

Tani që botërori afrikanojugor ka ulur siparin, le të hedhim një sy në momentet më të rëndësishme, që në një mënyrë apo në një tjetër, vendosën fatin e kombëtareve pjesëmarrëse.

1. Fituesi
Andres Iniesta shënoi golin e fitores për Spanjën në kohën shtesë të finales, duke u dhënë spanjollëve të parin titull botëror. Mesfushori ishte më i miri i finales dhe një nga më të mirët e gjithë botërorit. Para golit, holandezët duhet të gjuanin një goditje këndi, por gjyatari Hauard Ueb nuk e pa devijimin e topit nga muri spanjoll pas goditjes së dënimit nga Shnajderi. Ky episod mund të harrohet nga kushdo, përveç holandezëve.

2. Penalltia për Ganën
Vetëm dy minuta para përfundimit të çerekfinales ndërmjet Ganës dhe Uruguait, Luis Suarez ndaloi me dorë në vijën e portës topin e gjuajtur nga Dominik Adiah. Sulmuesi uruguaian u ndëshkua me karton të kuq dhe gjyqtari akordoi një penallti për ganezët. Por Asamoah Gian (i cili kishte shënuar dy herë me penallti në ndeshjet e mëparshme) u tregua i pasaktë nga pika e bardhë, duke çuar dëm shansin e artë për ta bërë Ganën të parën skuadër afrikane që arrin në gjysmëfinalen e një botërori. Fatin e fituesit e vendosën penalltitë, ku amerikanojugorët u treguan më të saktë.

3. Goli i mohuar i Lampardit
Ndoshta ky është një nga episodet që FIFA duhet të ketë parasysh kur diskutohet mbi futjen e teknologjisë në futboll. Gjuajtja e Frenk Lampardit në 1/8-at mes Anglisë dhe Gjermanisë kur rezultati ishte 2-1 për gjermanët, kaloi gati gjysmë metri vijën fatale të gjermanëve. Por për habinë e të gjithëve, as gjyqtari Horge Larrionda dhe as ndihmësi i tij, Mauricio Espinoza, nuk e panë, duke i mohuar Anglisë një gol mëse të rregullt. Goli do të kishte barazuar rezultatin dhe ndoshta ndeshja mund të kishte marrë një tjetër rrjedhë.

4. Rikthimi i amerikanëve kundër Sllovenisë
Në ndeshjen e dytë të grupit C, Sllovenia ishte në avantazh të dy golave në pjesën e parë. Por amerikanët u rikthyen në të dytën duke barazuar rezultatin me golat e Majkëll Bredlit dhe Landon Donovanit. Madje kombëtarja e yjeve dhe shiritave shënoi edhe golin e tretë, por gjyqtari nga Mali, Koman Kulibali, e cilësoi jashtë loje pozicionin e Moris Edusë. Përsëritjet treguan se mesfushori amerikan ishte në pozicion plotësisht të rregullt.

5. Donovan, shpëtimtar kundër Algjerisë
Landon Donovan vërtetoi përfundimisht se është futbollisti më i mirë në historinë e kombëtares amerikane. Sulmuesi i Los Ançheles Galaksi realizoi golin e fitores në minutën e fundit përballë Algjerisë, gol që u dha kualifikimin amerikanëve. Nëse sfida përfundonte në barazim, atëherë ishte Sllovenia që kalonte grupin.

6. “Dora e vdekur” e Robert Grinit
Ja një tjetër moment ku ishte e përfshirë përfaqësuesja amerikane. Në përballjen e parë të grupit C mes SHBA-ve dhe Anglisë, portieri anglez, Robert Grin, bëri një gabim trashanik duke mos kontrolluar dot një gjuajtje të lehtë të Klint Dempseit. Ndeshja përfundoi në barazim 1-1, pasi më parë kishte realizuar kapiteni Stivën Zherrard për Anglinë.

7. Henri dhe mallkimi irlandez
Franca u kualifikua në kampionatin botëror falë golit me dorë të kapitenit Tierri Henri në ndeshjen e play-off-it me Irlandën. Sulmuesi u shpall “tradhtar” gjithandej, përveçse në Francë. Por ky moment duket se iu kthye në mallkim lojtarit, i cili nuk luajti asnjë ndeshje si titullar. Po ashtu, Franca bëri një figurë qesharake, duke mos shënuar asnjë fitore në tre ndeshjet e grupit. Por më tepër se rezultatet në fushën e lojës, kombëtarja e Domenekut u bë gazi i botës me skandalin e fyerjeve të Anelkas ndaj trajnerit dhe bojkotin e stërvitjes së lojtarëve para ndeshjes së humbur me Afrikën e Jugut.

8. Largimi i kampionëve
Kur italianët u eliminuan në 1966-ën nga Koreja e Veriut, u pritën me domate pas kthimit në shtëpi. Situata u përsërit dhe kësaj here ishin “kivit” nga Zelanda e Re që kontribuan në dështimin e kampionëve të botës, pas barazimit 1-1 në ndeshjen e dytë të grupit F. Humbja 3-2 përballë Sllovakisë i vuri kapakun katastrofës italiane, duke bërë që për të parën herë në historinë e botërorëve, kampioni i botës dhe finalisti i edicionit të mëparshëm, të eliminohen që në fazën e grupeve.

9. Jabulani, “topi që do të duhej t’u sillte fat të gjithëve”
Në gjuhën zulu, “Jabulani” ka kuptimin “topi që u sjell fat të gjithëve”. Por kjo nuk vlejti për një pjesë të mirë të portierëve në këtë botëror, të cilët ranë pre e tekave të sferës. Madje disa prej tyre e cilësuan topin e prodhuar nga kompania “Adidas” si “top supermarketi”. Me “Jabulanin” u shënuan 145 gola (2.26 gola/ndeshje), edhe pse numri i goditjeve ishte më i larti se në gjithë botërorët e mëparshëm.

10. Vuvuzelat zhurmuese
Trumbetat e famshme të quajtura “vuvuzela” e bënë botërorin afrikanojugor më të zëshmin nga të gjithë. Të gjithë patën ankesa për tingullin shurdhues që ajo lëshonte, madje disa federata, lojtarë dhe tifozë i kërkuan FIFA-s të ndalonte përdorimin e tyre. Por institucioni drejtues i futbollit botëror nuk ua vuri veshin ankesave, me argumentin se vuvuzela ishte simboli dhe kënaqësia e këtij botërori.

Gjithashtu lexo

Osmani: Bëmë gabime në mbrojtje, do të ndryshojmë në lojën e ardhshme

Trajneri i Shkëndijës së Tetovës, Qatip Osmani nuk e ka përjetuar mirë humbjen nga Milani. …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *