Home / Sport / Klose-Vija, superpërballja mes yjeve të Botërorit

Klose-Vija, superpërballja mes yjeve të Botërorit

Por, kjo ndeshja ka edhe një përballje tjetër, atë mes dy sulmuesve simbol të të dy ekipeve: Miroslav Klose dhe David Vija. Të gjithë janë kuriozë se cili do të dalë fitues në këtë duel, që mund të vendosë edhe për trofeun e “Këpucës së Artë”. Klose ka dy synime përveç fitimit të Kupës, i pari të shpallet golshënues i Botërorit dhe i dyti të kalojë Ronaldon në historinë e golshënuesve më të mirë të Kupës së Botës.

Entuziazmi në kampin e Gjermanisë dhe të Spanjës është në maksimum në prag të ndeshjes së të mërkurës, që do të vendosë se cila nga skuadrat do të shkojë në finalen e Johanesburgut. Por, kjo ndeshja ka edhe një përballje tjetër, atë mes dy sulmuesve simbol të të dy ekipeve: Miroslav Klose dhe David Vija. Të gjithë janë kuriozë se cili do të dalë fitues në këtë duel, që mund të vendosë edhe për trofeun e “Këpucës së Artë”. Klose ka dy synime përveç fitimit të Kupës, i pari të shpallet golshënues i Botërorit dhe i dyti të kalojë Ronaldon në historinë e golshënuesve më të mirë të Kupës së Botës. Në kampin gjerman, atmosfera është vërtetë e bukur dhe sulmuesi me origjinë polake nuk ka dyshime se mund ta arrijë këtë objektiv. Ndeshja e të mërkurës premton spektakël, grintë dhe dëshirë për revansh. “Spanja është më e fortë se Anglia dhe Argjentina, nuk ka shumë dyshime për këtë, – deklaroi Miroslav Klose, autor i 4 golave këtë Botëror. – Por, ajo nuk është një skuadër e pamposhtur dhe ne do të provojmë të evidentojmë pikat e saj të forta”. Një projekt që është vënë në jetë në dy ndeshjet e mëparshme, në të cilat Gjermania e re e Joakim Lëv ka shënuar 4 gola ndaj Anglisë dhe 4 ndaj Argjentinës. “Nuk do të lejojmë që të na kapë euforia, jemi të përqendruar në ndeshjen e radhës, – shton Klose. – Është e qartë se jemi të kënaqur që kemi ecur përpara pasi kemi luajtur një ndeshje të madhe, por situata nuk ka ndryshuar”. Por, në aspektin personal, dueli i tij me Vijën duket më shumë se i fortë, pasi spanjolli është një gol para. “Synimi është që të shënoj të paktën 5 në këtë turne, ndërsa do të jem shumë i kënaqur nëse arrij në 6. Vija? Është një futbollist i madh. Për ta neutralizuar, ashtu siç bëmë me Mesin, duhet puna e gjithë skuadrës”, shprehet Miroslav Klose.
David Vija
Sulmuesi i ri i Barcelonës është kryegolshënues i këtij Botërori, me 5 gola të realizuar në 5 ndeshje. Tashmë ai është heroi i ri në Spanjë dhe kjo duket edhe në komentet e bëra në shtyp apo në faktin se tifozët mbajnë të gjithë fanelën e tij. “Jam shumë i kënaqur, – u shpreh ai për mediat spanjolle. – Ndaj Paraguait ishte ndeshja më e vështirë që kemi luajtur, madje më e vështirë se me Kilin apo Portugalinë. Kemi vuajtur shumë duke qarkulluar topin, sepse ata vinin gjithnjë për presing”, u shpreh David Vija. Goli i tij në minutën e 83-të ishte sërish vendimtar, pasi dërgoi Spanjën në katërshe për herë të parë pas 60 vjetësh. Topi u përplas në të dy shtyllat dhe më pas pushoi në rrjetë. “Për fat hyri, – thotë David Vija. – Tani është radha e Gjermanisë. Të gjitha ndeshjet janë të ndryshme, por është e sigurt se gjermanët nuk janë kënaqur me kualifikimin tonë në gjysmëfinale. I kemi mundur njëherë në Europian dhe ata e dinë. Tani jemi rritur, ndonëse ndeshja e parë kundër Zvicrës na i komplikoi shumë gjërat”, përfundoi sulmuesi spanjoll.

Gjithashtu lexo

Ylli i Shkëndijës: Nuk kemi çfarë të humbasim ndaj Milanit

Ardian Cuculi ka thënë se Shkëndija do të tentojë të bëjë lojën e saj dhe …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *