Home / Lajme / Maqedoni / Haradinaj: 2 Korriku ishte kthesë për Kosovën

Haradinaj: 2 Korriku ishte kthesë për Kosovën

1 korrik-

Haradinaj tha se Kuvendi duhet të rregullojë pozitën e ish-deputetëve të Kuvendit të Kosovës, ndërsa shtoi se do të kërkojë nga grupi parlamentar i AAK-së, që çështjen për ish-deputetët ta iniciojë në Kuvend, ku me një amendament do të rregullohej pozita e deputetëve të ish-kuvendit.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, shpalljen e Deklaratës së 2 Korrikut e ka vlerësuar një kthesë në pozicionin politik të Kosovës, e cila u sublimua me procese të tjera që pasuan dhe u përmbyll me shpalljen e pavarësisë.

Ai këto komente i bëri të enjten pas një takimi që kishte me disa nga ish-delegatët e Kuvendit të Kosovës, që shpallën Deklaratën e 2 Korrikut 1990, me të cilën Kosova u shpall republikë.

Deklarata e 2 Korrikut njëzet vjet më vonë nga kryetari Haradinaj është vlerësuar një kthesë në pozicionin politik të vendit, e cila u sublimua edhe me procese të tjera që pasuan deri në shpalljen e pavarësisë së vendit në shkurt të vitit 2008.

“Për mua është një nder që kam mundësinë t’i uroj direkt protagonistët kryesor të asaj ngjarje, deputetët e Kuvendit të Kaçanikut, si jemi mësuar me i quajt, duke ditur se ai moment është kthesë në pozicionin tonë politik si Kosovë, kthesë e cila u sublimja edhe me procese të tjera që pasuan dhe u përmbyll me pavarësinë e sotme. Pra, nuk është e tepërt me thënë se ajo ngjarje është themel i të arriturave të mëdha të vendit dhe i përgëzoj”, ka thënë ai, transmeton Kosovapress.

Haradinaj tha se Kuvendi duhet të rregullojë pozitën e ish-deputetëve të Kuvendit të Kosovës, ndërsa shtoi se do të kërkojë nga grupi parlamentar i AAK-së, që çështjen për ish-deputetët ta iniciojë në Kuvend, ku me një amendament do të rregullohej pozita e deputetëve të ish-kuvendit.

Ish-deputeti i asaj kohe Bujar Gjurgjeala, ka kujtuar se shpallja e Deklaratës së 2 Korrikut është bërë në rrethana tejet të vështira, por sipas tij kjo është bërë me vendosmërinë e të gjithë deputetëve dhe me dëshirën e popullit.

“Është kënaqësi për mua si delegat që kam udhëhequr atë Kuvend para Kuvendit në kushtet me të vërtet të këqija, kur kemi qenë të rrethuar me polic dhe me snajper, mirëpo kemi qenë të vendosur që atë çka populli kërkoi në mënyrë të sublimuar ta shpallim pavarësinë e Kosovës. Ne atë e kemi bërë në rrethana të vështira, mirëpo të gjithë unanimisht të përgatitur dhe të vendosur për më bë një gjë të tillë, dhe se me faqebardhë kemi dalë në atë moment, sepse ka qenë edhe dëshira e popullit”, ka thënë ai.

Muharrem Shabani, ish-delegat, ka folur për vështirësitë që kanë kaluar delegatët e atij Kuvendi para shpalljes së kushtetutës, duke thënë se ky akt ka qenë vullnet i të gjithëve, i cili u sublimua në deklaratë kushtetuese.

“Ai vullnet u sublimua në deklaratë kushtetuese, ku atëherë në rrethana të kohës pozicioni i Kosovës ishte si njësi e barabartë me të gjitha njësitë e federatës jugosllave, ku populli i Kosovës shqiptar, i cili ishte popull i tretë për nga numri në Jugosllavi u shpall si popull, e jo si pakicë apo kombësi si quhej më herët”, ka thënë ai.

Edhe Feride Hyseni, ish-deputete, ka thënë se guximi, forca, përkrahja e popullatës, dhe mediave, edhe përkundër frikës që kanë pasur, i ka shtyrë ata që të marrin vendimin për nënshkrimin e kësaj kushtetute.

“Pse kemi qenë të guximshëm, pse kemi pasur atë forcë, duke iu falënderuar përkrahjes së popullatës gjithë dhe mediave të atëhershme, sepse nëse e merrni aktin në kontest të asaj kohe besoni që nuk ka qenë shumë lehtë, ndër dije të gjithë kemi pasur frikë se çka do të ndodhë me ne derisa nuk ka përfunduar akti, pastaj gati të gjithë kemi menduar se çka do të ndodhë me neve sepse ka qenë një kolektivitet i madh mbi 100 delegatë dhe ka qenë aty”, ka thënë ajo.

Nesër, për nder të 20-vjetorit të shpalljes së Deklaratës së 2 Korrikut, presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu do t’u ndajë deputetëve të Kuvendit të atëhershëm, medaljen e artë për pavarësi, iniciativë e cila fillimisht ishte e ish-presidentit Ibrahim Rugova.

Më 2 korrik të vitit 1990, deputetët e Kuvendit të Kosovës pas disa ditë diskutimesh, e shpallën Kosovën Republikë të barabartë me republikat tjera të ish-Jugosllavisë. Deklarata e 2 Korrikut u shpall para ndërtesës së Kuvendit, pasi autoritetet e Serbisë, të cilët kundërshtonin Republikën e Kosovës, ua kishin mbyllur dyert deputetëve. /EXPRESS/

Gjithashtu lexo

Katër të lënduar në afër Gostivarit – (VIDEO)

Të shtunën mbrëma rreth orës 23 në autostradën Gostivar-Tetovë në afërsi të pikës së pagesës …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *