Home / Sport / Gjermani-Spanjë ndeshen sot 2 superfuqitë

Gjermani-Spanjë ndeshen sot 2 superfuqitë

Luhet Gjermani- Spanjë dhe e gjithë bota mban frymën. Sot në orën 20.30 në Durban do të përballen dy skuadrat finaliste të Europianit 2008, ato që për momentin mund të konsiderohen pa më të voglin dyshim si superfuqitë e Evropës në futboll.

Gjysmëfinalja e sotme është një betejë nervash, taktike, trajnerësh, yjesh dhe spektakli. Nuk ka dyshime se Gjermania e këtij viti ka dhuruar futbollin më të bukur, ndërsa spanjollët mbeten skuadra më e kompletuar e Kupës së Botës. “E dimë si mundet Gjermania”, provokon Vicente del Boske, i cili i jep sërish besim Fernando Torres, duke shpresuar që sulmuesi i Liverpulit të përsërisë finalen e Vjenës. “Fitojmë ne, nuk jemi më ata të Europianit 2008”, thotë i qetë Joakim Lëv. Në të dy kampet mbizotëron ankthi dhe qetësia. Ankth sepse të dyja skuadrat janë pranë ëndrrës së madhe, por edhe qetësi, sepse në njëfarë mënyre ato e kanë arritur misionin e tyre. Askush nuk mendonte se Gjermania e këtij viti do të ishte deri në katërshe, sidomos pas dëmtimit të Mikael Balak. Po ashtu, Spanja ka arritur një kualifikim historik në katër më të mirat e Botërorit, duke treguar se mbetet një ekip i madh dhe që ka arritur të ndryshojë historinë e futbollit të saj. “Demat” ishin ekipi favorit për fitimin e Kupës së Botës përpara nisjes së saj, por për ta bërë këtë u duhet të eliminojnë një superfuqi të Botërorit, një skuadër si Gjermania, e mbushur me të rinj dhe që luan një futboll shampanjë. Do të mungojë Tomas Myler, por rikthimi në dispozicion i Kakaut dhe Khedirës, i jep më shumë opsione trajnerit Lëv.
Historia
Përveç 4 Kupave të Botës, më 1930, 1938, 1950 dhe 1978, ku Gjermania në dy nuk ka marrë pjesë dhe në dy ka zhgënjyer, edicionet e tjera të këtij turneu kanë qenë më shumë se të suksesshme për këtë skuadër. Gjermanët kanë arritur 3 herë në çerekfinale, 4 në gjysmëfinale, 4 herë janë shpallur nënkampionë të botës dhe 3 herë kanë fituar trofeun, në 17 pjesëmarrjet e tyre. Ajo është një nga skuadrat më të suksesshme në kompeticionet e mëdha, duke fituar edhe tre kampionate europianë si edhe duke qenë gjithnjë protagoniste në Kupën e Botës. Nëse merret për bazë historia, atëherë Spanja do të jetë më mirë të mos zbresë fare në fushë në takimin e sotëm. “Demat” janë renditur të katërtit në vitin 1950, ndërsa kanë shkuar deri në çerekfinale më 1934, 1986, 1994 dhe 2002. Kjo e këtij viti është paraqitja më e mirë e tyre në një Kupë Bote. Por, pavarësisht kësaj diference në histori, përballja e sotme e sheh sërish favorite Spanjën. Dhe kjo lidhet me faktin se në formacionin titullar luajnë 6 lojtarë të Barcelonës, ekipit më të mirë në botë, ndërkohë që pjesa tjetër janë yje të Realit të Madridit, Liverpulit, Valencias apo Vilarealit. Mesfusha spanjolle është pa më të voglin dyshim më e mira në botë, me futbollistë si Ksavi, Iniesta, Ksabi Alonso, Buskets apo David Silva. Në 3 precedentët e mëparshëm në kampionatin botëror, Gjermania ka arritur të fitojë 2 ndeshje dhe të barazojë 1 me Spanjën, por në finalen e fundit në Euro 2008, skuadra e “demave” arriti të triumfonte 1-0, duke e dominuar totalisht atë sfidë. Gjermania është një skuadër që në Botëror nuk tradhton kurrë, ndërkohë që spanjollët duhet të thyejnë një tabu sot.

Gjithashtu lexo

Tifozët shqiptarë nga Tetova pushtojnë rrugët e Milanos, çfarë po ndodh para ndeshjes? (VIDEO)

Grupimi i tifozëve të Shkëndijes, “Ballistët” që shquhen edhe si një nga tifozeritë më të …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *