Home / Sport / OMONIA SHUMË E FORTË PËR RENOVËN

OMONIA SHUMË E FORTË PËR RENOVËN

Renova u mund 2:0 nga Omonia në ndeshjen e kthimit të xhiros së dytë të Ligës së Kampionëve Europian në futboll. Skuadra nga Xhepçishti nuk mundi të paktën me rezultat pozitiv të përfundojë odisenë e shkurtë në Europë, ndërsa skuadra qipriote me rezultat të përgjithshëm 5:0 kualifikohet në raundin e ardhshëm, ku do të përballet me skuadrën austriake, Red Bull Salzburg.

Pas vetëm dy ndeshjeve të zhvilluara, skuadra kampione e Maqedonisë, Renova nga fshati Xhepçisht ka përfunduar garat në Ligën e Kampionëve Europian në futboll. Renova edhe në ndeshjen e kthimit u mund 2:0 nga kampionët e Qipros, Omonia, të cilët me rezultatin e përgjithshëm 5:0 kalojnë në raundin e ardhshëm. Edhe pse Renova në takimin e parë në Nikozi humbi bindshëm 3:0, dhe deklaratat nga tabori i “bardhë e kaltërve” ishin se do të kërkojnë që të paktën ta mundin minimalisht kundërshtarin, megjithatë edhe një herë u vërtetua se dallimi në kualitet midis futbollit maqedonas dhe atij qipriot është shumë i madh.
Sa i përket ndeshjes Renova hyri e orientuar në sulm që në fillim dhe në minutën e 5-të kishin mundësi për të avansuar, mirëpo goditjen e Jançevskit e priti portieri mysafir Jorgallidis, ndërsa topi pasi u përplas në shtyllë përfundoi në rivëni nga këndi. Renova edhe në vazhdim kërkonte të avansojë, mirëpo pas disa gjysmërasteve, në minutën e 14-të Alloneftis pasi vodhi topin prej Memedit, me goditje të fortë nga jashtë zonës, gjeti këndin e pambrojtur të portës së Elezit. Goli i epërsisë së mysafirëve “shëmbi” edhe ato pak shpresa të Renovës se ndoshta do të mund të bëjë befasi, ndërsa demoralizimin e vendasve e shfrytëzuan miqtë të cilët në minuten e 24 pas një aksioni të bukur, përmes futbollistit Markolini ngritën epërsinë në 2:0.
Pas këtij momenti futbollistët e Renovës u humbën në fushë, dhe sikur nuk kishin kurfarë motivi për tu mbiluajtur me kundërshtarin, të cilët vazhdonin të kontrollojnë maksimalisht rrjedhën e takimit edhe pse krijohej përshtypja se luajnë me 30 % e mundësive të tyre. Edhe pjesa e dytë kaloi në lojë të ngjashme, ndërsa vlejnë të përmenden disa intervenime të mira të portierit të Renovës Armend Elezi, sidomos në minuten e 85-të kur në mënyrë bravuroze ndali goditjen e ish-futbollistit të skuadrës angleze Njukasëll, Lua Lua.
Shenja e arbitrit kryesor Duarte Pereira Gomesh për fundin e takimit ishte shkurtim i mankthit të futbollistëve të Renovës, të cilët në fund në mënyrë korekte pranuan disfatën dhe eliminimin nga kundërshtari më i fortë.
Pas përfundimit të takimit në konferencën për gazetarë të dy trajnerët ishin objektiv në vlerësimet e tyre, duke potencuar se kualifikimi i Omonias është i merituar.
“ Pas dy ndeshjeve në Nikozi dhe në Shkup, mendoj se ne me meritë kalojmë më tej. Në takimin me Renovën ne shënuam herët dy gola dhe më pas me disa zëvendësime pushuam disa futbollistë. Uroj ekipin e Renovës, të cilët treguan se kanë cilësi dhe deri në fund luftuan në mënyrë korrekte edhe pse ne kishim epërsi të madhe. Tani do të përballemi me Salzburgun, të cilët janë favorit, mirëpo ne vazhdojmë të besojmë në forcat tona dhe sigurisht që do të kërkojmë kualifikimin në fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve”, – deklaroi trajneri i Omonias, Lemonis.
Ndërkohë trajneri i Renovës, Nexhat Shabani pranoi se Omonia është skuadër më e fortë dhe se futbollistët e tij luajtën me nder të dyja ndeshjet.
“Patjetër të pranojmë se Omonia është skuadër më kualitative se ne dhe me meritë kalon më tej. Ne në fillim të takimit kishi dy raste të mira për të avansuar, ndërsa më pas pranuam dy gola pas dy gabimeve katastrofale. Mirëpo ne nuk mund të jemi të dëshpruar, pasi kundërshtari tregoi se është më i fortë se ne dhe unë me gjithë zemër u dëshiroi sukses në fazën e më tejshme të garave”, – tha Shabani.
Renova pas këtij eliminimi të hershëm, tani mbete të koncentrohet për startin e sezonit të ri, ku skuadra do të ketë ambicie të mëdha për të mbrojtur titullin e kampionit të fituar vitin e kaluar.

Gjithashtu lexo

Tifozët shqiptarë nga Tetova pushtojnë rrugët e Milanos, çfarë po ndodh para ndeshjes? (VIDEO)

Grupimi i tifozëve të Shkëndijes, “Ballistët” që shquhen edhe si një nga tifozeritë më të …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *