Home / Sport / David Vila, “engjëlli mbrojtës” i Spanjës

David Vila, “engjëlli mbrojtës” i Spanjës

Kampionët e Europës kanë vuajtur përballë një Paraguaji që për pak nuk bëri surprizën, por ia dalin të sigurojnë gjysmëfinalen pas plot 60 vitesh pritjeje.

Një gol për historinë. David Vila shkruan emrin në librin e artë të kombëtares spanjolle, pas golit shpëtimtar kundër Paraguajit në çerekfinalen e kampionatit botëror. I ndodhur në kohën e duhur dhe në vendin e duhur, kryegolashënuesi i botërorit (pesë gola deri tani, nga gjashtë që ka shënuar Spanja gjithsej), është shndërruar në shpëtimtarin e skuadrës së tij.

Parashikimet para fillimit të sfidës ishin unanime dhe pa shumë vend për diskutime: Spanja kualifikohej lehtësisht. Por nga e thëna në të bërë është në mes fusha e lojës, aq më tepër që botërori afrikanojugor ka sjellë kujtime jo fort të bukura për kombëtaret e mëdha (e provoi Franca, Italia, Anglia, Brazili dhe Argjentina). Pikërisht fatin e të sipërpërmendurave për pak sa nuk pati edhe Spanja.

Sfida në “Ellis Park” të Johanesburgut i pati të gjitha: lojë të bukur, lojë të mërzitshme, raste të pastra, kartonë të verdhë, portierë heronj, shtylla të goditura (shumë shtylla të goditura), penallti (të rregullta e të parregullta) të humbura… Pjesa e parë ishte e vakët në raste, me lojën që u zhvillua përgjithësisht në mesfushë, ndërsa ekipet shikonin herë pas here nga portat respektive. Spanjollët kanë më tepër iniciativën, por gjejnë përballë një Paraguaj të vendosur në mënyrë të përsosur nga trajneri Gerrardo Martino.

45 minutat e dyta mund të cilësohen vetëm me një mbiemër: të jashtëzakonshme. “Festivali” i rasteve filloi në minutën e 59-të, kur Pike shkakton një 11-metërsh në favor të amerikanolatinëve. Nga pika e bardhë gjuan Kardozo, por portieri Iker Kasiljas pret. Vetëm 60 sekonda më pas David Vila pengohet në zonën e paraguajanëve dhe gjyqtari tregon nga penalltia. Niset Ksabi Alonso, gjuan dhe shënon. Por për gjyqtarin nga Guatemala ekzekutimi ishte i parregullt, pasi lojtarët u futën në zonë para gjuajtjes. Alonso niset përsëri, gjuan, por pret portieri Vilar, i cili pas vetëm disa sekondave shkakton një tjetër ndërhyrje për penalti ndaj Fabregasit, mirëpo arbitri nuk mundej të tregojë një tjetër njëmbëdhjetëmetërsh në vetë 120 sekonda lojë.

Për të zgjidhur fatin e ndeshjes dhe njëkohësisht për të shkruar historinë për Spanjën, mendoi i përhershmi David Vila. Pas një aksioni model të nisur nga këmbët e Iniestës, Pedro Rodrigez godet por topi përplaset në shtyllë. I gjendur në zonë, Vila gjuan përsëri, kësaj here Jabulani përplaset në shtyllën e majtë, pastaj në të djathtën e më pas prehet në rrjetë.

1-0, rezultat i mjaftueshëm për t’i dhënë fund ëndrrës së bukur të Paraguajit, që gjithsesi del me kokën lart nga botërori. Kurse “tërbimi i kuq” arrin të sigurojë biletën e gjysmëfinales dhe të mërkurën në Durban gjen përballë Gjermaninë e frikshme. Gjithsesi, spanjollët tashmë besojnë më tepër se kurrë. Aq më tepër kur kanë David Vilën.

Gjithashtu lexo

Kastriot Tusha dhe “Ballistët” këndojnë “Xhamadani vija vija” midis Milanos (Video)

“Ballistët” janë duke bërë atmosferë fantastike në Milano dhe atyre u wshtw bashkuar edhe Kastriot …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *