Home / Sport / Merkato e “nxehtë”, Mourinjo dhe Interi “luajnë muzikën”

Merkato e “nxehtë”, Mourinjo dhe Interi “luajnë muzikën”

Deri tani, klubet e mëdhenj kanë realizuar pak goditje, por janë në bisedime për të siguruar lojtarë të rëndësishëm. Maikon dhe Baloteli mbajnë situatën të bllokuar.

Hoze Mourinjo dhe Interi u ndanë pas suksesit në “Santiago Bernabeu” (stadium të cilin “I veçanti” ka vendosur ta frekuentojë më shpesh). Tashmë ata janë aktorët kryesorë që lëvizin fijet e merkatos së verës. Portugezi kërkon Maikonin nga zikaltrit, bisedimet kanë arritur në një pikë “tërhiqe mos e këput”. Fati i Mario Balotelit mbetet i paqartë. Me të ardhmen e tyre varen edhe lëvizjet e klubeve të tjera.

Derisa të vendoset për Maikonin dhe Balotelin, klubi nga Milano nuk nxiton të blejë futbollistë, as Reali nuk lëviz për të afruar lojtarë të rinj. Ndërkohë, Fabregas, Xheko, Ozil dhe Ibrahimoviç janë emrat e tjerë që mund të lëvizin merkaton e klubeve europianë, mes të cilëve deri tani, më aktivi është treguar Mançester Siti. Klubi anglez ka siguruar David Silvën, Zherom Boatengun dhe Jaja Turenë.

Ja situata e merkatos së klubeve kryesore evropiane:

INTER – Kampionët e Evropës në fuqi po i japin kohë trajnerit të ri për të piketuar elementët tek të cilët do të mbështetet në sezonin e ardhshëm. Deri tani zikaltrit kanë siguruar në formë huazimi portierin Kastelaci nga Sampdiria dhe kanë blerë Biabianinë nga Parma dhe Koutinjon nga Vasko de Gama. Gjithashtu, Andrea Ranokia është zyrtarisht lojtar i Interit, por në sezonin që vjen do të veshë fanellën e Xhenovas. Sa për largimet, përfundimtarë janë ata të Kuarezmës te Beshiktashi dhe Arnautoviçit te Verder Bremeni. Interi ka nevojë për një mesfushor qendre (emri që lakohet është Maskerano, i preferuari i Benitezit). Blerjet e tjera varen nga shitjet, sidomos Baloteli (i cili duhet të zëvendësohet nga një qendërsulmues) dhe Maikon (për të cilin duhet të kërkohet një mbrojtës i djathtë).

BAJERN MYNIH – Deri tani, nënkampionëve të Evropës u janë rikthyer vetëm lojtarët që sezonin e kaluar ishin huazuar në klube të tjerë. Njëri prej tyre është i riu Toni Kros, që veshi fanellën e Bajer Leverkusenit. Emrat e tjerë të afruar janë Brafhid nga Sëlltiku, Breno dhe Otll nga Nurembergu. Ësgtë larguar Kristian Lel i cili do të luajë te Herta e Berlinit. Bavarezët kanë nevojë për një portier pasi But është 36 vjeç, kurse Rensing nuk bindi në sezonin e parë si titullar. Po ashtu, të mirëpritur janë edhe një mbrojtës anësor dhe një mesfushor qendre përkrah Van Bomelit, pasi Timoshuk nuk ofron siguri.

BARCELONA – Për Ksavin, “mbërritja e Fabregasit te Barcelona është e pashmangshme dhe nëse qëndron te Arsenali, do të ishte në formë huazimi”. Me blerjen e David Vilës, Guardiola ka lënë të lirë Ibrahimoviçin të vendosë për të ardhmen e vet. Në Katalonjë kanë mbërritur edhe mbrojtësi Adriano nga Sevilja, Henrike nga Santanderi dhe Kaseres nga Juventusi. Është larguar mbrojtësi Çigrinskij te Shktar Donjetsku, Jaja Ture te Mançester Siti dhe Henri te Nju Jork Red Bulls në SHBA. Kampionët e Spanjës pëlqejnë holandezin Van der Viel si alternativë për Dani Alveshin në të djathtë të mbrojtjes. Mata i Valencias mund të jetë zëvendësuesi i Henrisë, kurse objektivi kryesor vazhdon të mbetet Fabregasi.

REAL MADRID – Goditja e vërtetë për “galaktikët” është Hoze Mourinjo, por për Florentino Perezin nuk mund të quhet merkato e vërtetë pa sjellë në “Bernabeu” një emër të madh. Deri tani janë përmbyllur me sukses blerjet e Pedro Leonit nga Getafe, Kanalesit nga Santanderi dhe Di Marias nga Benfika. Është larguar Kristof Metzelder te Shalke 04. Hoze Mourinjo dëshiron një mesfushor qendre të fuqishëm, për shembull gjermanin Kedira. Më shumë se në sulm, portugezi kërkon të investojë në mbrojtje. Nëse vjen Maikoni, Serxho Ramosi do të luajë në qendër. Në të kundërt, fillon sulmi për Tiago Silvën. Alternativat në krahun e majtë janë Kolarov dhe Eshli Kol, për të cilin Çelsi vështirë se mund të lëshojë.

ÇELSI – Blutë e Londrës janë shfaqur pasivë në merkato deri tani. Gjithsesi, kanë arritur të marrin izraelitin Josi Benajun nga Liverpuli dhe t’u japin të kuqve mesfushorin Xho Kol. Çelsi dëshiron Mesut Ozilin, i cili kërkohet nga gjysma e Evropës. Me kalimin e viteve, lind nevoja e rifreskimit të sulmit. Braziliani Neimar mund të jetë njeriu i duhur.

MANÇESTER JUNAJTID – “Djajtë e kuq” po lëvizin në merkato me sytë nga portofoli, pasi situata financiare nuk është fort e mbarë. Por organika e skuadrës nuk është e plotë, prandaj duhen bërë disa lëvizje. Fergusonit i pëlqen Ozili, që mund të luajë në pozicione të ndryshme në sulm.Uejn Runi ka nevojë për një partner më konkret se Berbatovi dhe më pak të brishtë se Oueni. Sulmuesi i vetëm i ardhur është meksikani Hernandez nga Guadalahara. Duhet zëvendësuar edhe Van der Sari, i cili po arrin të 40-at.

ARSENAL – Blerjet e “Topçinjve” varen në një masë të konsiderueshme nga e ardhmja e Fabregasit. Londinezët kanë marrë Çamakun nga Bordoja dhe Koshielnin nga Lorienti, ndërkohë që Senderos është transferuar te Fulhami, kurse Merida te Atletiko e Madridit. Nëse Fabregasi largohet, duhet një zëvendësues i denjë, megjithëse Arsen Vengeri po mendon më tepër për mbrojtjen. Duhet gjetur një qendërmbrojtës përkrah Vermaelenit, pas largimit të Gallasit. Pëlqehet Jagielka i Evertonit.

Gjithashtu lexo

Tifozët shqiptarë nga Tetova pushtojnë rrugët e Milanos, çfarë po ndodh para ndeshjes? (VIDEO)

Grupimi i tifozëve të Shkëndijes, “Ballistët” që shquhen edhe si një nga tifozeritë më të …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *