Home / Sport / Menezes trajner i Brazilit

Menezes trajner i Brazilit

Emërimi i teknikut, një rrëmujë …kombëtare. Tërhiqet Ramaljo pasi nuk i jep leje Fluminenzes

Rrëmuja e vitit. Të premten në mëngjes, Murisi Ramaljo ishte takuar me presidentin e Konfederatës Braziliane të Futbollit, Rikardo Teikseira. Drejtuesi kishte konfirmuar ftesën e teknikut për të drejtuar Brazilin drejt Botërorit 2014. Por mungonte leja e Fluminenzes, klubit në të cilin Murisi punonte. Pasdite, presidenti i Fluminenzes, Roberto Horkades, kishte deklaruar hapur se nuk kishte ndërmend që ta linte të lirë, dhe Murisi kishte drejtuar rregullisht stërvitjen e skuadrës në prag të derbit të së dielës me Botafogon. Në mbrëmjen e së premtes, në orët e para të së shtunës në Europë, faqja e CBF-së lajmëronte se Murisi kishte refuzuar ftesën, sepse klubi i Rios nuk e lejonte të prishte kontratën. Pak më vonë del zyrtarisht opsioni i ri: Mano Menezes, trajneri i Ronaldos te Korinthias, i cili e dha përgjigjen e tij në një konferencë për shtyp.

Vendos miqësia — Nëse mes CBF-së dhe Fluminenzes nuk ka marrëdhënie të mira, ndryshe qëndron diskutimi me Korinthiansin. Presidenti i bardhezinjve të San Paolos, Andres Sançez, ka qenë shefi i delegacionit të Brazilit në Botërorin 2010. Për më tepër, në faqen e federatës bëhet e ditur, se Mano ishte pjesë e një liste me tre emra, e bërë në Afrikën e Jugut për të zëvendësuar Dungën, dhe se ai ishte në harmoni me projektin e Teikseiras për të ndërtuar një kombëtare të re për Botërorin 2014, që do të zhvillohet në Brazil. Por presidenti kishte thënë orë më parë se opsionin numër një ishte Murisi, para se të mësohej vetoja e Fluminenzes. “Vendimtare për këtë zgjedhje është domosdoshmëria e rinovimit imediat të kombëtares braziliane, që gjë Menezes do të fillojë ta bëjë që në miqësoren e 10 gushtit me SHBA-në”, deklaroi drejtuesi i CBF-së. Të hënën, trajneri i ri do të publikojë listën. Duhet të jenë vetëm lojtarë të klubeve kombëtare dhe në shumicë të rinj të tipit Neymar e Ganso, fantazistët e Santosit të mbetur jashtë Afrikës së Jugut. Nga pankina e Korinthiansit, Mano, ishte emri më i kuotuar deri të enjten nga mediat. Por presidenti kishte thënë se e dëshironte Murisin në krye të Kombëtares.
Ish-mbrojtësi – Si lojtar, Luiz Antonio Venker Menezes, i njohur si “Mano”, nuk ka shkëlqyer. Ka

luajtur për diletantët apo gjysmëdiletantët e Rio Grande do Sul, rajoni më jugor i Brazilit. Ai ka lindur më 11 qershor 1962 në qytetin e Paso do Sobrado. I diplomuar në edukim fizik, i martuar, me një vajzë, Mano debutoi në pankinë në vitin 1992 në kategoritë e të rinjve në vendin e lindjes. Në 1997-n, mori timonin e profesionistëve të Guarani di Venancio Aires, me të cilët në vitin 2002 fitoi titullin “Gaùcho”, po të Rio Grande do Sul. Por të mëdhenjtë si Internacional e Gremio nuk kishin marrë pjesë në kampionat. Drejtoi edhe disa nga skuadrat e tjera provinciale: Gremio Esportivo Brasil, Iraty, XV Novembre, Caxias për të marrë më në fund komandën e Gremios, atë të Porto Alegres, një legjende të futbollit brazilian. Në 2005-n, drejtoi Gremion në fitimin e serisë B braziliane. Në 2006 dhe 2007, fitoi titullin e Rio Grande do Sul dhe arriti në finalen e Kupës Libertadores të humbur ndaj Boka Zhuniors. Në 2008-n, kaloi te Korinthians në Serinë A braziliane. Në 2009, me Ronaldon në ekip, fitoi dy tituj: kampionatin “paulista” (pa asnjë humbje) dhe Kupën e Brazilit.

Gjithashtu lexo

City: 300 mln euro për Messi-n – (VIDEO)

Klubi anglez, Mançester Sity është i gatshëm të bëjë çmendurinë e radhës në tregun e …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *