Home / Sport / Migjen Basha, gati të vishet kuqezi

Migjen Basha, gati të vishet kuqezi

Ka zhvilluar 15 ndeshje me përfaqësuesen U-15 dhe U-21 të Zvicrës, por asnjëherë nuk ka marrë mundin të këndojë himnin e këtij vendi. Në fakt, Migjen Basha nuk di asnjë rresht të himnit zviceran.

Pas pak kohësh 23-vjeçari do të ketë mundësinë të identifikohet me himnin e Shqipërisë, për të cilin thotë se mund ta këndojë menjëherë. Procedura për pajisjen e Bashës me pasaportë shqiptare tashmë është në përfundim e sipër. Ka mbetur vetëm edhe firma e presidentit Bamir Topi për t’iu dorëzuar më pas mesfushorit që aktivizohet me Atalantën në Serinë A.

Basha ka shumë vjet që ëndërron Kombëtaren, por vetëm para dy viteve atij i është dhënë një shpresë. Në një takim që kishte pasur me ish-sulmuesin Igli Tare, ky i fundit i kishte thënë se duhet të luajë për Shqipërinë, ndërkohë që para tre muajsh ka qenë mesfushori Lorik Cana ai që e ka telefonuar dhe i ka propozuar të bëhet kuqezi. Përgjigjja ishte e menjëhershme dhe pozitive.

“Para dy vitesh kur u transferova te Rimini, Igli Tare më pa në një ndeshje miqësore. Më tha urgjentisht se duhet të luaja për Shqipërinë. Unë nuk dija si t’i përgjigjesha, sepse nuk kisha asnjë kontakt me Federatën Shqiptare të Futbollit. Para tre muajsh më ka telefonuar Lorik Cana. Sigurisht që pranova menjëherë. Të luash me Shqipërinë është kënaqësi dhe detyrim”, pohoi Basha.

Ai shtoi se marrja e një pasaporte nuk ka të bëjë vetëm me futbollin, po ka një tjetër përmasë. “Do të jetë nder të jem shtetas shqiptar”, theksoi Migjen Basha. Flitet se debutimi i tij me fabellën kuqezi mund të bëhet më 11 gusht kundër Uzbekistanit, por vetë lojtari pohon se ende nuk ka marrë ndonjë sinjal.

Basha e ka nisur karrierën qysh dhjetë vjeç në klubin shqiptar të Zvicrës, Dardania, për të kaluar në vitin 2004 te Lozana ku qëndroi vetëm një vit, pasi u transferua te Lukeze ku qëndroi nga viti 2005 deri më 2007. Më pas kaloi nga një gjysmë sezoni në Viarexho, Rimini dhe Frosinone. Së fundi u transferua te Atalanta për 2.2 milionë euro. Për grupmoshat e Zvicrës (U-15 dhe U-21) ka luajtur 15 ndeshje dhe ka shënuar një gol me ekipin 21-vjeçarët.

Gjithashtu lexo

Shikoni çfarë ka bërë Barcelona pas sulmit terrorist (FOTO)

Klubi i Barcelonës ka reaguar pas sulmit terrorist në Barcelonë. Katalunasit e kanë bërë një …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *